E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton pacientët e transplantit të parë të veshkave në Shqipëri



Kryeministri Berisha vizitoi sot  ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku u krye transplanti i parë i veshkës në vendin tonë.

 Gjatë vizitës së tij në ambientet e këtij spitali Kryeministri Berisha vizitoi dy pacientët dhe prindërit e tyre, të cilët ishin dhuruesit e veshkave, dhe u uroi atyre shërim sa më të shpejtë.    

Gjithashtu Kryeministri vizitoi edhe pajisjet dhe laboratorët modernë në klinikën private “Balkan  Alliance Medical Center”, e cila realizoi këtë transplant.   

Kryeministri e cilësoi realizimin e transplantit të parë të veshkës në vendin tonë si një ngjarje të madhe për mjekësinë shqiptare dhe për vendin dhe shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë ekipi i mjekëve të spitalit “Nënë Tereza” do të realizojë transplante të tjera të veshkave në muajt që vijnë.   

Duke e vënë theksin në faktin se transplantin e parë në vend e realizoi sektori privat, Kryeministri vlerësoi se krahas konsolidimit të shërbimit shëndetësor publik, mbështetje më të madhe do të marrë edhe sektori privat.

Në këtë kontekst Kryeministri theksoi se së shpejti do të inaugurohet një spital tjetër privat, duke i dhënë këtij sektori hapësirë gjithnjë e më të madhe në shërbimet jetike ndaj qytetarëve.

Në këtë vizitë Kryeministri shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka. 

 
Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:

“Së pari dua të uroj edhe njëherë të dy pacientëve dhe prindërve të tyre që u bënë shkak i kësaj ngjarje të madhe për mjekësinë shqiptare dhe për vendin, shërim të shpejtë.

Dëshiroj të falënderoj me shumë mirënjohje ekipin e shkëlqyer të mjekëve të cilët bashkuan të gjithë ekspertizën e spitaleve më të njohura të Shteteve të Bashkuara, Texasi në njëfarë mënyrë është kryeqyteti i mjekësisë botërore, Vjenës traditës së madhe europiane dhe Turqisë vendi me një zhvillim shumë të shpejtë.

Dëshiroj të falënderoj Dr. Seilkaly, Dr Miller dhe Dr. Sadik dhe të gjithë ekipin shqiptar që asistoi në këto dy ndërhyrje jashtëzakonisht të rëndësishme.

Këto janë dy transplantet e para të veshkave në historinë  e vendit. Në këto dy transplante ju jo vetëm ndihmuat dy të rinj për të patur një perspektivë të re jete, por çelët edhe siparin e transplantit të veshkës dhe organeve të tjera në  këtë vend si një metodë radikale mjekimi, por që ka shpëtuar dhe shpëton me mijëra e mijëra jetë në botë.

Ky ishte hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm. Qeveria po punon dhe kam bindjen më të thellë se shumë shpejt me mbështetjen e qeverisë ekipi i mjekëve të spitali “Nënë Tereza do të realizojë transplantet të tjera të veshkave në muajt që vijnë.
Unë kam besim të plotë në ekspertizën përkushtimin talentin dhe aftësitë e mjekëve shqiptarë, por kjo eksperiencë është një eksperiencë e çmuar dhe një nxitje e madhe për ta.
Dua të theksoj se transplantin e parë në Shqipëri e realizoi sektori privat në mjekësi dhe në të gjitha fushat e tjera të vendeve të lira sektori privat është sektori i zhvillimit i progresit dhe kjo ndodhi edhe në vendin tonë.

Kjo kërkon nga ne si qeveri që të shtrijmë të gjithë mekanizmat e mbështetjes së këtij sektori dhe ne do ta bëjmë këtë.

Vizitova qendrën kardiologjie ka realizuar 1200 koronografi me zero komplikacione, ka realizuar 320 bypase me rezultate nga më të lakmueshmet të qendrave më moderne. Ky është një realitet që zhvillohet në Shqipëri dhe që do të përhapet gjithnjë e më tej.

Së shpejti ne do të inaugurojmë një spital tjetër më të madh privat dhe duke konsoliduar sektorin publik, duhet t`i japim hapësirë gjithnjë e më të madhe sektorit privat në këto shërbime jetike për qytetarin.

Unë vizitova një laborator ultra-modern me një kapacitet prej mijëra analizash në 24 orë, një laborator  që bën analizat më të rëndësishme imunologjike të domosdoshme për t`u hapur rrugë llojeve të tjera të transplanteve, të palcës, mëlçisë dhe zemrës, transplante që i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm njeriut.

Dua të falënderoj përzemërsisht ekipin e mjekëve, bashkëpunëtorët, por dua të përgëzoj edhe punonjësit e Spitalit Ushtarak në tërësi për këtë partneritet publik privat që vendosi me ekipin që kreu këto operacione një shembull që duhet ta ndjekin dhe qendra të tjera shëndetësore të vendit”. 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›