Kryeministri Berisha merr pjesë në takimin e Rrjetit të studentëve shqiptarë në botë AS@N
- Qeveria është përqendruar me gjithë potencialin e saj në arsim, në mënyrë që ta përparësojë atë mbi të gjithë sektorët e tjerë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin e Rrjetit të studentëve në botë, organizuar në Tiranë, në kuadër të projektit “Rikthim dhe punesim”. Të pranishëm në këtë takim ishin Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulëzim Basha, Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, znj. Blerta Selenica, Drejtori Ekzekutiv i Kompanisë celulare AMC, z. Stefanos Oktapodas si sponsor kryesor i këtij aktiviteti, Drejtoresha Ekzekutive e rrjetit AS@N, znj. Edlira Cepani, studentë shqiptarë që studiojnë në universitete të vendeve të ndryshme, etj.
Kryeministri përgëzoi organizatorët e këtij takimi, duke theksuar se “kthimi i trurit” në vend është një potencial shumë i madh për zhvillimin me ritme të shpejta të Shqipërisë. “Vendi po ecën me një sistem të ri, të bazuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë dhe ky sistem ka nevojë jetike për soft-in e tij dhe elementët e këtij soft-i sot jeni ju, janë të rinjtë shqiptarë kudo që studiojnë”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri ftoi studentët që, pas përfundimit të studimeve, të kthehen dhe të kontribuojnë në vend, duke siguruar angazhimin e plotë të qeverisë në procesin e brain gain-it. Ai u kërkoi gjithashtu institucioneve në vendin tonë, Departamentit të Administratës Publike, universiteteve, etj, të jenë të hapur ndaj studentëve që dëshirojnë të kthehen e të punojnë në Shqipëri. Kjo, - theksoi Kryeministri, - “është në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare”.
Kryeministri i njohu studentët me drejtimet kryesore ku u përqendrua me përparësi madhore qeveria, duke renditur garantimin e sigurisë së qytetarëve, duke luftuar me vendosmëri kriminalitetin, nxitja e proceseve integruese, nënshkrimi i MSA-së, marrja e ftesës për NATO, si dhe puna e vazhdueshme për realizimin e reformave në këto drejtime, shndërrimi i Shqipërisë në një nga vendet me barrën fiskale më të ulët dhe një nga vendet me klimë më tërheqëse për investimet dhe biznesin, etj.
“Ne kemi si qëllim kryesor; Shqipëria në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Janë bërë hapa shumë të rëndësishme në drejtim të thithjes së investimeve, por potencialet e vendit tonë janë të jashtëzakonshme”, vijoi Kryeministri, ndërsa nënvizoi se Shqipëria është një vend me potenciale shumë të mëdha turistike, me 400 kilometra breg nga më të bukurit në Europë dhe në botë, për t'u ndërtuar, si dhe me rezerva ujore dhe pasuri minerare nga më të pasurit.
Duke u ndalur në rezultatet e luftës kundër korrupsionit, Kryeministri Berisha vuri në dukje nxjerrjen e administratës nga konflikti i interesit, vendosjen e prokurimeve elektronike, vendosjen e taksave on – line, privatizimin e të gjitha ndërmarrjeve, dixhitalizimin e të gjitha procedurave, zhvlerësimin dhe shndërrimin e tyre në një euro, apo heqjen e tyre aty ku është e mundur, etj.
Gjithashtu, Kryeministri tha se qeveria është e përqendruar në ndërtimin e infrastrukturës së vendit dhe sot sot rrugët e Shqipërisë janë të tëra në ndërtim, si një kusht i rëndësishëm për të shpejtuar zhvillimin e vendit. Por krahas kësaj, Kryeministri siguroi se qeveria është përqendruar me gjithë potencialin e saj në arsim, në mënyrë që ta ketë atë përparësi mbi të gjithë sektorët e tjerë. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi vendosjen e sistemit të maturës shtetërore për pranimet në universitete, liberalizimi i universiteteve, rritja e rrogave të mësuesve me 75 për qind, krijimi i fondit për ekselencat, vendosja e sistemit të brain gain-it, përcaktimi i bonusit për çdo master ekstra universitar që arrin deri në 250 dollarë, etj.
Drejtoresha Ekzekutive e Rrjetit AS@N, Edlira Cepani, vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të inkurajuar dhe motivuar studentët shqiptarë që mbarojnë studimet jashtë vendit të kthehen dhe të kontribuojnë në Shqipëri, në fushat përkatëse ku ata diplomohen.
Nga ana e tij, Drejtori Ekzekutiv i AMC z. Stefanos Oktapodas premtoi qe AMC do jete e angazhuar gjithmone ne mbeshtetje te projekteve te tilla. Gjithashtu Z. Oktapodas shprehu angazhimin e komanise AMC lidhur me dixhitalizimin e shkollave te mesme dhe Universiteteve.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari, është një kënaqësi e veçantë takimi me ju. Dua të përshëndes organizatën tuaj, drejtuesit e kësaj organizate, sponsorin e rëndësishëm të këtij aktiviteti, si dhe të përshëndes studentët shqiptarë kudo që ndodhen. Ky është një takim emotiv, për faktin se sot në Europë, SHBA dhe vende të tjera, ne kemi pothuajse më shumë se një të tretën e të gjithë studentëve që studiojnë në universitetet jashtë vendit. Vetëm në Itali ne kemi mbi 15 mijë studentë. Po kështu, në Greqi dhe në vende të tjera. Ky përbën një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për Shqipërinë.
Vendi ecën me një sistem të ri, ndërton një sistem të ri, të bazuar në vlerat e lirisë dhe demokracisë. Ky sistem ka nevojë jetike për soft-in e tij dhe ky soft është në krijim e sipër. Elementët e këtij soft-i jeni ju sot këtu, janë të rinjtë shqiptarë kudo që ata studiojnë. Nga eksperienca ime dua t'ju them diçka: gjërat ndodhin më shpejt nga sa mendojmë ne, por shpejtësia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, kur në themel të tyre vendoset softi i ri, do jetë nga shpejtësitë më të mëdha që kombi ka njohur ndonjëherë. Sado ta shohim Shqipërinë si një vend me shumë halle e probleme, zhvillimi i saj ka vetëm një rrugë, rrugën e matjes me vendet me të cilat ajo synon të bashkohet. Është e vërtetë që për shumë faktorë kjo matje nuk do të ndodhë menjëherë, por është gjithashtu e vërtetë se në shumë fusha të tjera ka vetëm një rrugë, garë, garë dhe vetëm garë. Në këtë aspekt, arsimi, shkolla, universitetet, janë shtylla më kryesore.
Sot unë isha në një konferencë të Institutit të Alb - Shkencës, e cila mbledh studiues shqiptarë nga të gjitha vendet, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj. Ishte një konferencë e mrekullueshme. Një konferencë e përmasave të tilla, serioze, nuk ishte organizuar ndonjëherë në vendin tonë. Qeveria e ka mbështetur atë, por realizimi i saj nuk është vepër e qeverisë, por është vepër e studiuesve shqiptarë cilët, ashtu si ju, kanë vendosur të bashkohen në një organizatë. Në këtë mënyrë, të gjithë ju të kontribuoni për zhvillimin e vendit.
Shkurtimisht do t'ju bëj një paraqitje për t’ju treguar se cilat janë drejtimet ku qeveria ka qenë e përqendruar me përparësi madhore;
Drejtimi i parë ishte siguria e qytetarëve. Shqipëria ishte një vend i pasigurt, me një nivel shumë të lartë kriminaliteti. Sot mund t'u themi se Shqipëria ka tregues kriminalitetit qartësisht nën mesataren e vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve anëtare të NATO-s. Ju jeni përdorues të internetit dhe mund t'i konfirmoni statistikat.
Së dyti, Shqipëria ishte një vend në të cilin proceset e integrimit ishin në vend numëro. Nëpërmjet reformave këto tre vjet proceset e integrimit janë vendosur në planin që duhet të jenë. U nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe po punohet çdo ditë për standardet të cilat janë jetike dhe të dobishme për qytetarët tanë. Gjithashtu, Shqipëria mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe po punohet për anëtarësimin e plotë.
Së treti, Shqipëria ishte vendi me barrën fiskale më të lartë dhe tërheqjen më të ulët për investimet e huaja. Sot Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët dhe një nga vendet me klimë më tërheqëse për investimet dhe biznesin. Këtë e pohojnë raportet ndërkombëtare. Ne jemi të përkushtuar në këtë drejtim. Kemi përgjysmuar taksat dhe e gjithë kjo është bërë në kërkim të rritjes ekonomike. Shumë nga ju studiojnë ekonomi dhe mund të konstatojnë që Shqipëria bëri një eksperiment të pa bërë më parë me nivelin e taksave. Por, nga analizat teorike që bëhen nga Departamentet dhe grupet më të shquara ekonomike të botës, ato e inkurajojnë dhe mbështesin këtë tendencë si një përpjekje të madhe për të shtuar ritmet e rritjet. Ne këtë gjë po bëjmë. Rezultatet janë të qarta.
Tremujori i parë i këtij viti ishte i pari me rritje dyshifrore prej 10.5. Tashmë priten rezultatet e tremujorit të dytë, që padyshim do të jenë edhe më të suksesshme. Ne kemi si qëllim kryesor; Shqipëria në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike. Janë bërë hapa shumë të rëndësishme në drejtim të thithjes së investimeve, por potencialet e vendit tonë janë të jashtëzakonshme. Në hartë jemi një vend i vogël, por nëse e shohim me kujdes, Shqipëria është një vend me potenciale të jashtëzakonshme turistike, me 400 kilometra breg nga më të bukurit në Europë dhe në botë, për t'u ndërtuar. Është një vend me rezerva ujore nga më të pasurit, janë së paku 400 hidrocentrale dhe vepra të tjera për t'u ndërtuar. Është një vend shumë malor, por malet e saj janë të mbushura me depozita minerare, krom, hekur, bakër, nikel, etj të përmasave ndër më të mëdhatë. Imagjinoni që të gjitha ato që janë realizuar deri tani, janë arritur ende pa filluar të shfrytëzohen këto potenciale. Por sot është krijuar kuadri ligjor dhe fiskal dhe ka një vendosmëri të madhe për të ecur drejt shfrytëzimit të tyre.
Qeveri është angazhuar në një betejë shumë të vendosur kundër korrupsionit. Sërish ka korrupsion, por dëshiroj t’ju sjell në vëmendje disa shifra. Korrupsioni nuk është vetëm para, sigurisht, por korrupsioni është i lidhur më shumë se me çdo gjë tjetër me paranë. Për të luftuar korrupsionin ne;
Së pari, kemi nxjerrë administratën jashtë konfliktit të interesit, pasi nuk mund të përdoret pushtetit për të fuqizuar ndërmarrjen tënde private, apo të njerëzve të afërm.
Së dyti, kemi ndaluar të gjitha prokurimet direkt, ndërkohë që rreth 70 për qind e tyre ishin të tilla. Në këtë mënyrë, ne kemi arritur të kursejmë qindra e miliona dollarë. Nuk them se janë bërë perfekt, por në krahasim nga prokurimet e drejtpërdrejta, dallimi është si nata me ditën. Tani ne po kalojmë ne prokurimet elektronike, me të cilat askush nuk njeh kërkuesin dhe ofertuesin.
Së treti,po vendosim taksën on line, në mënyrë që të mos ketë asnjë pagesë midis taksapaguesit dhe taksambledhësit. Kemi vendosur disa standarde që nuk lejojnë përdorimin e shpenzimeve operative për qëllime personale dhe private, kemi arritur të shkurtojmë me 1 për qind të PBB-së shpenzimet e administratës.
Sërish ka korrupsion, por sukseset e arritura janë një garanci se ky vend do të eci para. Nëse kleptokracia ka rënë, ne do të vazhdojmë deri sa të arrijmë standardet më të mira.
Cilat janë metodat me të cilat ne luftojmë korrupsionin. Reformat dhe vetëm reformat. Sigurisht është edhe ndëshkimi. Këto reforma janë: nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit, privatizimi i të gjitha ndërmarrjeve, dixhitalizimi i të gjitha procedurave, zhvlerësimi dhe shndërrimi e tyre në një euro, apo heqja e tyre aty ku është e mundur. Kemi hequr deri tani 2/3 e licencave. Ne po bëjmë një përballje shumë serioze me këtë fenomen, që është një kancer i vërtetë, me të cilin duhet të luftojmë çdo sekondë, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë dhe për të cilën duhet të luftojë çdo qytetar shqiptar.
Sërish ka ryshfet. Ne kemi hyrë në një fushatë të jashtëzakonshme, në mënyrë që të bindim qytetarët të mos pranojnë të japin ryshfet për të marrë të drejtat e tyre. Së shpejti do të fillojmë një fushatë në të gjitha shkollat dhe të angazhojmë të gjithë fëmijët dhe nxënësit në këtë drejtim. Jam i sigurt se do të kemi rezultate.
Ne jemi përqendruar në infrastrukturë. Sot rrugët e Shqipërisë janë të tëra në ndërtim dhe ne duam t'i ndërtojmë ato, si një kusht i rëndësishëm për të shpejtuar zhvillimin e vendit.
Në tre vite kemi vjelë 3.3 miliardë dollarë më shumë se në 3 vitet e paraardhësve tanë. Ata që merren me ekonomi e dinë se rreth 200 milionë dollarë mund të jenë rritje nga inflacioni, por mbi 2.5 miliardë dollarë është e tëra shifër nga lufta kundër informalitetit, evazorëve dhe kontrabandës. Kjo ka krijuar një hapësirë shumë të madhe për të ndërtuar infrastrukturën e vendit.
Dua t'ju siguroj se ndonëse ky vend ka një trashëgimi të prapambetur në shumë aspekte, qeveria është përqendruar me gjithë potencialin e saj në arsim, në mënyrë që ta përparësojë atë mbi të gjithë sektorët e tjerë. Së pari, morëm masa që të parandalonim kolapsin në sistemin arsimor. Në tre vjet jemi detyruar të rrisim me 75 për qind rrogat e arsimtarëve, duke prishur çdo proporcion të piramidës së rrogave dhe duke i dhënë përparësi absolute arsimit. Sot ne nuk na ikën asnjë i diplomuar nga arsimi, por e tërë piramida po plotësohet me djem e vajza, burra e gra, me arsimin përkatës. Ne vendosëm maturën shtetërore. Tre vjet më parë, procesi i pranimit në universitete ka qenë procesi më i shëmtuar, bazuar i tëri në pazare. Në këta tre vjet, as Kryeministri i vendit nuk dërgon dot asnjë student në universitetet e vendit, por gjithçka përcaktohet nga pikët dhe kualifikimi.
Ne kemi qenë shumë pas për sa i përket numrit të studentëve për frymë, me rreth 4 herë më pas se vendet e BE-së. Ndaj ne liberalizuam universitetet. Këtë vit ne arrijmë shifrën 110 mijë studentë në Shqipëri, kundrejt vetëm 52 mijë që kishim në vitin 2005. Ne kemi katërfishuar investimet për shkollat e larta.
Por ne kemi menduar shumë edhe për ju, studentë që diplomoheni jashtë vendit. Kemi vendosur sistemin e brain gain-it, kemi përcaktuar bonuse për çdo master ekstra universitar që arrin deri në 250 dollarë. Kemi krijuar fondin e ekselencës, të cilin ia ofrojmë çdo të riu shqiptar. Çdo student shqiptar që do të aplikojë në 10 universitetet më të mira të botës, do të ketë bursë nga qeveria, kundrejt një kontrate 7 vjeçare për të punuar në Shqipëri. Ne kemi krijuar, si pjesë të fondit të ekselencës, doktoratën dhe masterin ekstra universitar, që është i vlefshëm për çdo shqiptar. Cilido prej jush, që pas përfundimit të studimeve mund të vijë dhe të punojë 5 vjet në Shqipëri, në sektorin ku ka studiuar, do ta ketë këtë mundësi.
Ne jemi të detyruar që 30 për qind të buxhetit ta vendosim për zhvillimin e infrastrukturës, ndërkohë që nuk ka qeveri tjetër që vendos më shumë se gjysmën e kësaj përqindjeje. Por ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mund të ecim drejt këtij zhvillimi me një infrastrukturë të botës së tretë. Megjithatë, edhe pse po realizojmë këtë, ne nuk injorojmë për asnjë çast përparësinë tonë madhore ndaj arsimit.
Edhe njëherë, ju përshëndes dhe shpreh kënaqësinë që keni ardhur në këtë takim dhe dua t'ju ftoj që pas përfundimit të studimeve të ktheheni në vend. Ftoj të gjitha institucionet, Departamentin e Administratës Publike, universitetet të jenë të hapura ndaj jush, sepse kjo është në interesin më të mirë të shoqërisë shqiptare.”