Kryeministri Berisha: Qeveria ka mbajtur premtimin e dyfishimit të pensioneve dhe pagave në arsim e shëndetësi
“Nga rritja e pagave dhe pensioneve kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme 800 mijë familje.”
Kryeministri Berisha, duke prezantuar projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit Strategjik, bëri të ditur se rritja e pagave dhe pensioneve është një ndër prioritet madhore edhe në buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Buxheti i jep mundësi qeverisë të realizojë rritjen e premtuar të pagave dhe pensioneve, një rritje unike në mbarë Europën. Asnjë vend tjetër jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, nuk ka bërë në 4 vjet, dyfishim të pagave të mësuesve, infermierëve dhe mjekëve, siç do të bëjmë ne, nuk ka bërë një rritje me mbi 60 për qind të pagës mesatare të administratës, nuk ka bërë dyfishim të pensionit minimal, nuk ka bërë rritje me 50 për qind, ashtu siç do të bëhet, të pensioneve në qytet dhe pensioneve të tjera.”
Kryeministri e vlerësoi politikën e qeverisë, në drejtim të rritjes së pagave dhe pensioneve, tepër efikase dhe jetike për përmirësimin e jetesës së familjeve shqiptare.
“Përpjekja jonë për rritjen e pagave dhe të pensioneve, me gjithë peshën shumë të rëndë që ka pasur, ka qenë jetike dhe jashtëzakonisht pozitive si për administratën, pensionistët dhe vendin në tërësi. Nga kjo politikë, kanë përfituar në mënyrë të ndjeshme 800 mijë familje shqiptare, të cilat kanë pasur një përmirësim thelbësor të buxhetit të tyre familjar.”
Projektbuxheti i shtetit për vitin 2009 u prezantua sot nga Kryeministri Berisha, gjatë një takimi të përbashkët të qeverisë me Komitetin e Planifikimit Strategjik.
23/10/2008