Kryeministri Berisha pret nobelistin në fizikë Gerardus ‘t Hooft
Kryeministri Berisha priti dje në mbrëmje nobelistin Gerardus ‘t Hooft, i cili ndodhet në Shqipëri në një vizitë disaditore, me ftesë të Kryeministrit Berisha. Prof. ‘t Hooft shoqërohej nga fizikania me origjinë shqiptare, Assoc. Prof. Laura Mersini-Houghton, e cila jep mësim në Universitetin e Karolinës së Veriut.
Kryeministri Berisha, duke shprehur kënaqësinë për këtë takim, e njohu prof. ‘t Hooft me përpjekjet e qeverisë shqiptare për zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, gjatë këtyre katër viteve. Kryeministri Berisha tha se arsimi mbetet prioritet absolut i qeverisë shqiptare. Investimi në arsim, - u shpreh Kryeministri - është investimi më i mirë për të ardhmen e shoqërisë.
Gjatë vizitës në Tiranë, prof. ‘t Hooft, fitues i çmimit Nobel në fizikë, profesor i fizikës teorike në Universitetin Utrecht në Holandë, do t’i jepet titulli i nderit Doctor Honoris Causa, nga Universiteti i Tiranës.
Prof. ‘t Hooft fitoi çmimin Nobel në fizikë në 1999 për studimet e tij në teorinë e fizikës së grimcave në bashkëpunim me fizikantin tjetër holandez Martinus J. G. Veltman.
Vizita e tij organizohet nga Programi Brain Gain, një projekt i PNUD-it në bashkëpunim me qeverinë shqiptare që synon angazhimin efektiv të diasporës dhe të të kthyerve nga studimet jashtë në zhvillimin e vendit.
18/06/2009