Kryeministri Berisha takohet me banorë të Laprakës dhe njësisë nr.7 në Tiranë

Kryeministri Berisha: Kemi gati projektet dhe financimet për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare
Sot në mbrëmje Kryeministri Berisha zhvilloi takim me banorë të Laprakës dhe të njësisë bashkiake nr. 7, në Tiranë.
Duke u shprehur mirënjohjen më të thellë dhe nderimin tim më të madh për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë qeverisë, Kryeministri Berisha garantoi se në katër vitet e ardhshme qeveria do të investojë dhe do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar për mirë jetën tyre. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh më tej:
“Në këtë shesh, ne jemi takuar shumë herë, por asnjëherë si sot, qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Sot, takohemi si qytetarë të një vendi që pret i sigurt liberalizimin e plotë të vizave, gjatë vitit të parë të mandatit të dytë. Takohemi si qytetarë të një vendi që qëndron në krye të rritjes ekonomike në Europë në kohën e krizës më të thellë, si qytetarët e një vendi që udhëheq në rajon për investimet e huaja. Takohemi sot për vendimin tonë të ri, të Laprakës, Kodër Kamzës, Tiranës dhe Shqipërisë europiane.
Ne lamë pas në këtë zonë qeveritë socialiste që investuan 2.5 miliard lekë. Ne, në katër vite, kemi investuar në këtë zonë 7.5 miliard lekë. Unë ju garantoj se katër vitet që vijnë në këtë zonë do të investojmë në mënyrë që çdo metër linear rrugë e saj të jetë e asfaltuar, të keni ujë 24 orë, do investojmë për shkollat më të mira. Çdo i ri dhe e re e kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë që dëshiron të ndjekë shkollën e mesme, të ketë të gjitha kushtet për të. Çdo i ri dhe e re e kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë që dëshiron të ndjekë universitetin, ta ndjekë atë.
Në katër vite, ne krijuam 80 mijë vendeve pune. Në katër vitet që vijnë, ne do të krijojmë 160 mijë vende ë reja pune. Ne kemi gati 5.6 miliard euro investime në 104 hidrocentrale, në 6 parqe industriale, në 4 parqe energjetike, janë gati projektet për asfaltimin e të gjitha rrugëve të Shqipërisë, janë gati projektet dhe financimet për të sjellë ujin e pijshëm në çdo familje shqiptare kudo që ndodhet. Dua të garantoj 450 familje, të cilat vuajnë në një situatë të vështirë strehimi se do të ndërtojmë banesa sociale dhe do të zgjidhim përfundimisht problemin e tyre.
Më 26 qershor, të gjithë në sheshin “Skënderbe” për të festuar fitoren e madhe, për të rikthyer 22 marsin e lavdisë sonë elektorale. Ju bëj thirrje socialistëve të kësaj zone dhe mbarë Shqipërisë, bashkohuni me ne në projektin tonë europian, bashkohuni me ne se ëndrra europiane është ëndrra më e bukur e çdo shqiptari dhe ne duhet ta ndajmë këtë të mirë të madhe me çdo shqiptar, kudo që ndodhet. Bashkohuni me ne edhe sepse kryetari juaj në një akt të pashembullt në historinë e demokracisë europiane dhe botërore ju thotë dilni në garë dhe për vete ia mbath. Ky zotëri ka dy vjet që u thotë socialistëve shqiptarë ejani përtej të majtës e të djathtës dhe ata e kanë dëgjuar me durim, por tani, kur gjërat dalin në dritën e diellit, ai tregoi se nuk ka as të majtë e as të djathtë, por vetëm 99-sha. Prandaj ju bëj thirrje që të gjithë së bashku të bëjmë atë që bëri Kashari para disa muajve, që e nxori të pestin, e la te 99-shat e tij.
Unë ju garantoj se këto katër vjet ky vend dhe ju, qytetarët e tij, do të keni kushte jetësore të ngjashme me ato të qytetarëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Në paga e pensione, ne do të parakalojmë 6 vende anëtare të BE-së. Ndaj le të marrim të gjithë letërnjoftimet e reja edhe këto dy ditë që kanë mbetur. Të paraqitemi të gjithë në votime dhe të votojmë veten tonë, të votojmë 10-ën. Ne jemi 10. Fëmijët tanë janë 10-ta. Familjet tona janë 10-ta. Qyteti juaj është 10-ta. Shqipëria është 10-ta. Partia Demokratike është 10-ta. Europa blu është 10-ta.”
***
Kryeministri Berisha zhvilloi edhe një takim me banorë të njësisë bashkiake nr. 7, në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh;
“Mirëmbrëma dhe përshëndetje vëllazërore!
Para së gjithash, mirënjohja ime më e thellë për secilin, për mbështetjen e jashtëzakonshme që keni dhënë në këto katër vite, në të cilat ne së bashku ia dolëm të ndryshojmë Shqipërinë, ia dolëm të mblidhemi sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Ne ia dolëm të lartësojmë emrin e vendit tonë dhe të dalim në krye të rritjes ekonomike në Europë, në kohën e krizës më të thellë ekonomike europiane dhe botërore. Ne ia dolëm të ngjitemi në vendin dytë më të mirë në botë për klimën e biznesit. Ne ia dolëm bashkërisht të shembim sistemin e kleptokracisë, të ndërtojmë rreth 6 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin, të ndërtojmë korridorin e kombit, të ndërtojmë apo rindërtojmë 1012 shkolla, të shtrijmë internetin në çdo shkollë për fëmijët tanë, të krijojmë 80 mijë vende pune, të nxjerrim nga varfëria 400 mijë shqiptarë. Ne ia dolëm të vëmë në lëvizje mekanizmin e fuqishëm të legalizimeve në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Ata që u përpoqën të na fusin shkopinj nën rrota në këtë proces, dështuan me turp njëherë e përgjithmonë.
Ju ftoj ju, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë të bashkohemi në projektin tonë më madhështor të jetës sonë, projektin e Shqipërisë evropiane, projektin më të bukur për fëmijët tanë, për veten tonë, për vendin tonë. Ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne do të bëjmë realitet me shpejtësinë më të madhe ëndrrën tonë evropiane. Ndaj në këtë betejë elektorale, le të jetë kjo fushata e bashkimit të të gjithë shqiptarëve rreth këtij projekti. Socialistëve të Tiranës u takon detyra historike të nxjerrin nga skena politike kryetarin e tyre burracak.
Socialistë të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë,
Edi Rama, me një akt të pashembullt në historinë e demokracisë evropiane dhe botërore ju nisi ju në fushatë elektorale dhe për vete ia mbathi prapa karriges së kryetarit të Bashkisë. Edi Rama ka dy vjet që ju thotë ju se do ju çoj përtej të majtës dhe të djathtës, dhe tani kur gjërat dolën në dritë të diellit doli se fjala ishte as për të majtën, as për të djathtën, por për 99-shat e tij, për lejet e ndërtimit. Fjala ishte për ata, të cilëve Edi Rama u jep 70 për qind të lejeve të ndërtimit të kryeqytetit, fjala ishte për ata, me të cilët Edi Rama ndan me dhjetëra e dhjetëra kate ndërtimesh në Tiranë, fjala ishte për 99-shat që mbajnë peng planin urbanistik të Tiranës, fjala ishte për modelin më të korruptuar ndër 3-4 modelet më korruptuara të planetit në lejet e ndërtimit.
Ju të nderuar socialistë nuk e meritoni këtë, ndaj le të bashkohemi të gjithë dhe atij ti rezervojmë së shpejti daljen nga politika dhe bashkia. Zoti Edi Rama u thotë qytetarëve shqiptarë se mua më ka votuar Tirana dhe nuk mund të iki. Tre javë rresht i kërkova që të ndryshojmë ligjin dhe e bëra këtë për të respektuar socialistët. Hajde ndryshojmë ligjin dhe në qoftë se të votojnë shqiptarët rri dhe kryeministër dhe kryetar bashkie. Nuk i’a mbajti, se e di mirë që Tirana nuk ia fal atij kurrë mbajtjen peng të planit të përgjithshëm rregullues të qytetit. Tirana nuk ia fal kurrë atij që 70 për qind të lejeve të ndërtimit i marrin vetëm dy kompani, e Eftimit dhe e Shkrelit të tij, më të cilët ndan dhe gjobit ndërtuesit shqiptar.
Edi Rama, nuk e njeh ti modelin e shqiptarit. Ti u përket atyre që katër vite më parë nga mëngjesi deri në darke u thoshin të tjerëve se shoqëria shqiptare është e korruptuar. Shoqërisë shqiptare ti marrësh të keqen ti, është nga më të pastrat. Ndaj dhe ne le të bashkohemi të gjithë, le të rikthejmë 22 marsin e idealit tonë evropian, e projektit tonë evropian, projekt i cili do të na bëjë të mundur të krijojmë në Shqipëri 160 mijë vende të reja pune; projekt i cili do të na bëjë të mundur të rrisim rrogat dhe pensionet tona më shumë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian; projekt i cili do të na bëjë të mundur që pasuritë përrallore që Zoti i dha këtij vendi dhe kësaj toke, ti shndërrojmë në vlera për veten tonë, për fëmijët tanë, për kombin tonë; projekt i cili do të na bëjë të mundur që ta bëjmë Shqipërinë zonjë të vërtetë, ashtu siç shqiptarët kanë ëndërruar që nga lindja deri më sot.
Më 26 qershor, i madh e i vogël, i ri e i moshuar, që të gjithë të këndojmë fitoren në sheshin “Skënderbe”, të gëzojmë fitoren.
Më 28 qershor votoni veten tuaj. Ju jeni 10-a, fëmijët tuaj janë 10-a, familja juaj është 10-a, qyteti juaj është 10-a, Partia Demokratike është 10-a, Shqipëria është 10-a, Europa është 10-a.
Rrofshi ju!
Rroftë Shqipëria!”
17/06/2009