E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha i bashkohet nismës të artistëve shqiptarë dhe bashkisë së Durrësit, “Një këngë, një pemë”

Kryeministri Berisha iu bashkua sot nismës "Një këngë, një pemë" të artistëve, pjesëmarrës në evenimentin kulturor "Kënga magjike", në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit.

Kryeministri u takua përzemërsisht me këngëtarët e njohur të skenës shqiptare dhe i përgëzoi për nismën e marrë, duke i siguruar se do të kenë përkrahjen e gjithanshme të qeverisë në iniciativën e tyre për më shumë gjelbërim në qytetet tona.

"Përgëzoj organizatorët dhe kryetarin e bashkisë së Durrësit për nismën e marrë dhe i siguroi se në këtë nismë do të kenë mbështetjen e plotë e të gjithanshme nga qeveria. Ne i qëndrojmë nismës së shpallur asfaltim-gjelbërim dhe kjo do të jetë një nga nismat më pozitive për të sotmen dhe perspektivën e qytetarëve," u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, organizatori i këtij evenimenti Ardit Gjebrea dhe artistët, mbollën nga një pemë në bulevardin kryesor të qytetit.

Më pas, Kryeministri zhvilloi biseda të përzemërta me ta, duke falënderuar organizatorët për mundësinë e krijuar për të takuar artistë shqiptarë nga të gjitha trevat dhe diaspora. Kryeministri vlerësoi se kjo veprimtari merr rëndësi kombëtare dhe u jep mundësi qytetarëve shqiptarë të dëgjojnë zërat e njohur të këngës shqiptare. "Një meritë e madhe është e atyre që kanë ndërmarrë këtë nismë, një nismë mbarëkombëtare që u jep mundësi qytetarëve shqiptarë të njihen me të gjithë zërat më të njohur të kombit, zërat më tingëllues e melodiozë," tha Kryeministri, duke shprehur edhe kënaqësinë që së bashku me artistët mbjell në këtë qytet një pemë, në shenjë të besimit tek Durrësi dhe tek e ardhmja.

Duke e vlerësuar Durrësin jo vetëm si epiqendër e kulturës kombëtare dhe e trashëgimisë së madhe kulturore të të gjitha kohërave, por edhe si portën e Shqipërisë me Perëndimin, Kryeministri theksoi se "Durrësi është qyteti, që pas Tiranës, ka dhe do të ketë impaktin më të madh në zhvillimin ekonomik të vendit, një qytet që ridimensionohet shumë. Një mik i madh i kombit shqiptar e ka krahasuar Durrësin me iriqin. Dhe ky është Milan Shuflai. Në kohëra të mira Durrësi hapet dhe lulëzon dhe koha më e mirë për Durrësin vjen në vitet që vijnë. Korridori Durrës-Prishtinë është korridori që i jep Durrësit të gjithë peshën e madhe në Adriatik dhe e bën atë vërtet një port rajonal."

Nisma "Një këngë, një pemë" është një nismë e përbashkët e këngëtarëve pjesëmarrës në koncertin "Kënga Magjike" dhe bashkisë së Durrësit, me synim për të kontribuar në gjelbërimin e qytetit të Durrësit.

 

 

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›