E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vlerëson rolin dhe kontributin e universiteteve dhe studiuesve në zhvillimin e vendit

Kryeministri Berisha vlerësoi rolin dhe kontributin e universiteteve dhe qarqeve akademike në zhvillimin e vendit, gjatë një pritje koktej të dhënë sot në mbrëmje, për pjesëmarrësit në konferencën shkencore, të organizuar nga Instituti Alb-Shkenca.

Kryeministri u bëri thirrje universiteteve të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur një bashkëpunim intensiv me studiuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen, për të tërhequr kontributin e tyre në shpejtimin e zhvillimit të vendit.

“Asgjë nuk mund të zëvendësojë rolin e universiteteve, katedrave dhe departamenteve në këtë bashkëpunim. Qeveria mund të marrë disa vendime, të garantojë mbështetje financiare, por universitetet dhe qendrat kërkimore-shkencore janë institucionet që mund të krijojnë një tërësi me ju (studiuesit), kudo që ndodheni. Unë kam dëshirë që ju, të gjithë të jeni në Tiranë, por kam shumë mirëkuptim me ju përse nuk jeni këtu. Ndaj të punojmë on-line, me vizita periodike, të punojmë me ata që mundën të rikthehen, të punojmë si një tërësi në mënyrë që vendi të arrijë të shpejtojë zhvillimin,” u shpreh Kryeministri.

Më tej, në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë pritje dhe të shpreh kënaqësinë si dhe vlerësimin tim të madh për punën tuaj, organizimin e suksesshëm në Tiranë, të kësaj konference, me rëndësie kombëtare.

Profesor Niko Qafoku, një bashkëpunëtor i hershëm imi, përkushtimin që ka për shkencën e dëshmoi edhe në organizimin e këtij Instituti (Alb-Shkenca) shumë të çmuar dhe të rëndësishëm, qëndrimin ndaj të cilit do ta përshtatin një seri institucionesh shqiptare, Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, universitetet, Akademia e Shkencave etj.. Është në detyrimin tonë të mbështesim të gjithë përpjekjet tuaja, të mbështesim veprimtarinë tuaj kërkimore shkencore, të mbështesim botimet tuaja, të lehtësojmë bashkëpunimin tuaj, lidhjet me Shqipërinë, me Kosovën, me botën shqiptare në tërësi. Unë jam shumë optimist. Për shumë e shumë vite, ndoshta qëkur lexova për herë të parë fjalën e Martin Luter King, në të cilën thoshte ‘kur negri i fundit do të këndojë këngën e lirisë’, unë, në mendjen time kisha ‘kur shqiptari i fundit do të këndojë këngën e lirisë.’ Sot, shqiptarët janë të lirë dhe njerëzit e lirë mund të arrijnë horizontet dhe t’i kthejnë ato në realitet. Njerëzit e lirë mund të formojnë të ardhmen e tyre. Njerëzit e lirë shfrytëzojnë pasuritë e lirisë për të ndërtuar shoqërinë mbi vlerat e saj, për të ndërtuar të ardhmen. Në këtë kontekst, arsimimi, shkenca, kërkimi shkencor janë absolutisht shtyllat më kryesore në të cilat duhet të bazohet dhe të garantojë një shoqëri për të shfrytëzuar pasuritë e mëdha të saj, pasuritë e lirisë dhe të gjitha pasuritë e tjera.

Kam kaluar shumë vite në universitet. Edhe si ish pedagog, edhe si Kryeministër do t’u bëja thirrje universiteteve shqiptare që të bëjnë çdo përpjekje për të vendosur një bashkëpunim intensiv me studiuesit shqiptarë kudo që ata ndodhen. Asgjë nuk mund të zëvendësojë rolin e tyre, të katedrave dhe departamenteve në këtë bashkëpunim. Qeveria mund të marrë disa vendime, të garantojë mbështetje financiare, por universitetet dhe qendrat kërkimore-shkencore janë institucionet që mund të krijojnë një tërësi me ju, kudo që ndodheni. Unë kam dëshirë që ju të gjithë të jeni në Tiranë, por kam shumë mirëkuptim me ju përse nuk jeni këtu. Ndaj të punojmë on-line, të punojmë me vizita periodike, të punojmë me atë që mundën të rikthehen, të punojmë si një tërësi në mënyrë që vendi të arrijë të shpejtojë zhvillimin.

Më lejoni të ndalem në disa aspekte të këtyre tre viteve. Shqipëria ishte vendi më i pasigurt në rajon dhe vuante shumë nga mungesa e saj, ndërsa sot, ajo është ndër vendet më të sigurta jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Shqipëria ishte vendi me pasuri mahnitëse, por me atraksionin më të ulët të investitorëve të huaj. Shqipëria ishte vendi me barrën fiskale më të lartë dhe sot, është vendi me barrën fiskale më të ulët dhe një nga vendet më tërheqëse për investimet. Këto ditë po lexoja analizën e Oxford Analitica dhe në tërësi të dhënat qëndrojnë, por një shifër e kishin të vjetër. Sipas tyre, paga mesatare në Shqipëri është 220 dollarë, por në fakt në sektorin publik ajo është 502 dollarë. Nuk mund të them se është kaq edhe në sektorin privat, për shkak të një transparence jo tërësisht të plotë që ky sektor ka, por nuk besoj të jetë ndjeshëm më e ulët se në sektorin publik. Është e vërtetë se ajo ka qenë 220 dollarë, por para tre vjetësh.

Shqipëria ishte shumë e ngadalësuar në procesin e integrimit dhe sot, ka arritur normalen në këtë proces. Shqipëria shpreson të bëhet anëtare e plotë e NATO-s dhe ky është një nga aktet historike më madhore të shqiptarëve dhe ecën drejt procesit të integrimit në BE, duke punuar me shumë përkushtim për ato standarde, të cilat i kanë bërë qytetarët e vendeve të tjera më të lirë dhe me një të ardhme më të mirë.

Në të gjithë këto zhvillime, roli i universiteteve është i pazëvendësueshëm. Po ashtu roli i Akademisë së Shkencave, e cila po kompleton reformimin e saj të plotë, është i pazëvendësueshëm.

Dëshiroj edhe një herë t’ju falënderoj për këtë organizim të shkëlqyer dhe ju siguroj se qeveria do t’ju mbështesë fuqishëm dhe me interes shumë të madh, sepse keni arritur të angazhoni në tërësi mendjet më të shquara dhe të tjera do t’ju bashkëngjiten.”  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›