E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Do të ndërmarrim çdo vendim për të sjellë sa më shpejt Shqipërinë në moshën digjitale

Kryeministri Berisha priti sot në një takim përfaqësuesit e Microsoft-it, në kuadër të hapjes së degës së kësaj kompanie në Shqipëri.
Pas takimit ,Kryeministri Berisha dhe përfaqësuesit e Microsoft-it dhanë një prononcim për mediat: 

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam një takim me përfaqësuesit  e gjigandit të IT-së Microsoft, zotin Goran Radman. Ka një lajm shumë të mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Nis sot punën “Microsoft Albania”, pra, krijohet dega e Microsoft-it për Shqipërinë, e cila ka si qëllim madhor promovimin dhe fuqizimin e tregut të IT-së në Shqipëri, mbështetjen e të gjitha përpjekjeve të qeverisë për të kapur sa më shpejt moshën digjitale.

Ne diskutuam gjerësisht për projektet tona për të shpejtuar këtë proces në të gjitha aspektet, duke vënë theksin në fushën e edukimit, në fushën e industrive të IT-së. Unë e konsideroj këtë një ngjarje shumë të rëndësishme pas firmosjes  së Marrëveshjes në Edinburg, midis qeverisë shqiptare dhe Presidentit të Microsoftit, zotit Bill Gates.

Goran Radman, Drejtori i Microsoft për Europën Qëndrore dhe Lindore: Jam shumë i kënaqur dhe i gëzuar që të lajmëroj sot se ne po bëjmë një hap tjetër të rëndësishëm përpara drejt implementimit të plotë të marrëveshjes së partneritetit strategjik mes qeverisë shqiptare dhe Microsoft-it, e cila është nënshkruar një vit më parë nga Kryeministri, Sali Berisha dhe kreu i Microsoft-it, Bill Gates. Ne po lançojmë sot zyrtarisht krijimin e “Microsoft Albania”, degës zyrtare të Microsoft-it në Shqipëri, e cila e rendit Shqipërinë në listën e familjes së  degëve të Microsoft-it në botë dhe e bën Shqipërinë më të pranishme në shoqërinë globale të informacionit.

Ne jemi të lumtur që Microsoft-i do të japë kontributin e tij në zhvillimin e shpejtë të tregut shqiptar, në integrimin politik dhe ekonomik të Shqipërisë drejt BE-së, dhe shfrytëzoj rastin të përgëzoj Shqipërinë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Ne jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij procesi, jemi të lumtur të japim kontributin tonë, dhe shprehim kënaqësinë tonë që Shqipëria do t`i bashkohet teknologjisë së fundit të informacionit, për ta përdorur atë për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së saj.

Veronika Priklynova, Drejtoreshë e Përgjithshme e Microsoft-it për Tregjet në Zhvillim për  Europën Qëndrore dhe Lindore:
Jam shumë e lumtur të njoftoj hapjen e degës së Microsoft-it në Shqipëri. Ne kemi bërë një investim shumë të rëndësishëm për zhvillimin e erës digjitale të vendit, kështu që përveç Windows XP dhe Office 2003, të cilat tashmë janë të disponueshme në gjuhën shqipe, ne po lançojmë sot Windows Vista, sistemi më i fundit operues i Microsoft-it, i cili është i disponueshëm në shqip. Ne po punojmë të sigurojmë programet e fundit të Office 2007, i cili do të jetë së shpejti i disponueshëm në gjuhën shqipe.

Një pikë shumë e rëndësishme në këtë program është se ne vërtet dëshirojmë të mundësojmë përdoruesit shqiptarë të kompjuterit të përfitojnë plotësisht nga sistemet dhe aplikimet e ligjshme. Ne sot fillojmë një fushatë speciale për kompanitë vendase dhe përdoruesit shqiptarë të kompjuterave  në mënyrë që ata të përfitojnë nga ulja e ndjeshme e çmimeve të produkteve tona, për një periudhë të kufizuar kohe, që ata të përfitojnë siç duhet në të gjitha pikat e rëndësishme, përfshirë sigurinë dhe pajtueshmërinë me ligjet vendase. Ne jemi shumë të lumtur dhe presim që brenda një kohe të shkurtër  të nisim punën me ekipin tonë të ri në Shqipëri. 

Pyetje: Përse ky interesim për tregun shqiptar kur dihet tashmë se ky treg është mjaft i vogël ?

Kryeministri Berisha: Në pamje të parë, Shqipëria është një vend i vogël, por potencialet e saj janë shumë të mëdha. Shqipëria është  një ekonomi e re, dinamike dhe entuziaste, një komb që nuk mund të cilësohet aq i vogël. Ka baza solide dhe qeveria shqiptare është një mbështetës i fuqishëm i moshës digjitale dhe do të ndërmarrë çdo hap, çdo vendim, çdo financim për ta arritur atë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Goran Radman: Ne nuk i diferencojmë vendet apo kombet nga numri i popullsisë. Ne besojmë se të gjitha kombet mund të përfitojnë nga teknologjia e informacionit,  sa më shumë, në mënyrë sa më të drejtë, sa më të gjithanshme dhe sa më ekonomike, për të arritur shoqëritë e zhvilluara, thjeshtë duke bërë popullsinë më të arsimuar. Ne besojmë se duke bërë teknologjitë, njohuritë dhe informacionin e internetit të disponueshëm për çdo vend, i ndihmojmë këto vende të jenë më të begata se sa janë sot. Për këtë arsye ne besojmë se Shqipëria ka një mundësi, një shans që të ecë me vendet më të zhvilluara, duke shfrytëzuar mundësitë e teknologjisë së informacionit. Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij procesi.  
     
    

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›