Kryeministri Berisha takohet me banorë të Ishmit dhe Sukthit, në Durrës

Kryeministri Berisha në Ishëm: Në këtë zonë janë përgatitur disa miliardë euro investime
Kryeministri Berisha: Në Sukth, ne kemi investuar 1.750 miliard lekë, kundrejt zero investime në qeverisjen socialiste
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me banorë të Ishmit, në qarkun e Durrësit. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Të nderuar banorë në Ishmit,
Ju përshëndes vëllazërisht të gjithëve dhe shpreh kënaqësinë e madhe që ndodhem sot midis jush. Në këtë vend, një nga vendet më të bukura ku unë gjithnjë vij me kënaqësi të madhe dhe që me shumë respekt për ju erdha sot më lehtë se kurrë për shkak të rrugës së re, zotohem se ne do të financojmë me përparësi të madhe çdo projekt që kryetari i komunës tuaj, të cilin ju e respektoni, do të bëjë për ju për ujësjellës, për kanalizime, për shkolla, për qendra shëndetësore.
Ishmi është një ndër komunat më të rëndësishme të vendit. Ishmi është një komunë me potenciale të jashtëzakonshme turistike për t’u zhvilluar. Unë, gjithashtu, vij sot këtu me kënaqësi, sepse takohemi sot si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi sot me të gjithë fermerët e kësaj komune dhe të gjithë Shqipërisë, pasi kemi dyfishuar në përputhje me premtimin tonë, pensionet e tyre. Takohemi sot pasi ne në mbarë vendin kemi ndërtuar pothuajse 6 mijë kilometra rrugë, ku një nga komunat përfituese është edhe komuna juaj. Ne takohemi sot pasi kemi ndërtuar 720 ujësjellës. Unë vij këtu me zotimin tim solemn se do të çojmë ujë 24 orë në çdo familje shqiptare.
Të dashur banore dhe banorë të Ishmit,
Unë vij gjithashtu për t’ju premtuar se ne do të financojmë çdo projekt tuaj për nxitjen e prodhimin bujqësor, do të financojmë çdo projekt tuajin për përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësor, sikundër do të financojmë inputet që ju përdorni për kulturat bujqësore që ju mbillni, si dhe naftën për sipërfaqe të mbjella. Ne ju garantojmë pensione të barabarta me qytetin. Në katër vite ne i dyfishuam ato dhe pas katër vitesh pensionet e fshatit do të kapin nivelin e pensioneve të qytetit dhe do të jenë më të larta se pensionet e qytetarëve në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian.
Ndaj, unë dua sërish t’ju bëj thirrje të bashkohemi së bashku në projektin e Ishmit europian, të Shqipërisë europiane. Projekti i Ishmit europian është realisht një nga projektet ndoshta më madhore në Shqipëri, pasi potenciali juaj turistik është një potencial i jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar. Shumë shpejt në këtë zonë janë të përgatitura jo një, por disa miliarda euro investime. I bëj thirrje socialistëve të Ishmit që kësaj radhe të bashkohen me ne. Përse iu kërkoj unë atyre të bashkohen me ne? Të bashkohemi, sepse projekti i Shqipërisë evropiane, i Ishmit europian është projekti më i bukur, është ëndrra e çdo shqiptari. Kjo është e vërteta!
Këtë projekt askush me shumë se ne që bëmë realitet projektin atlantist, që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, nuk e bën dot më shumë se ne realitet dhe me askënd tjetër ju nuk jeni më të sigurt se sa me ne në këtë projekt. Të bashkohemi, sepse projekti ynë ka të bëjë me rrogat dhe me pensionet tuaja. Ka të bëjë me një përpjekje jashtëzakonisht të vështirë, por të suksesshme në këtë drejtim. Të bashkohemi edhe për faktin se njeriu që duhet t’ju udhëhiqte juve sipas rregullit te demokracisë, njeriu që duhet t’ju udhëhiqte ju sipas rregullit të demokracisë, pasi ju bëri thirrje juve një vit rresht përtej të majtës dhe të djathtës, u fut nën tavolinë dhe nuk doli kurrkund. Dhe, ju të nderuar socialistë që po prisnit se çfarë ishte ky program përtej të majtës dhe të djathtës, në fushatë ju patë që ishin 99-at e Edi Ramës. Të dashur socialistë, faktikisht, thirrja e tij përtej së majtës dhe të djathtës ishte as me të majtën, as me të majtën, por me 99-shat. Prandaj le të bashkohemi në këtë projekt të madh të përbashkët. Të mirën ta ndajmë me njeri - tjetrin, djersën ta derdhim së bashku.
Ishmi europian, Shqipëria europiane është projekti më madhështor i kohërave dhe unë ju garantoj se do ta bëjmë atë realitet. Ndaj dhe ftesat e mia për ju janë këto: së pari, këto dy ditë të verifikojmë nëse çdo i njohur, çdo familjar, çdo mik, krushqi, i afërm, e ka marrë apo jo letërnjoftimin. Le ta marrim letërnjoftimin, sepse ai është dokumenti më modern që mund të kemi pasur ndonjëherë në jetën tonë, është dokument që na barazon edhe me qytetarin më të zhvilluar të Europës dhe të botës, sepse është i teknologjisë më të lartë. Së dyti, po vijnë zgjedhjet. Më 28 qershor të votojmë si qytetarë, të kemi një proces votimi ndër më modernët në Europë, në sytë e mbi 500 vëzhguesve të huaj.
Unë kam një lutje për ju, të mos votojmë si familje e tërë. Të shkojmë bashkërisht në qendrat e votimit, por të votojmë një nga një, sepse votimi në grup na i nxin zgjedhjet para gjithë Evropës. Ne duhet t’i tregojmë Europës se ne, si evropianë që jemi, votojmë njësoj si ju. Por, në rast se thirrja ime që të mos votojmë familjarisht në një kabinë, nga ana tjetër thirrja ime është të gjithë të votojmë blu. Evropa votoi blu, ju votoni blu.
Prandaj, votoni 10-ën, 10-a jeni ju, sepse në fakt të gjithë ju meritoni 10-ën. 10-a janë familjet tuaja, 10-a është Ishmi, 10-ë është Durrësi, 10-ë është Shqipëria evropiane, 10-a është Partia Demokratike.”
***
Më pas, Kryeministri Berisha u ndal në Sukth, ku zhvilloi një takim me banorë të tij. Duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë ndaj jush për mbështetjen tuaj të fuqishme dhe besimin tuaj të madh. Shpreh kënaqësinë më të madhe që ju takoj sot, në këtë shesh, ku jemi mbledhur edhe katër vite më parë, pasi kemi bërë realitet ëndrrën tonë atlantiste. Mblidhemi sot si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s.
Kënaqësia ime është gjithashtu e madhe, sepse në zonën tuaj ne kemi investuar 1.750 miliard lekë, kundrejt zero investime të socialistëve katër vite më parë. Bë zonën tuaj kemi ndërtuar disa rrugë, shkolla dhe qendra shëndetësore. Unë vij sot për tu zotuar para jush se katër vitet që vijnë, Sukthi do të kenë urbanizim të plotë. Në këtë bashki, në qytet dhe fshatrat përreth, nuk do të ketë asnjë metër rrugë të paasfaltuar. Në këtë bashki do të ketë shkolla të reja kudo, ku ato nevojiten, do të ketë ujë 24 orë për banorët e saj. Ashtu siç lamë mbrapa terrin elektrik, do të lëmë totalisht pas edhe mungesën e ujit. Sukthit do t’i ndërtojmë unazën. Fermerëve të Sukthit ju garantojmë rindërtim të plotë të sistemit vaditës të tyre dhe se në katër vitet që vijnë do të subvencionojmë të gjitha projektet e tyre për nxitjen e prodhimit, inputet dhe akcizën e naftës për sipërfaqen e mbjellë. Ju premtoj pensione të barabarta me qytetin dhe më të larta se në 6 vende anëtare të BE-së. Ky është Sukthi europian. Sukthi europian është Sukthi i qytetarëve që gëzojnë kushte jetese , transport, infrastrukturë dhe prodhim të standardeve europiane. Ndaj unë kërkoj votën tuaj për të ndërtuar së bashku Sukthin evropian, Shqipërinë europiane.
Qytetare e qytetarë të Sukthit,
Le t’ju bëjmë një apel vëllazëror të gjithë qytetarëve të kësaj bashkie, të votojnë për Sukthin evropian. Le të ftojmë të gjithë socialistët e Sukthit të bashkohen me ne në projektin europian, sepse ky është projekt për çdo shqiptar të ndershëm, projekti më i mirë për ta e fëmijët e tyre, të bashkohen me ne, sepse kryetari juaj, në një akt të pashembullt të historisë së demokracisë dhe pluralizmit, pasi ju nisu juve në betejë, vetë ia mbathi dhe u fut nën tavolinën e bashkisë. Ju nuk e meritoni kurrë këtë. Të bashkoheni me ne, sepse Edi Rama, pasi shëtiti poshtë e përpjetë nën sloganin përtej të majtës e përtej të djathtës dhe ju po prisnit se çfarë do të dilte, në skenë nuk na doli as e majta e as e djathta, por 99-shat. 99-shat janë një soj kameleonësh pa ngjyrë, që kanë vetëm një ngjyrë, atë të lejeve të ndërtimit. Ata kanë ngjyrën e pazarit të korruptuar të lejeve të ndërtimit. Ndaj le të shkojmë së bashku drejt Sukthit Europian, drejt Shqipërisë europiane.
Djem e vajza, burra e gra të Sukthit, ftesa ime e parë për ju është që në datën 26 qershor të gjithë në sheshin Skënderbe të festojmë fitoren e madhe të 28 qershorit. Në datën 28 qershor, të merrni të gjithë pjesë në votime, të votojmë 10-ën se 10-ta jemi ne, Sukthi është 10-ta, Durrësi është 10-ta Partia Demokratike është 10-ta, Shqipëria është 10-ta, Europa është blu, Europa është 10-ta.”
17/06/2009