E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Në vitin 2010, përfundojmë tërësisht infrastrukturën e ultësirës bregdetare

- Në zonën turistike të ultësirës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil dhe në fshatrat e kësaj zone, janë investuar në infrastrukturë rreth 700 milion euro. Në Shëngjin, ka një investim prej 3 milion euro në infrastrukturën energjetike.

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në qarkun e Shkodrës. Fillimisht, Kryeministri u ndal në Lezhë, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rrugës së Shëngjinit. Rruga prej 2.8 kilometra është investim me vlerë 270 milion lekë dhe ka tërë elementet e një rruge të standardeve europiane, me gjerësi 16 metra, që përfshin një korsi të veçantë për biçikletat.  

Duke e konsideruar krijimin e infrastrukturës moderne tepër të rëndësishme për zhvillimin e zonave turistike, Kryeministri Berisha tha se në katër vite në zonën turistike të ultësirës bregdetare, nga Velipoja në Ksamil dhe në fshatrat e kësaj zone, janë investuar në infrastrukturë rreth 700 milion euro.

“Në katër vjet, - u shpreh Kryeministri - janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 50 rrugë, me gjatësi nga 1 kilometër deri në 60 kilometra dhe janë në ndërtim e sipër 14 impiante të përpunimit të ujërave të zeza. Në Shëngjin, ka një investim prej 3 milion euro në infrastrukturën energjetike. Në rikonstruksionin e linjave në këtë zonë janë investuar realisht qindra milionë, si në rikonstruksionin e rrjetit ekzistues, ndërtimin e nënstacioneve, por edhe në burime të reja energjetike, të parqeve energjetike. Po ashtu është investuar shumë në ujësjellësa.”

Kryeministri Berisha garantoi se brenda vitit 2010, do të finalizohet tërësisht e gjithë infrastruktura e ultësirës bregdetare. Pas vitit 2010, theksoi Kryeministri, ne do t’i kthehemi turizmit malor, që do të ketë një hapësirë gjithnjë e në rritje.


18/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›