E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Durrësi, epiqendër e zhvillimit ekonomik të vendit

Kryeministri Berisha vizitoi sot bashkinë e Durrësit dhe u takua me kryetarin Vangjush Dako dhe drejtues të tjerë të saj.

Kryetari i bashkisë, zoti Dako falënderoi Kryeministrin për mbështetjen që i qeveria i jep qytetit të Durrësit dhe zhvillimit të tij. Nga ana e tij, Kryeministri siguroi se qeveria është thellësisht e interesuar për partneritet të ngushtë e të frytshëm me qeveritë vendore të vendit. Për këtë qëllim, u shpreh Kryeministri, qeveria është tërësisht e angazhuar në procesin e decentralizimit.

"Qeveria është thellësisht e angazhuar për decentralizimin. Mënyra e vetme që të garantojmë shërbime më efiçente ndaj qytetarëve është të decentralizojmë pushtetin, një parim madhor i demokracisë dhe i funksionimit të saj. Gjithashtu mbetemi të angazhuar jo vetëm për decentralizimin, por edhe për dekoncentrimin, çka do të thotë kalim kompetencash më shumë tek ju, këshillat dhe prefekti. Kompetenca të tjera të ekzekutivit duhet të kalojnë drejt qendrave lokale, në mënyrë që t’u shërbehet më mirë qytetarëve," u shpreh Kryeministri.

Duke u ndalur në projektet për Durrësin, Kryeministri bëri të ditur se së shpejti fillon ndërtimi i terminalit të portit, për të cilin është në fund të shqyrtimit nga banka financuese fituesi, që do të japë atë që quhet "no objection" për të filluar punimet.

"Durrësi duhet të konceptohet, siç është epiqendër kryesore e turizmit në Shqipërisë, edhe si epiqendër madhore e zhvillimit ekonomik të vendit. Ne do t’i paraprijmë me projekte të gjithë perspektivës së ardhshme të qytetit, zgjerimit të portit dhe infrastrukturës. Për shumë vite, e ndoshta dekada, Durrësi do të mbetet një port i pazëvendësueshëm jo vetëm i vendit, por ai do të jetë edhe një port shumë i rëndësishëm rajonal. Korridori që ne ndërtojmë e shumëfishon rëndësinë e Durrësit si për Shqipërinë, Kosovën, Serbinë e Jugut dhe Maqedoninë Perëndimore. Faktikisht ai merr një peshë të pakrahasueshme, sepse bëhet porti më i afërt dhe më lehtësisht i kapshëm nga këto territore," theksoi Kryeministri.

Një tjetër projekt të rëndësishëm për këtë qytet, Kryeministri vlerësoi ngritjen e parkut industrial, për të cilin këtë vit buxheti përcakton një sasi jo të vogël fondesh për ndërtimin e tij. "Durrësi, - tha ai, - do të ketë dy parqe industriale. Parku industrial që do të ndërtohet në Durrës në një territor prej 60 hektarësh dhe po kaq i fuqishëm do të jetë edhe parku i Porto Romanos, i cili do të jetë parku energjetik kryesor i vendit."

Kryeministri kërkoi nga drejtuesit e bashkisë të hartojnë sa më shumë projekte për zhvillimin e qytetit, të cilat do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë në të gjitha aspektet, në infrastrukturë, arsim, në fushën e biznesit etj..

"Ju siguroj se qeveria do të mbështesë çdo projekt për Durrësin. Është e rëndësishme që ju të keni projekte. Vendi e vuan shumë mungesën e projekteve. Shqipëria nuk është vend i pasur, por ka shumë më tepër para sesa projekte. Unë kam urdhëruar të gjitha ministritë që të përparësojnë me çdo kusht projektet. Ne duhet të kemi projekte jo vetëm për vitin e ardhshëm, por mundësisht për 10-15 vite, pasi mënyra më garantuar për të gjetur financime është projekti. Në këtë kontekst, unë ju ftoj të hartoni projekte dhe ju garantoj se financimet për qytetin tuaj do të gjenden me përparësi," u shpreh Kryeministri.

Gjithashtu Kryeministri siguroi drejtuesit vendorë se po punohet për ndërtimin e ujësjellësit të qytetit, për të cilin është hapur tenderi për kompaninë që do të bëjë projektin. "Pavarësisht kostos, ne do ta ndërtojmë ujësjellësin. Ne kemi të gjitha burimet dhe vullnetin që ky qytet të ketë 24 orë ujë."

Për shkak të lehtësirave të mëdha infrastrukturore, vijoi më tej Kryeministri, Durrësi është në vëmendje të investitorëve të mëdhenj italianë, të cilët realisht po mendojnë të sjellin uzinat dhe sipërmarrjet e tyre në këtë qytet.

"Një nga arsyet më të mëdha është lëvizja që ne bëmë me taksën e sheshtë. Kjo taksë, që kemi ne e kemi 10 për qind, në vendin fqinj është 40 për qind. Kjo përbën një lehtësi shumë të madhe dhe unë kam sinjale shumë pozitive nga ata. Një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit të makinerive të industrisë tekstile, apo të pajisjeve të centraleve nukleare ka përzgjedhur Durrësin, sepse ka leverdi më të madhe ekonomike për t’i ndërtuar ato në Durrës sesa në zona të tjera" tha Kryeministri. Ai nënvizoi që të gjitha sipërfaqet e mundshme që disponohen duhet t’u ofrohen investitorëve me 1 euro.

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›