Kryeministri Berisha: Qeveria do të japë çdo mbështetje për rritjen e cilësisë së universiteteve
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në tryezën e punës “Angazhimi i Diasporës Intelektuale në Universitetet Shqiptare”, ku ishin të pranishëm rektorë, dekanë dhe pedagogë të universiteteve publike dhe private nga i gjithë vendi.
Kryeministri tha se qeveria ka ndërmarrë reformën më të thellë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor me qëllim ndërtimin e një sistemi të ri të shkencës, ku universitetet do të kenë mundësi të përmbushin misionin e tyre si shtretër të mendimit intelektual dhe si qendrat më të fuqishme të kërkimit shkencor të vendit.
“Ne lamë prapa në fushën e kërkimit shkencor një praktikë të dështuar, një praktikë, e cila përparësoi një grup institucionesh të lidhura me Akademinë, vendosi planin njëlloj si në prodhim, ndau shkencën nga universitetet dhe që u faktua në të gjithë sistemin ku ajo u zhvillua si një falimentim i plotë. Një falimentim i plotë në fushën ekonomike, një falimentim i plotë në fushën sociale dhe kjo vetëm e vetëm sepse pati një devijim të jashtëzakonshëm nga të vërtetat që duhet të qëmtonte”, u shpreh më tej Kryeministri Berisha duke nënvizuar se me reformën e ndërmarrë nuk synohet asgjë tjetër vetëm kthimi i universiteteve në aktivitetin e tyre dhe për të përballuar me dinjitet kërkesat e kohës.
Duke ftuar drejtuesit e universiteteve të rekrutojnë studentët më të mirë, Kryeministri Berisha solli në vëmendje faktin se qeveria ka miratuar 400 vende të reja pune në universitetet e vendit. Kryeministri shprehu vendosmërinë e qeverisë për ta dyfishuar këtë numër, por u shpreh se universitetet duhet të zhvillojnë një vullnet të hekurt për zhvillimin e burimeve njerëzore sipas kritereve.
Kryeministri u shpreh se qeveria ka krijuar Fondin e Ekselencës, por shtoi se kërkesat për të nuk kanë qenë kaq të shumta. Ne, vijoi më tej Kryeministri, jemi të gatshëm të dyfishojmë Fondin e Ekselencës në mënyrë që bashkëpunëtorët tuaj të gradohen në universitetet më të mira.
Duke e vënë theksin tek rëndësia që ka procesi “Brain Gain”, Kryeministri u kërkoi drejtuesve të universiteteve që të vendosin një bashkëpunim të ngushtë me të diplomuarit në universitetet më të mira të botës.
Më poshtë vijon e plotë fjala e Kryeministrit Berisha në takimin me rektorë, dekanë dhe pedagogë të universiteteve të ndryshme të vendit :
Shfrytëzoj këtë takim për t`ju përcjellë urimet e mia më të mira për zgjedhjen tuaj në detyrat shumë të rëndësishme si rektorë dhe dekanë të universiteteve dhe fakulteteve tona, t`ju siguroj se unë dhe qeveria që unë kryesoj jemi të vendosur t`u japim ju çdo mbështetje në mënyrë që programet me të cilat ju fituat besimin e kolegëve tuaj pedagogë, të fakulteteve dhe universiteteve tona e studentëve tuaj të mund t`i shndërroni në realitet. Ju keni nisur detyrën e lidershipit të shkollave të larta për katër vitet që vijnë. Do të theksoja se këto katër vite janë vërtet të një rëndësie përcaktuese për të ardhmen e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Janë përcaktuese sepse ju e nisët mandatin në fazën e implementimit të reformave më të mëdha që janë ndërmarrë në historinë e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri. Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor iu nënshtruan një procesi të thellë reformues me të cilin ne synojmë të zëvendësojmë standardet e vjetra me standardet e reja në këto fusha që përcaktojnë më shumë se të gjitha të tjerat, të ardhmen dhe zhvillimin e kombit dhe vendit tonë.
Rezultati kryesor i këtyre reformave është qëllimi për të ndërtuar një sistem të ri të shkencës ku arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor janë ashtu siç duhet të jenë, të integruar, ku universitetet do të kenë mundësi të përmbushin misionin e tyre si shtretër të mendimit intelektual, si qendrat më të fuqishme të kërkimit shkencor të vendit.
Ne lamë prapa në fushën e kërkimit shkencor një praktikë të dështuar, një praktikë, e cila përparësoi një grup institucionesh të lidhura me Akademinë, vendosi planin njëlloj si në prodhim, ndau shkencën nga universitetet dhe që u faktua në të gjithë sistemin ku ajo u zhvillua si një falimentim i plotë. Një falimentim i plotë në fushën ekonomike, një falimentim i plotë në fushën sociale dhe kjo vetëm e vetëm sepse pati një devijim të jashtëzakonshëm nga të vërtetat që duhet të qëmtonte.
Në reformën që ndërmorëm, ne nuk synuam asgjë tjetër vetëm të kthejmë universitetet në aktivitetin e tyre, t`u japim mundësi atyre të përballen me dinjitet me të gjitha kërkesat e kohës, të përmbushin misionin e madh para kombit dhe shoqërisë. Vetëm me universitete të zhvilluara, universitetet si qendra të fuqishme të arsimimit dhe kërkimit shkencor ne mund të përballojmë orën globale në të cilën edhe Shqipëria jeton pa asnjë alternativë tjetër.
Ne arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor i kemi një përparësi të madhe. Pikërisht për këtë arsye kemi dyfishuar numrin e studentëve në universitetet tona, të vetëdijshëm se standardi ishte tejet larg me standardet që kanë vendet e Bashkimit Europian, të vetëdijshëm se hapja e këtyre universiteteve përbën një shans të madh për të rinjtë dhe një investim shumë serioz për të ardhmen. Por, natyrisht ne gjithashtu jemi të vetëdijshëm për barrën e madhe që solli kjo tek trupa pedagogjike, tek departamentet, fakultetet dhe universitetet. Ne jemi të vetëdijshëm se në një kohë kaq të shkurtër nuk mund të dyfishoheshin kapacitetet e tyre dhe në këtë kontekst ju keni përballuar një punë të admirueshme. Unë ju siguroj se ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje të bëjmë çdo financim të ndërmarrim çdo hap që ju ta përballoni me sukses të plotë dhe brenda të gjitha standardeve situatën e re të krijuar nga liberalizimi i universiteteve.
E vetmja gjë që kërkohet sot, është të shkëputemi nga praktikat konservative të trashëguara të përshtatemi me shpejtësi drejt konsolidimit të kësaj reforme të bëjmë çdo përpjekje për modernizimin e kurrikulave të mësimdhënies në tërësi,çdo përpjekje dhe investim për të rritur cilësinë e mësimdhënies. Një ditë unë po bisedoja me disa miq të mi, kolegë tuaj. Më shprehën shqetësimin se mbi 4 500 të rinj dhe të reja ndër më të mirët nuk hyjnë në universitetet e Shqipërisë. Të mos harrojmë se këta 4 500 që patën mundësi të trokasin në dyert e universiteteve të Europës dhe të botës patën një shans, por edhe këta 100 mijë të tjerë që studiojnë në universitetet tona shumë prej tyre në vitet që vijnë do të trokasin në dyert e sipërmarrjeve të Europës dhe të botës për punësim apo do të qëndrojnë në Shqipëri dhe do të përballen me kërkesa shumë të mëdha. Ora globale është orë globale, atë askush nuk mund ta ndalojë. Është në detyrimin tonë që ta ndjekim atë. Natyrisht parësore për ju për rritjen e cilësisë për t`u përballur me misionin e madh që keni për realizimin e reformave janë burimet njerëzore. Unë ju siguroj se qeveria është e vendosur t`ju mbështesë ju plotësisht në të gjitha hapat dhe masat që do të ndërmerrni për zhvillimin e këtyre burimeve si kusht i të gjitha kushteve, për një cilësi në rritje në universitetet tona.
Në rast se hedhim një vështrim nuk është se nuk ka mangësi serioze. Nga një vlerësim i Ministrisë së Arsimit në dhjetor të vitit 2007 janë gjetur jo pak departamente pa profesorë, pa studiues të graduar, dhe këta nuk ishin themeluar dje apo pardje, por kishin 10-13 vjet që funksiononin. Ministria u detyrua të zvogëlojë profilin e tyre dhe veproi shumë drejt. Është një apel shumë i sinqertë ndaj jush të bëni çdo përpjekje për të rekrutuar djem dhe vajza, burra dhe gra të graduar dhe të shkolluar në universitetet më të mira i hapni departamentet ndaj tyre, nuk do të keni kufizim për ata që kanë marrë doktoratat. Qeveria është e gatshme që t`ju mbështesë ju plotësisht. Firmosni që nesër kontrata me ta. I kemi përfshirë në programe të veçanta, ju kemi akorduar 400 vende të reja pune. Ju siguroj se mund t`ua dyfishojmë këtë numër, por ju duhet të dëshmoni vullnet të hekurt për t`i zhvilluar mbi bazën e kritereve burimet njerëzore të domosdoshme për të ngritur cilësinë në lartësinë që ne duam.
Në Shqipëri paralel me universitetet publike zhvillohen universitetet private. Ato japin një kontribut shumë të madh në rritje në arsimim. Është e domosdoshme që Ministria të përpunojë standardet, të cilat u ofrohen universiteteve publike, stimuj dhe lehtësira që u ofrohen universiteteve publike për “Brain Gain” të jenë të njëjta edhe për universitetet private. Grupe ekspertësh po punojnë për të shqyrtuar lehtësira të tjera për universitetet private dhe shkollat private në tërësi. Pjesëmarrja e sektorit privat në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në të gjitha ciklet e arsimit është shumë e mirëpritur. Ne ecim drejt një kohe në të cilën qytetari duhet të ketë të drejtë të përzgjedhë shërbimin që i ofrohet, shkollimin për fëmijët e tij. Në këtë kontekst të njëjtat kushte dhe standarde që përcaktohen në universitetet publike duhet të veprojnë dhe ndaj universiteteve private. Është e domosdoshme që me shpejtësi të fillojmë rating-un e universiteteve, i cili është një domosdoshmëri. Nuk është aspak për t`u dekurajuar, përkundrazi për të vendosur standarde, të cilat apelojnë për përpjekje shumë më të mëdha.
Qeveria ka ndërmarrë së bashku me UNDP-në programin “Brain Gain”, i cili është sot një proces pothuajse universial. Me “Brain Gain” fituan ata që ia arritën ta implementojnë më seriozisht atë. E aplikuan për dekada Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një nga faktorët kryesorë sepse ky vend ruan të konsoliduar rolin udhëheqës në kërkimin shkencor në këtë planet. “Brain Gain”-it i kthehet sot Europa me një vendosmëri të madhe pasi është vënë re se e ka të domosdoshme për të kapur horizontet që do të thotë se për Shqipërinë ky proces është më jetik se për çdo vend tjetër. Ndaj dhe ne le ta përparësojmë këtë proces, le të bëjmë çdo përpjeke për të përfituar të vendosim kritere të ndershme, por në asnjë rrethanë pavarësisht nga ndonjë rezultat imediat ne kurrë nuk duhet të heqim dorë nga “Brain Gain”. Është një soft shqiptar që s`ka ekzistuar kurrë më parë në këtë shkallë, i graduar në universitetet më të mira të botës. Le të punojmë së bashku të bëjmë çdo përpjekje për ta tërhequr atë dhe në shumë raste ne do të jemi të padrejtë në qoftë se mendojmë se vërtet do të vijnë dhe punojnë. Por, ajo që mund të kërkohet është të mbajmë lidhje. Sot ka shqiptarë të shquar që drejtojnë katedra universitetesh ka nobelistë të fushave më të avancuara ka studiues në majat e kërkimeve. Lidhjet me ta, ardhja e tyre si vizitorë, shkëmbimet e studentëve, kontakti online, pra janë një seri mënyrash se si ne mund të komunikojmë dhe mund të përfitojmë prej tyre. Por, janë edhe qindra mijëra të tjerë, të cilët pasi kanë bërë një përpjekje të jashtëzakonshme janë shkolluar me rezultate të mira dhe shumë të mira kanë bërë shpenzime shumë të mëdha familjare, nuk vendosen dot në punët që u takojnë dhe nuk gjejnë dhe në Shqipëri. Këtu detyrimi është madhor. Keni 400 vende në rast se u nevojiten ua bëjmë 800 dhe do ta marrim këtë kontingjent. Nuk duhet të jemi skeptikë. Unë ju ftoj ju që të rekrutoni më të mirët edhe nga studentët tuaj.
Ne kemi krijuar Fondin e Ekselencës, ky fond nuk është i madh, por problemi është se nuk kanë qenë kaq të shumta kërkesat për të përfituar prej tij. Duhet t`i nxisnin asistentët dhe kolegët tuaj. Ne jemi të gatshëm t`i sponsorizojmë ata dhe të dyfishojmë Fondin e Ekselencës në mënyrë që bashkëpunëtorët tuaj të gradohen në universitetet më të mira. Një garë e brendshme në universitete është e domosdoshme. Unë shpresoj që gradualisht dhe ciklikisht ta ndërmerrni atë, si një kusht për ta ruajtur dhe avancuar më tej. Të gjitha këto kërkojnë buxhet. Ne kemi dyfishuar buxhetin ne mund ta trefishojmë buxhetin për ju, por kemi një kusht kemi një kërkesë; të realizoni buxhetin. Vitin e kaluar universitetet kanë realizuar 65 % të buxhetit, çka do të thotë se pjesa tjetër nuk u shndërrua nuk u materializua në shërbime apo ndërtesa apo ambiente për ju. Është e domosdoshme ta reformojmë këtë proces. I tërë financimi i Universiteteve duhet të rishikohet, duhet të jetë një pjesë e rëndësishme e reformës me qëllimin e vetëm për ta përdorur në mënyrën më efiçente për ta realizuar plotësisht. Unë duke ju falënderuar për të gjithë ndihmesën dhe kontributin që keni dhënë shpreh besimin tim më të madh se ju bashkëpunëtorët tuaj do të jetësojnë këto reforma shumë të rëndësishme për vendin dhe do t`i ngrini universitetet tona në lartësinë që ato duhet të jenë në cilësinë që ato duhet të kenë për të konkurruar me dinjitet në universitetet e rajonit dhe të kontinentit, të cilit ne jetojmë.