Kryeministri Berisha: Diplomacia ekonomike duhet të marrë përparësi dhe epërsi

Kryeministri Berisha përshëndeti sot punimet e “Konferencës së Ambasadorëve 2008”, e cila zhvillohet në Hotel “Tirana International”.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se viti 2008 është vit i ndryshimeve të mëdha historike për kombin shqiptar dhe në gjithë këto arritje diplomatët shqiptarë janë një element cilësor i tyre. “Çdo shqiptar ka të drejtë që vitin 2008 ta quajë një vit të bardhë, një vit të madh në historinë e vendit dhe kombit të tij. Këtë vit Shqipëria, nga një prej ish vendeve më të izoluara të botës dhe vendit që përjetoi diktaturën orwelliane ia doli të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në sajë të reformave të mëdha, në sajë të transformimeve të mëdha në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të tregut”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se “më datë 3 prill 2008 udhëheqësit e vendeve anëtarë të NATO-s votëbesuan reformat e vendit”.
Duke vlerësuar se reformat kanë qenë dhe mbeten promotori i arritjeve, Kryeministri theksoi se një rëndësi të madhe ka pasur dhe solidariteti i jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike, të cilat ndihmuan Shqipërinë me miliarda euro dhe dollarë.
“Pa këtë solidaritet, pa këtë bujari dhe këtë ndihmë Shqipëria nuk do të mund të ishte kjo që është sot”, u shpreh kryeministri, ndërsa shprehu mirënjohje ndaj gjithë këtyre vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare.
Më tej, Kryeministri u ndal sërish në rolin e diplomacisë shqiptare në botë, duke që misionet diplomatike të shndërrohen në misione të diplomacisë ekonomike. “Diplomacia ekonomike duhet të marrë përparësi dhe epërsi”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha u shpreh se viti 2008 është një vit historik për shqiptarët pasi Kosova u bë e pavarur. “Pavarësia e Kosovës shënon kalimin përfundimtar nga shtypja në liri. Sot kombi shqiptar kudo që jeton është një komb i lirë dhe ndërton të ardhmen e tij bazuar në vlerat e lirisë”, u shpreh Kryeministri, duke shtuar se diplomacia shqiptare do të vazhdojë të mbrojë dhe të promovojë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Fillimin e punimeve të kësaj konference të përvitshme e përshëndeti sot edhe ministri i Punëve të Jashtme të Italisë z.Franko Frattini.
Ndër të tjera kryeministri Berisha, u shpreh;
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht ju dhe ekipet tuaja për punën e çmuar dhe kontributin e rëndësishëm që dhatë gjatë këtij viti, i cili për Shqipërinë dhe shqiptarët është vit i ndryshimeve të mëdha historike.
Çdo shqiptar ka të drejtë që vitin 2008 ta quajë një vit të bardhë, një vit të madh në historinë e vendit dhe kombit të tij. Këtë vit Shqipëria, nga një prej ish vendeve më të izoluara të botës dhe vendit që përjetoi diktaturën orwelliane ia doli të marrë ftesën për anëtarësim në NATO në sajë të reformave të mëdha, në sajë të transformimeve të mëdha në rrugën e ndërtimit të demokracisë dhe të tregut, në sajë të reformimit të Forcave të Armatosura, në sajë të bashkëpunimit të ngushtë me vendet anëtarë të NATO-s dhe të bashkëpunimit të ngushtë në kuadër të Kartës “Adriatik 3”. Më datë 3 prill 2008 udhëheqësit e vendeve anëtarë të NATO votëbesuan reformat e vendit. Puna juaj ka qenë e një rëndësie të dorës së parë në paraqitjen, promovimin dhe qartësimin e zhvillimeve të Shqipërisë në vendet ku ju jeni të akredituar.
Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO vazhdon normalisht. Brenda një kohe të shkurtër përfunduan negociatat në Bruksel dhe përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të saj, nënshkruan Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë. Nga 9 korriku deri më tani janë tetë vende që kanë ratifikuar Protokollin. Në datë 24 tetor, një moment kulmor ky ndërmjet SHBA-ve dhe Shqipërisë, Presidenti Bush firmosi ligjin e votuar në unanimitet nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Këtë ligj e ka ratifikuar Hungaria, Lituania, Letonia, Polonia, Bullgaria, Rumania, Sllovakia, të cilave u jemi shumë mirënjohës. Ndërkohë vende të tjera janë në proces e sipër të ratifikimit të Protokollit.
Përpjekjet tona do të vazhdojnë në kursin e reformave për të konsoliduar dhe zhvilluar më tej të gjitha standardet, kriteret dhe normat e një vendi anëtar të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Promovimi i tyre në vendet anëtare është një kusht i domosdoshëm, në mënyrë procesi të kompletohet brenda një kohe sa më të shkurtër që të jetë e mundur.
Viti 2008 ishte një vit shumë i madh për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë vit ata u shkëputën nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta dhe u vendosën në grupin e vendeve me të ardhura të mesme. Në rast se kujtojmë shembja e “murit të Berlinit” në Tiranë e gjeti Shqipërinë njërin nga katër vendet më të varfra të planetit, e gjeti në një mjerim të thellë në shumicën e popullatës, e gjeti Shqipërinë në një lëngatë të pashembullt në historinë e saj të hiperkolektivizmit total dhe sistemi skllavërues totalitar. Sot, Shqipëria nuk i përket më grupit të vendeve me të ardhura të ulëta, por i përket grupit të vendeve me të ardhura të mesme dhe është një Shqipëri krejtësisht tjetër.
Në gjithë këto arritje reformat kanë qenë dhe mbeten promotori i saj. Por, një rëndësi të madhe ka pasur dhe solidariteti i jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar institucionet ndërkombëtare dhe vendet mike, të cilët ndihmuan Shqipërinë me miliarda euro dhe dollarë. Pa këtë solidaritet, pa këtë bujari dhe këtë ndihmë Shqipëria nuk do të mund të ishte kjo që është sot. Ky është një rast i veçantë për të shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që bënë të mundur këtë kalim të Rubikonit për Shqipërinë dhe shqiptarët, të gjithë institucioneve ndërkombëtare, Komisionit Evropian, Bankës Botërore, vendeve mike si Italisë, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Francës dhe të gjithë atyre vendeve që me bujari ndihmuan Shqipërinë dhe lehtësuan rrugën e saj në këtë transformim epokal.
Viti 2008 është një vit historik për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kosova u bë e pavarur. Pavarësia e Kosovës ka qenë kusht themelor për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Pavarësia e Kosovës shënon kalimin përfundimtar nga shtypja në liri. Sot kombi shqiptar kudo që jeton është një komb i lirë dhe ndërton të ardhmen e tij bazuar në vlerat e lirisë.
Në këtë kontekst rezistenca dhe qëndresa një shekullore e qytetarëve të Kosovës është legjendë e qëndresës njerëzore për liri dhe dinjitet. Natyrisht, kjo u bë e mundur sepse ata me qëndresën dhe me përpjekjet e tyre i’a dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrat e udhëheqësve të kombeve të lira, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe shumë vendeve të tjera.
Shqipëria dhe diplomacia shqiptare ka qenë në krye të përpjekjeve për promovimin e kësaj çështje të drejtë. Sot, Kosovën e kanë njohur vetëm 52 vende, por dua t’ju siguroj se asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës si një akt armiqësie ndaj kombit serb apo si favor ndaj shqiptarëve. Këto kombe e kanë njohur Kosovën sepse janë të bindura se kjo është rruga më e sigurt për të kontribuar në stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ne kemi mirëpritur njohjen e fundit nga Maqedonia, Mali i Zi, Portugalia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Mali i Zi dhe Maqedonia kanë kontribuar qartësisht në pavarësinë e Kosovës dhe ky kontribut përbën një trashëgimi të shkëlqyer për marrëdhëniet më miqësore në këtë rajon. Emiratet e Bashkuara u bënë vendi i parë arab që njohu pavarësinë e Kosovës dhe ne u jemi shumë mirënjohës. Shpresojmë që vende të tjera mike arabe në përputhje me vullnetin e tyre, jam i sigurt se ato kanë kontribuar dhe duan të kontribuojnë në paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit, gradualisht do të marrin vendimet e duhura. Diplomacia shqiptare ka mbrojtur dhe do të mbrojë, ka promovuar dhe do të promovojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Natyrisht, qëndrimi ndaj pavarësisë së Kosovës nuk kushtëzon qëndrimin e Shqipërinë në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ne përpiqemi t’i zhvillojmë këto marrëdhënie në mënyrën më miqësore dhe ky është një qëndrim i pandryshueshëm i politikës tonë.
Viti 2008 ishte një vit i madh për ne, por ky vit shtron detyra të mëdha ndaj nesh. Detyra më madhore për diplomacinë shqiptare është ndryshimi. Kërkohet një ndryshim i thellë. Misionet tona diplomatike duhet të shndërrohen në misione të diplomacisë ekonomike. Diplomacia ekonomike duhet të marrë përparësi dhe epërsi. Natyrisht që kjo nuk është e thjeshtë. Unë jam i vetëdijshëm se shumë nga ju kanë nisur këtë rrugë dhe kanë dhënë kontribut të vërtetë, por sërish, dua të jem i hapur me ju, jemi larg këtij objektivi që është kusht vendimtar që ju të mbroni interesin kombëtar të Shqipërisë. Jemi larg, por për të shënuar këtë ndryshim, ashtu si çdo ndryshim tjetër, duhet të ndryshojmë veten.
Ambasadori duhet të ndryshojë veten e tij dhe nga punëtor politik duhet të shndërrohet në punëtor ekonomik, nga puna politike duhet të përqendrohet në punën ekonomike. Ministria e Jashtme nuk është e organizuar në këtë formë, por do ta organizojmë tërësisht në modelin më të mirë.
Të nderuar ambasadorë,
Nuk ka rrugë më të sigurt që ju të kontribuoni për formësimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet vendeve tona sesa bashkëpunimi ekonomik. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ju do të jeni të aftë të keni rendimentin më të lartë në marrëdhëniet politike ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve ku ju jeni të akredituar. Kjo kërkon një ndryshim rrënjësor të sistemit të punës tuaj. Ju duhet konsideroni veten task-forcë. Ju duhet të krijoni task-forcën, të kryesuar nga ambasadori dhe duke përfshirë të gjithë stafin e ambasadës, duhet të keni një plan të qartë veprimi në veprimtarinë tuaj ekonomike. Ju mund ta quani diplomaci ekonomike, diplomaci të tregut apo diplomaci tregtare, por nuk ka rëndësi emërtimi, rëndësi ka që në rrymën kryesore të punës tuaj kjo duhet të përbëjë përparësinë më madhore.
Ju mund të thoni me të drejtë se çfarë task-force të krijojmë kur unë kam vetëm dy apo tre vetë personel, por kjo nuk qëndron. Në këtë task-forcë ju mund të angazhoni shumë nga shqiptarët, të cilët punojnë dhe jetojnë në vendin ku ju jeni dhe mund të kenë arritur rezultate shumë të mira në biznese apo fusha të tjera. Në këtë task-forcë ju mund të angazhoni shumë nga qytetarët e atyre vendeve mike të Shqipërisë që duan të ndihmojnë në zgjerimin dhe bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve. Por, edhe kjo kërkon që ju të përparësoni problemin ekonomik. Ministria të përparësojë rekrutimin e ekonomistëve në Shërbimin Diploamtik. Diplomatët, të gjithë ata që kanë mundësi, të angazhohen për të kryer studimet Master në fushën e ekonomisë. Në një botë që ndryshon edhe ne do të ndryshojmë.
Zotërinj ambasadorë,
Kjo kërkon që në axhendën tuaj të përditshme takimet me botën e biznesit të jenë konstante. Unë çdo ditë pres nga një deri në pesë kompani, të cilëve u jap siguri dhe u them se do të bëjë çmos për sigurinë tuaj. Unë kam dy- tre ndihmës, i marr të gjitha koordinatat dhe herë pas herë u telefonojmë avoketërve të tyre, u telefonojmë përfaqësueseve të tyre dhe ndonjëherë vetë ata. Këtë mund ta bëni dhe ju, sepse keni përgjegjësi ndaj atij që e prisni dhe që adresoni drejt vendit tuaj. Për çdo gjë ju mund të njoftoni Kryeministrin, ministrin apo ndonjë agjenci tjetër. Duhet të bëhet e pamundura për suksesin e tij. Suksesi i tij në Shqipëri është suksesi juaj. Shqipëria më shumë se për çdo gjë tjetër ka nevojë për investime të huaja.
Në veprimtarinë tuaj ekonomike është tërheqja e investimeve, por edhe promovimi i turizmit dhe imazhit të vendit. Imazhi është çështje kryesore. Në vijmë nga e panjohura dhe nuk duhet të mendojmë se në Evropë ka vend më të panjohur se Shqipëria. Ne duhet të nisemi nga kjo referencë dhe duhet të bëjmë çdo gjë që Shqipëria të njihet sa më mirë në Evropë dhe në botë. Kjo kërkon që të jeni shumë aktiv me median, me qarqet ekonomike, me ekspertë të fushave të ndryshme. Mos harroni se mendimi zyrtar nuk është kurrë në një vale me mendimin real sepse mendimi zyrtar ka dhe një lloj vetë kufizimi. Mendimin e vërtetë duhet ta kërkojnë te qytetarët atij vendi, tek afaristët e atij vendi, tek studiuesit e atij vendi dhe do të punojmë me vendosmëri për imazhin. Imazhi është shumë delikat. Edhe në rast se sot ke një imazh të shkëlqyer, nesër mund të bjerë ky imazh për dy apo tre arsye. Është në detyrën tuaj të konsideroni vetën agjenci për imazhin e vendit. Por, sërish njohuritë tuaja ekonomike janë të pazëvendësueshme për të përmbushur këtë detyrë. Ju në ditarin tuaj do të keni të gjitha të dhënat ekonomike për vendin ku jeni, për importet, eksportet, taksat, rrugët se si zgjidhen kundërshtitë, të njihni praktikat më të mira të vendit ku jeni, por duhet të njihni dhe praktikat e vendit tuaj. Ju duhet të sugjeroni se çfarë duhet të bëjmë më mirë ne.
Gjatë vizitës time në Japoni përfaqësuesi i ynë kishte bërë një punë të shkëlqyer dhe mund t’ju them se me ketë punë kontribut të jashtëzakonshëm dha konsulli shqiptar në Tokio, i cili kishte lidhje të jashtëzakonshme në botën e biznesit, në botën e medias, etj.. Ndaj ne duhet të përzgjedhim konsujt, të cilët duhet të jenë njerëz me influencën më të madhe të mundshme. Duhet të punojmë me grupet parlamentare të miqësisë, duhet të organizojmë udhëtime. Pra, ndryshimi është kërkesa më e madhe për ne sepse kushtet e reja shtrojnë detyra të reja para diplomacisë shqiptare. Unë kam besimin më të madh se ju do ta përmbushni me dinjitet misionin tuaj. Kjo nuk është risi për ju sepse unë njoh mirë aktivitete shumë të rëndësishme të këtij aspekti që keni organizuar në metropolet e vendeve ku jeni. Kjo përbën një barrë shumë të madhe, por kërkon një ndryshim rrënjësor të diplomacisë shqiptare, e cila në tërësinë e vetë duhet të shndërrohet në një diplomaci ekonomike. Procesi i integrimit është mënyra më e sigurt për t’i shërbyer këtij procesi.
Në qoftë se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, ministri i Jashtëm i Kosovës dhe ai i Maqedonisë do të mblidhen së bashku dhe i dërgojnë një letër Brukselit se do të përfaqësojnë me rotacion vendet tona, kjo mendoj se do të konsiderohet një risi. E them këtë sepse në procesin e integrimit ne kemi një roadmap dhe ky është një program jo vetëm për ministrinë e Jashtme, por për të gjitha ministritë. Pra, shtyllë kryesore krahas kritereve të Kopenhagenit janë Acqui Communautaire, janë liria e tregut dhe standardet e partneritetit evropian. Në të gjitha këto ju keni një vend shumë të rëndësishëm.
Unë dua t’ju falënderoj ju për punën e mirë që keni bërë sepse në gjithë këto arritje ju jeni një element cilësor i tyre. Unë kam shumë besim në arritje të tjera shumë të mëdha, me të cilat ne do ta vendosim Shqipërinë në vendin që meriton. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, megjithë arritjet që kemi pasur. Rruga është e gjatë, vështirësitë janë serioze, por ne kemi vullnet për t’i ndryshuar gjërat dhe për të ecur drejt objektivave tona”.
27/10/2008