Kryeministri Berisha: Bumi turistik i këtij viti të mos kthehet në një bumerang
Kryeministri Berisha, u shpreh sot gjatë punimeve të Work shop-it “Shqipëria, Turizmi dhe imazhi”, se duhet të marrim të gjitha masat që bumi turistik i këtij viti të mos kthehet në një bumerang.
Kryeministri Berisha vlerësoi se sezoni i kaluar ka pasur një bum të dukshëm turistik, ndërsa ngriti shqetësimin për dy çështje kryesore, çështjen e mbetjeve urbane në këto zona dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit për turistët. “Unë kam marrë letra dhe e-mail-e nga turistë të ndryshëm, të cilët kanë shprehur mahninë e tyre për çfarë kanë vizituar, por kanë shprehur gjithashtu dhimbjen e tyre për situatën që kanë gjetur për sa i përket ndotjes së ambientit nga plehrat”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri theksoi se nuk ka pse të mungojë shërbimi cilësor , pasi Shqipëria ka shkolla dhe kurse për turizmin. “Turizmi është proces edukimi. Ne kemi një mikpritje me të cilën nuk krahasohet askush, por ajo duhet përpunuar, duhet të përshtatet”, u shpreh ai.
Më tej, Kryeministri përgëzoi të gjithë mikpritësit shqiptarë, të gjithë operatorët e turizmit, për bum-in turistik që përjetoi vendi këtë vit. Sipas statistikave, këtë vit sektori i industrisë turistike njohu një rritje të madhe, me 900 mijë turistë të huaj dhe rreth 600 mijë turistë vendas. Por Kryeministri theksoi se “sërish kemi detyra dhe detyrime shumë të mëdha ndaj turizmit dhe turistëve”.
“Qeveria është thellësisht e interesuar të bashkëpunojë me të gjitha strukturat, me agjencitë turistike, shoqërinë civile, bashkitë dhe komunat, në mënyrë që turizmi në vend të jetë më i organizuar dhe funksional”, vijoi Kryeministri.
Në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se qeveria po përgatitet për të marrë një fushatë të gjerë, në mënyrë që ky bum turistik të mos kthehet në një bumerang. “Kjo fushatë ka një rëndësi jetike për të ardhmen e turizmit në Shqipëri, sepse ne na duhen turistët, jo vetëm për shkak të shpenzimeve që ata bëjnë këtu, por më shumë për imazhin që ne duhet t’u përcjellim atyre këto vite”, nënvizoi Kryeministri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha kërkoi edhe angazhimin e Shoqatës së Ndërtuesve që të marrin me seriozitet absolut çështjen e ndotjeve nga ndërtimet në këto zona.
Ky Work-shop u organizua nën kujdesin e Kryeministrit Berisha dhe me mbështetjen e Institutit për Demokraci dhe Reforma dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Në takim u diskutua për ecurinë e deritanishme të turizmit në vend, problemet thelbësore që ndeshen dhe masat që duhet të ndërmerren për sezonin e ardhshëm turistik.