E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me qytetarë të Vorës dhe Kasharit

-          Në këto katër vite në Vorë kemi investuar 38 herë më shumë se qeveritë socialiste

-          Kashari është komunë me 2 mijë biznese dhe është më i urbanizuar se një pjesë e mirë e lagjeve të Tiranës. Do ta shpallim Kasharin bashki.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Vorës. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Vorës.

Përshëndetjet më vëllazërore për ju. Shpreh kënaqësinë më të madhe që takohemi sot në këtë shesh si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s. takohemi në këtë shesh, pasi këto katër vite kanë qenë vite transformuese për qytetin tuaj. Në këto katër vite ne kemi investuar në Vorë, vetëm në Vorë, 38 herë më shumë se qeveritë socialiste, pa llogaritur këtu zonën e dëmtuar nga eksplozioni. Në bashkinë e Vorës kemi ndërtuar 26 kilometra rrugë, kemi ndërtuar 10 ujësjellës, 3 shkolla dhe kemi rindërtuar rrjetin elektrik.

Por unë jam sot këtu për t’u zotuar sot para jush se Kryetarin tuaj të Bashkisë, një nga qeveritarët vendor më të aftë dhe më të përkushtuar  të këtij vendi, do ta ndihmoj dhe do t’i financoj çdo projekt për ju.      

Këtu tek ju, këto ditë inaugurojmë së bashku bypass-in e Vorës, një nga rikonstruksionet më të rëndësishme të metropolit të Shqipërisë.

Qeveria ime do të urbanizojë tërësisht bashkinë tuaj, do të asfaltojmë çdo pëllëmbë rruge të kësaj bashkie. I garantoj fermerët e Vorës se do të subvencionoj çdo rrënjë ullinj që ata do të mbjellin, pa asnjë kufizim. I garantoj ata se do të subvencionoj të gjitha  imputet dhe akcizën e naftës për sipërfaqet e mbjella. Do të financoj çdo projekt të tyre për nxitjen e prodhimit.

Ne që dyfishuam pensionet tuaja, ju garantoj se do t’i barazojmë ato me qytetin, ju garantoj se ato do të jenë më të larta se ato të qytetarëve, jo vetëm të 2 vendeve anëtare të BE-së, siç janë tani, por të 6 vendeve anëtare të BE-së.

Qytetarë të Vorës,

Dita e fitores së madhe po afron. Shfrytëzoj rastin për të ftuar të gjithë qytetarët e kësaj bashkie, për të ftuar socialistët e kësaj bashkie, të bashkohen me ne, në projektin tonë të madh të Vorës europiane, të Shqipërisë europiane. Me ne ju bashkon ky projekt i mahnitshëm për ne dhe për fëmijët tanë. Me ne ju bashkon rritja e pensioneve dhe rrogave, me ne ju bashkon urbanizimi i plotë i Vorës dhe mbarë Shqipërisë, me ne ju bashkon infrastruktura moderne për Vorën dhe Shqipërinë. Me Edi Ramën ju ndajnë njëmijë e një gjëra dhe nuk ju bashkon asgjë me të, nuk ju bashkon asgjë me moralin e tij, me cinizmin e tij, me arrogancën e tij.

Qytetarë të Vorës,

Në këtë bashki ndodhi një aksident nga  më tragjikët. Qeveria ime dhe qeveria vendore bëri çdo përpjekje  për t’i dhënë asaj zone pamjen që ka sot.  Drejtësia shqiptare shpresoj dhe do të thotë fjalën e saj për gjithçka. Por unë nuk do ta harroj kurrë një moment. Ky moment nuk është ai kur njerëzit e tij në media zgërdhiheshin nga qejfi sepse dilnin nga flakët kufomat e qytetarëve të kësaj zone. Jo. Ky moment nuk është ai, kur bridhnin shtëpi më shtëpi për të blerë dëshpërimin e qytetarëve dhe për ti nxjerrë ata në rrugë. Jo. Ky moment ka ndodhur në këtë fushatë elektorale. Një natë që nuk do ta harroj kurrë, në një debat televiziv midis deputetëve të Durrësit, grupi i 99-shave të Edi Ramës brohorisnin në sallë “Gërdec, Gërdec, Gërdec”. I them Edi Ramës se me 99-shat e tu, me këta naziskinë që i lejojnë  vetes  të brohorasin për shpirtrat e vdekur, ti nuk ke dhe je i zhveshur nga çdo moral njerëzor, je më lakuriq sesa ke dalë në plazhet e botës. Ndaj dhe asnjë votë për të. Le të bashkohemi të gjithë në këtë projekt, sepse me ne do shkojmë drejt Europës, me ne do të liberalizojmë plotësisht vizat, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, sepse me ne është mbarë Europa, e cila 10 ditë më parë votoi blu, ashtu siç do votoni ju.

Qytetarë të Vorës,

 Ftesa ime për secilin prej jush këtu është; në datën 26 qershor të gjithë të jemi në sheshin Skënderbej, për të festuar fitoren e madhe, në datën 28 të gjithë të shkojmë në kutitë e votimit, të votoni 10-ën, ju jeni 10-a, familjet tuaja janë 10-a, qyteti juaj është 10-a, Shqipëria është 10-a, Partia Demokratike është 10-ta, Europa Blu është 10-a”.     

* * *

Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në një takim me qytetarë të Kasharit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur banorë të komunës Kashar,

Së pari shpreh nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për ju, për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dhatë qeverisë sime, për votën  dhe besimin tuaj. Unë shpreh kënaqësinë që mblidhemi së bashku në këtë shesh pasi në katër vite kemi realizuar ëndrrën tonë atlanciste, jemi bërë anëtarë të NATO-s, jemi qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, pasi kemi vendosur Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike në Europë, në kohën e krizës më të thellë ekonomike globale, pasi kemi bërë Kasharin, Tiranën, Shqipërinë, vendin më tërheqës për investimet e huaja. Kemi krijuar 80 mijë vende pune në katër vite. Vetëm Kashari numëron sot mbi 2 mijë biznese.

Të dashur qytetarë të Kasharit,

Unë kam edhe një mirënjohje tjetër të veçantë për ju që nuk do júa harroj ndonjëherë. Ishit ju, qytetarë të kësaj komune, që disa muaj më parë i dhatë turpin që meritonte Edi Rama. Në fakt, ky zotëri që nuk i ka për asgjë turpet njerëzore duhet ta dijë mirë se më keq sesa të kanë zhveshur lakuriq qytetarët e Kasharit, nuk të ka zhveshur njeri dhe nuk e ke zhveshur ndonjëherë veten tënde. E nxorët të katërtin dhe e turpëruat, sepse i treguat atij se me Kodin Moral të shqiptarëve  nuk mundtë tallesh kurrë dhe nuk mund ta manipulosh kurrë.

Unë shpreh kënaqësinë se këtu janë investuar 20 miliardë lekë, janë ndërtuar 40 kilometra rrugë, por jam këtu për t’ju dhënë fjalën se edhe sikur 400 kilometra të kishit në këtë zonë, që të gjitha do tí asfaltonim gjatë katër viteve që vijnë.

Jemi mbledhur këtu në këtë kompleks madhështor arsimor të komunës suaj. Ja se si i keni ju shkollat. Unë ju garantoj se në çdo fshat të kësaj komune do të ndërtojmë shkolla të tilla.

Zoti Kryetar i kësaj komune, do ta shpallim Kasharin bashki. Absolutisht po. Ju jeni komunë me 2 mijë biznese, ju jeni më të urbanizuar se një pjesë e mirë e lagjeve të Tiranës, sepse kryetari atje ka vetëm qendrën dhe për të tjerat nuk pyet. Por shikoni se si punon qeveria vendore këtu. Edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës ia kemi rritur fondet, ia kemi 5 fishuar fondet.

Jam sot para jush për të kërkuar votën tuaj dhe për t’ju dhënë fjalën se me këtë besim dhe me këtë votë ne do të ndërtojmë  projektin më të bukur të jetës sonë, projektin e Kasharit europian, projektin e Shqipërisë europiane. Jam këtu për t’u zotuar se, ju dhe mbarë shqiptarët, me këtë projekt, do të kenë kushte jetese të barabarta me qytetarë të një numri të caktuar vendesh anëtare të Bashkimit Europian, se ju do të merrni rroga dhe pensione më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së, se ju do të keni standarde më të larta të arsimit dhe të shërbimit shëndetësor, infrastrukturën më modern, kushtet më të mira për biznesin.

Ne i kemi së bashku raportet të ndershme dhe të drejta. Ne premtojmë dhe realizojmë atë që premtojmë. Projekti europian nuk është një projekt i thjeshtë por absolutisht ne që arritëm në katër vite të dyfishojmë pensionet, ne që arritëm të asfaltojmë rreth 6 mijë kilometra rrugë në këtë vend, të ndërtojmë korridorin e kombit, ne që e nxorëm Shqipërinë në krye të rritjes ekonomike, ne do të shndërrojmë në realitet ëndrrën tonë europiane.

Ju bëj thirrje të gjithë socialistëve të Kasharit që le të bashkohen me ne, sepse projektin europian ne e duam për të gjithë. Ajo është ëndrra më e bukur e çdo shqiptari, por është edhe projekti më i merituar për çdo shqiptar, për çdo fëmijë e familje shqiptare. Le të bashkohen me ne, sepse kryetari i tyre, me një vendim të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore, ju thotë juve dilni në garë, kurse vet fshihet pas tavolinës.  Ky zotëri, të nderuar socialist, që ka dy vjet që u thotë “përtej të majtës dhe përtej të djathtës” dhe ju, me shumë të drejtë, prisni se çfarë do të dalë, por në fund  nuk doli as e majta e as e djathta, por 99-shat e lejeve të ndërtimit.

99-shat ai le t’i mbajë për vete, ndërsa ne le të bashkohemi në projektin tonë, sepse me votën tonë më 28 qershor ne do t’u dëshmojmë shqiptarëve, Europës dhe botës, se jemi burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat që do të ndërtojmë me mund, djersë dhe përkushtim Shqipërinë europiane.

Në datën 26 qershor, të gjithë siç jeni këtu ejani në sheshin Skënderbej, për të kënduar fitoren, për të festuar fitoren. Ju bëj thirrje gjithashtu, të merrni të gjithë letërnjoftimet dhe në datën 28 qershor, të votoni 10-ën, 10-a është më e mira, secili prej jush është 10-a, 10-a janë fëmijët tuaj, familjet tuaja, 10-është Kashari, 10-a është Shqipëria, 10-a është Europa blu”.


17/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›