Zv/kryeministri i Bullgarisë: Mbështetje e plotë e Bullgarisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe integrimin në BE
Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim miqësor Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha dhe Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm i Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin u ndalën në marrëdhëniet dypalëshe, ku vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve pozitive në bashkëpunimin dypalësh, si dhe shprehën vullnetin politik për zgjerimin dhe forcimin e bashkëpunimit të mëtejshëm në të gjitha fushat.
Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen z. Ivailo Kalfin, tha se kjo është një vizitë shumë e rëndësishme për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, mirënjohjen dhe falënderimin e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e madhe që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO në Samitin e Bukureshtit, si dhe për njohjen e shtetit të Kosovës nga Bullgaria, një kontribut real ky i Bullgarisë për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, falënderoi Kryeministrin Berisha për mikpritjen dhe transmetoi përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira të Kryeministrit bullgar Sergej Stanishev për marrjen e Ftesës për anëtarësim në NATO, duke u shprehur se Shqipëria e meritoi plotësisht këtë ftesë që erdhi si rrjedhojë e ndërmarrjes së reformave të mëdha nga qeveria shqiptare dhe vendosmërisë për zhvillimin e tyre edhe në të ardhmen.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, z. Ivailo Kalfin, u shpreh se bazuar në eksperiencën e Bullgarisë dhe progresin e saj pas integrimit në NATO dhe BE, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të jetë një hap historik për vendin dhe se qeveria bullgare ka bindjen se së shpejti Shqipëria do të ketë një vend në tryezën e NATO-s, përkrah Bullgarisë.
Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendëskryeministrit bullgar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për vazhdimin e mëtejshëm të reformave, me qëllim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në NATO, si anëtare me të drejta të plota.
Ai theksoi se pas marrjes së ftesës për anëtarësim në Shqipëri vazhdon të jetë një klimë mjaft pozitive e bashkëpunimit mes forcave politike, klimë kjo si asnjëherë tjetër, gjë që e tregoi edhe ndryshimi me votë në parlament i sistemit elektoral që do të sjellë një përfaqësi më të mirë të forcave politike në parlament dhe do të lehtësojë zhvillimin e mëtejshëm të vendit.
Gjatë takimit, u bisedua mbi procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO dhe integrimit në BE, ku Zëvendëskryeministri bullgar u shpreh se Bullgaria mbështet me forcë Shqipërinë edhe në rrugën e integrimit në BE.
Gjithashtu, Zëvendëskryeministri bullgar u ndal në rëndësinë e kësaj vizite në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, vizitë e cila u përqendrua në diskutimin e disa çështjeve mjaft të rëndësishme për dy vendet, në bashkëpunimin dhe ndihmën e ndërsjellë në fusha të ndryshme, veçanërisht në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin kulturor.
Në këtë kuadër, Zëvendëskryeministri bullgar dhe Kryeministri Berisha u ndalën edhe në mbështetjen dhe rëndësinë që do të vazhdohet t’i kushtohet realizimit të projekteve AMBO dhe Korridori 8, me besimin se projekte të tilla do të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në rajon.
Po në fushën e zhvillimit ekonomik, Kryeministri Berisha u shpreh se do të ishte me interes edhe kompletimi i një korridori hekurudhor mes dy vendeve, duke kaluar nga Maqedonia, me rëndësi të veçantë sidomos për transportin e mallrave.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka potenciale të mëdha për investitorët bullgarë në mjaft fusha si në turizëm, në minerale, pasuritë hidrike etj. Lidhur me këtë, Zëvendëskryeministri bullgar theksoi se, veçanërisht në periudhën e fundit, ka një interesim në rritje të kompanive të mëdha bullgare për të investuar në Shqipëri.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha dhe Zëvendëskryeministri bullgar theksuan se është me rëndësi dhe një bashkëpunim i gjerë dhe i vazhdueshëm mes dy vendeve në fushën e arsimit dhe kulturës, si një rrjedhim i traditave mjaft i mirë të bashkëpunimit që ekziston në këto dy fusha.
Bashkëbisedimi u ndal edhe në zhvillimet në rajon, ku Zëvendëskryeministri bullgar u shpreh se Bullgaria njohu Kosovën me bindjen dhe besimin e plotë se institucionet kosovare do ta çojnë vendin e tyre drejt progresit politik dhe ekonomik, ndaj duhet patjetër ndihmë dhe besim i plotë ndaj këtyre institucioneve.
Në këtë kuadër, Zëvendëskryeministri bullgar u shpreh se ndarja e Kosovës nuk është aspak një opsion i mundshëm dhe se Kosova me kushtetutën e saj ka treguar një vullnet të qartë për respektimin e të drejtave të minoritetit serb atje dhe për pjesëmarrje të plotë të serbëve të Kosovës në proceset politike në Kosovë.
Kryeministri Berisha i shprehu Zëvendëskryeministri bullgar falënderimet e tij më të sinqerta për suportin që qeveria bullgare, një vend me eksperiencë dhe zhvillim, plotësisht i integruar në NATO dhe BE, i ka dhënë Shqipërisë që në vitet ’92 dhe fillimet e demokracisë në vend, duke i dhënë kështu një ndihmë të madhe prosperitetit dhe stabilitetit të mbarë rajonit,