Kryeministri Berisha: Viti parlamentar 2008 i dha vendit reforma të mëdha
- Kryeministri Berisha theksoi se viti 2008 për deputetët dhe parlamentin shqiptar ka qenë më i rëndësishmi në 15 vitet të fundit .
- Kryeministri Berisha: Këtë vit parlamenti i dha vendit reforma të mëdha, reformën e kushtetutës, ndryshimin e sistemit zgjedhor, reformën e sistemit të drejtësisë, si dhe reforma të mëdha në ekonomi.
Nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua sot mbledhja e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Duke iu uruar deputetëve suksese në këtë sesion të ri të legjislaturës, Kryeministri vuri në dukje se viti 2008 ka qenë për deputetët dhe parlamentin shqiptar më i rëndësishmi në 15 vitet e fundit. “Këtë vit parlamenti i dha vendit reforma shumë të thella, të mëdha, reformën kryesore, reformën e kushtetutës, ndryshimin e sistemit zgjedhor, reformën e sistemit të drejtësisë, si dhe reforma të mëdha në ekonomi. Duke mos injoruar aspak se tani kemi hyrë në një vit elektoral duhet të theksoj se veprimtaria e parlamentit është e një rëndësie përcaktuese për suksesin e reformave të ndërmarra dhe thellimin e tyre të mëtejshëm.”
Duke ftuar deputetët të dëshmojnë angazhim dhe përkushtim maksimal në këtë sesion të diskutimit të një seri ligjesh të rëndësishme për vendin, Kryeministri renditi si përparësi ligjin për kodin zgjedhor, për të cilën shprehu vendosmërinë e bashkëpunimit me opozitën.“Komisioni zgjedhor ka vazhduar punën në nivel ekspertësh edhe gjatë periudhës së pushimeve. Komunikimi ka qenë i pandërprerë midis palëve. Është shumë e rëndësishme ta konkretizojmë këtë ligj bazë të vendit dhe të shoqërisë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që ti jepet kohë institucioneve përgjegjëse për përvetësimin dhe zbatimin e tij sa më të sigurtë dhe të paanshëm.”
Duke theksuar zotimin e qeverisë për të garantuar një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, Kryeministri Berisha informoi se një punë e konsiderueshme është bërë në drejtim të kompletimit të infrastrukturës së domosdoshme për këtë qëllim.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe është punuar pandërprerë në sistemin e adresave, në sistemin e kartave të identitetit, në regjistrin e gjendjes civile, pra në të gjithë infrastrukturën e domosdoshme për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm dhe ne mbetemi totalisht të përkushtuar në këtë aspekt.”
Ndër të tjera, Kryeministri evidentoi si një ligj shumë të rëndësishëm ligjin për heqjen e imunitetit, i cili barazon politikanët dhe zyrtarët shqiptarë me qytetarët e thjeshtë në raport me krimin e zakonshëm dhe korrupsionin. Duke theksuar se do të ishte në dinjitetin dhe detyrimin e parlamentit, votimi i këtij ligji me konsensus nga të gjitha palët, Kryeministri e quajti të pavend shqetësimin e opozitës se lufta kundër korrupsionit mund të përdoret për qëllime politike.
“Hezitimin e mëparshëm të opozitës e kam interpretuar si një ndrojtje të tyre se lufta kundër korrupsionit mund të përdorej për qëllime politike, por ne u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se nuk e kemi përdorur dhe nuk e përdorim këtë luftë për qëllime politike. Shqipëria e ka të domosdoshme heqjen e mburojës së imunitetit për cilindo zyrtar dhe qytetar të këtij vendi.” tha kryeministri.
Kryeministri nënvizoi se vetëm një vend që nuk pranon të ketë barriera të tilla dëshmon totalisht vullnetin e hekurt për të luftuar me efiçencë korrupsionin. “Është hipokrizi të flasësh çdo ditë për korrupsionin dhe të mbash imunitetin tënd. Dhe imuniteti ka rregulla se si hiqet, nuk mbrohet as me deklarata të njëanshme, nuk është i asnjë personi, por është i një institucioni dhe ai hiqet me ligje.”
Kryeministri u shpreh se janë dhe një seri ligjesh shumë të rëndësishme në kuadrin e MSA-së , të cilat duhet të miratohen sa më shpejt të jenë e mundur në Parlament. I tillë është ligji për prokurorinë, vijoi më te tej kryeministri, i cili ju siguroj ju se pavarësisht nga komentet se do të jetë i standardeve më të mira, sepse kjo mazhorancë është thellësisht e përcaktuar për standarde demokratike.”
Në fjalën e tij Kryeministri veçoi të një rëndësie të veçantë ligjin për pastërtinë e figurave të zyrtarëve publik, duke e cilësuar atë si një hap me të cilin Shqipëria do të ndahet nga e shkuara e diktaturës.
“Shqipëria ka patur diktaturën më të egër të pakrahasueshme me asnjë vend tjetër të Evropës ish komuniste. Kjo është e vërteta. Ka patur gulaget më të egra dhe më të shumta se çdo vend tjetër i Evropës ish komuniste. Ka patur ekzekutimet pa gjyq më të mëdha se çdo vend tjetër, ka patur sistemin më të organizuar te torturave, si dhe të ndjekjes dhe persekutimeve. Megjithatë modeli që ne kemi përzgjedhur për këtë ligj nuk është as modeli gjerman, i cili përjashton nga detyra një numër të gjerë profesionesh, nuk është as modeli polak, i cili hap procese gjyqësore për të gjithë ata të cilët kanë dënuar, hetuar për bindje politike, në secilin rast, nuk mund të jetë model dosido sepse kjo është që të tallesh me popullin që pati rreth një të katërtën e qytetarëve të tij të persekutuar. Ndaj dhe u zgjodh modeli cek me disa modifikime të diktuara nga koha dhe që janë normale.”
Edhe për këtë ligj, kryeministri Berisha kërkoi bashkëpunimin e opozitës, duke e ftuar atë të mos bëhej padashur mbrojtëse e një të kaluare të hidhur për vendin. “Do të ishte një gabim historik për opozitën po të mos bashkohej dhe të ndahej, duke bërë gardianin e asaj trashëgimie tmerrësisht të hidhur. Në këtë mënyrë ajo do të dëshmonte se vetëm emrin ka ndryshuar dhe të tjerat kanë mbetur, çka unë nuk besoj se do të ishte ne interesin e saj dhe të shoqërisë shqiptare.”