Kryeministri Berisha: Buxheti 2009, me rreth 5 miliard dollarë, është buxheti më i madh në historinë e vendit
- “Ky buxhet, në masë të madhe, është buxheti i infrastrukturës.”
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, u zhvillua sot një mbledhje e përbashkët e qeverisë dhe Komitetit të Planifikimit Strategjik, ku u diskutua mbi projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009.
Duke prezantuar buxhetin 2009, Kryeministri Berisha tha se buxheti, që kap shifrën e rreth 5 miliard dollarëve, përbën buxhetin më të madh në historinë e vendit.
“Në buxhetin 2009, - u shpreh Kryeministri - janë ruajtur të gjitha linjat programore të qeverisë. Ai garanton stabilitetin makroekonomik të vendit dhe rritjen ekonomike që, 6 mujorin e parë të këtij viti, ishte dyshifrore. Natyrisht, rritja vjetore do të dalë përfundimtare në muajt e parë të vitit që vjen.”
Kryeministri Berisha, duke u ndal në drejtimet kryesore të buxhetit për vitin e ardhshëm, tha se ai përqendrohet në investimet e mëdha publike, si në akset e rëndësishme rrugore:
- Përfundimin e autostradës Durrës-Morinë;
- Përfundimin e autostradës Bllatë-Bulqizë;
- Përfundimin e autostradës Korçë-Qafë Plloçë;
- Përfundimin e punimeve në rrugën Vlorë-Sarandë’
Buxheti përqendrohet gjithashtu në:
- Shndërrimin në 4 korsi të autostradës Fushë Krujë-Milot;
- Në fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit të rrugës së Arbrit, Bulqizë-Klos. Sapo të mbarojë projekti, fillon ndërtimi Tiranë, nga Shkalla e Tujanit, drejt Klosit;
- Në projektimin dhe fillimin sa më të shpejtë të autostradës Plloçë-Qukës që, sipas të dhënave paraprake, është fizibël dhe shumë e nevojshme;
- Në ndërtimin, në një pjesë të mirë të saj, në një aks të ri të rrugës Krumë-Kukës, e cila shkurton distancën midis këtyre dy rretheve;
- Në fillimin e punimeve të aksit Kardhiq-Delvinë, nga ana e Delvinës;
- Në përfundimin e rrugës së Prespës, që lidh aksin kombëtar me liqenin e Prespës;
- Në segmentin e Valbonës, të Qafë Prushit;
- Avancimin e punimeve të rrugës Kukës drejt Kalasë së Dodës, të Peshkopisë në drejtim të Kalasë së Dodës; të rrugës Stërblevë në drejtim të Orenjës dhe Peshkopisë.
Buxheti përqendrohet edhe në ndërtimin e një seri rrugësh që zbresin drejt detit, nga Bërdica deri në Ksamil, si dhe në segmente të tjera të rëndësishme.
- Sapo të përfundojë projekti, rruga Bogë-Theth;
- Sapo të përfundojë projekti, rruga Kukës-Shishtavec;
- Unazën që lidh Dardhën dhe të gjitha zonat e bukura malore të Korçës;
- Rrugën që të çon drejt majës së Çajupit dhe një seri rrugësh të tjera.
Buxheti përqendrohet në ndërtimin dhe asfaltimin e qindra e qindra kilometrave rurale.
Kryeministri theksoi se buxheti 2009, në masën e madhe të tij, mbetet buxhet i infrastrukturës, ku, përveç akseve të rëndësishme rrugore, përqendrohet edhe në ujësjellës, impiantet e përpunimit të ujërave të zeza, landfilld-et që janë në ndërtim nga Shkodra, në Sarandë, Korçë dhe të gjitha qarqet e vendit.
23/10/2008