E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Microsoft Albania, lokomotiva e proceseve të digjitalizimit në Shqipëri

Kryeministri Berisha priti sot në një takim miqësor përfaqësuesit e Microsoft-it, në kuadër të hapjes së zyrës së kësaj kompanie lider në teknologjinë e softwer në Shqipëri.

Përfaqësia e kompanisë prestigjoze Microsoft kryesohej nga zoti Goran Radman, Drejtor i Microsoft-it ECEE, zonja Veronika Prikrylova, Menaxhere e Përgjithshme e Microsoftit CEE për Tregjet Emergjente, si dhe përfaqësues të tjerë.

Kryeministri Berisha u shpreh se hapja e zyrës së Microsoft në Shqipëri është një lajm shumë i mirë dhe një hap shumë i rëndësishëm në përmbushjen e sipërmarrjes së qeverisë shqiptare për ta çuar vendin në “moshën digjitale” dhe për të afruar tregun shqiptar me teknologjinë më të avancuar digjitale, për të zhvilluar edukimin e qytetarëve dhe veçanërisht të të rinjve në këtë fushë, si dhe për të ndihmuar, përmes teknologjisë së avancuar, zhvillimin e ekonomisë shqiptare.

Kryeministri Berisha theksoi se prezenca e Microsoftit në Shqipëri do të jetë lokomotiva që do të shtyjë përpara procesin e digjitalizimit të shumë procedurave në Shqipëri, veçanërisht në administratën shqiptare.

Zoti Goran Radman shprehu vlerësimin e tij shumë pozitiv për hapjen e zyrës së Microsoft-it në Shqipëri, si respektim i Marrveshjes së nënshkruar midis Kryeministrit Berisha dhe Presidentit të Microsoftit, zotit Bill Gates në Edinburg në 30 janar 2007. Ai falënderoi Kryeministrin Berisha për angazhimin dhe vendosmërinë e tij në këtë projekt që, me bindje, do të jetë një histori suksesi.

Zoti Radman u shpreh se tashmë projektet e Mocrosoftit në Shqipëri kanë filluar, duke nisur nga hyrja e Shqipërisë në programin  e fundit të Microsoft dhe Office 2007, si dhe me hapjen e adresës www.microsoft.com.al . Ai u shpreh gjithashtu se po punohet me intensitet në paralelizimin e strukturave gjuhësore të këtij niveli teknik kompjuterik.

Kryeministri Berisha dhe zoti Radman theksuan me bindje se Microsoft Albania do të japë një shtysë për ekonominë shqiptare, inovacionin, përgatitjen e brezave mbi sistemet digjitale, si dhe në komunikimin rajonal në fusha të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›