Kryeministri Berisha: BE dhe NATO, mirëkuptim për përpjekjet e qeverisë në rrugën reformave
Kryeministri u shpreh sot, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se ka gjetur mirëkuptim për të gjitha përpjekjet e qeverisë në rrugën e reformave, të luftës kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe informalitetit.
Qeveria, tha Kryeministri, u ka dëshmuar të gjithë partnerëve të saj se ajo ka vetëm një gjuhë, atë të reformave. Kjo është gjuha më e mirë për të paraqitur përpjekjet dhe sakrificat që bëjnë shqiptarët në procesin e integrimit.
Kryeministri Berisha njohu anëtarët e qeverisë me rezultatet e vizitës dhe në Bruksel dhe mbështetjen e plotë që mori nga personalitetet e larta të NATO-s dhe BE-së për reformat e ndërmarra nga qeveria në të gjitha fushat. Duke komentuar rezultatet e takimeve të rëndësishme në selinë qendrore të NATO-s dhe BE-së në Bruksel, Kryeministri theksoi:
"Dje ishte një ditë shumë e rëndësishme për vendin. Ne paraqitëm në Këshillin e Atlantikut të Veriut dhe para Sekretarit të Përgjithshëm të NTAO-s rezultatet e reformave në zbatim të ciklit të 8-të të Planit të Veprimit për Anëtarësim në NATO siç janë reformat në fushën politike, krijimin e komisionit zgjedhor, ligjin për drejtësinë, krijimin e komisionit bipartizan për integrimin në NATO, vendimin e qeverisë për të pranuar sistemin elektoral që opozita do të propozojë si kusht për konsensusin, vendimin e maxhorancës për zgjedhjen e presidentit konsensual në rast se opozita është e përgatitur për një gjë të tillë.
Gjithashtu i njohëm me reformat e thella në luftën kundër krimit të organizuar, shkatërrimin e 141 grupeve dhe organizatave kriminale, arrestimin dhe dërgimin para drejtësisë të 1170 bosëve dhe anëtarëve të tyre, si dhe risjelljen në Shqipëri nga vendet e tjera të një numri të madh të anëtarëve dhe bosëve të këtyre organizatave. Ne informuam edhe për krijimin e Task force-s së re me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit në vend, e cila do të spostojë në një orbitë të re në luftën kundër krimit të organizuar në veçanti në fushën ekonomike. I njohëm me të gjitha arritjet e reformave ekonomike, revolucionin fiskal, rritjen ekonomike të parashikuar këtë vit 6 për qind, inflacionin në vlerat 2.4 për qind, rritjen e investimeve të huaja në 4 herë në raport me vitin 2004, rritjen e eksporteve 28 për qind. Ne u ndalëm gjerësisht në luftën kundër korrupsionit dhe vendosmërinë tonë në këtë luftë. Sikundër paraqitëm të gjitha arritjet që Forcat tona të Armatosura kanë shënuar në procesin e reformimit të tyre. Këto arritje shumë serioze u vlerësuan jashtëzakonisht pozitive nga partnerët tanë.
Në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, në ekspozenë e zgjeruar dhe diskutimet që u zhvilluan në Këshillin e Atlantikut të Veriut u shpreh vlerësimi shumë pozitiv për reformat dhe zbatimin e tyre, si dhe mbështetja e qartë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjithashtu u shpreh vlerësimi i gjithanshëm i luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, reformat në Forcat e Armatosura, për rezultatet e reformave ekonomike. Në këto takime u vlerësua gjithashtu ngritja e komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, komisionit për integrimin në NATO, ligji për drejtësinë dhe për policinë.
Nga ky moment dhe deri në samitin e Bukureshtit është më pak se një vit. Dua të huazoj fjalën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s që kemi dhe një milje shtesë për të bërë. Dhe kjo rrugë shtesë nuk është e thjeshtë. Qytetarët shqiptarë dhe të gjitha agjencitë duhet të informohen se, që ta përshkojmë këtë kilometër shtesë, kërkohet përkushtim i madh. Mbledhja e ministrave të Jashtëm në Oslo ka përcaktuar një cikël të ri të Planit të Veprimit për Anëtarësim. Ky cikël ka rëndësi përcaktuese për të marrë ftesën. Ai do të mund të zbatohet vetëm me përkushtim dhe përparësim të të gjitha proceseve dhe problemeve që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në NATO. Qeveria së shpejti do të emërojë një koordinator për të ndjekur në mënyrë efiçente, të përditshme dhe të qëndrueshme të gjitha veprimtaritë e ministrive dhe agjencive të lidhura me këtë proces."