Kryeministri Berisha i shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë Presidentit të SHBA, George W. Bush
Në këtë telegram Kryeministri Berisha shprehet:
“I dashur z. President Bush,
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare t’ju përcjell juve dhe, përmes jush, qeverisë dhe Senatit të SHBA-së, si dhe mbarë kombit të madh amerikan, falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe, në veçanti, për kontributin tuaj të jashtëzakonshëm, si miku më i madh dhe më i shquar i Shqipërisë dhe kombit shqiptar, që ky ratifikim të përfundojë në një kohë rekord.
Për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo është një ngjarje e shënuar historike, që e sjell më afër realizimin e ëndrrës shekullore për rikthim në familjen e përbashkët euro-atlantike të lirisë dhe vlerave të saj. Por, njëkohësisht, ky ratifikim është për vendin dhe kombin tim ripohim i miqësisë, aleancës dhe solidaritetit të ngushtë e të shkëlqyer me kombin tuaj të madh.
Qeveria shqiptare dhe unë personalisht mbetemi tërësisht të angazhuar të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtësisht me ju, zoti President, qeverinë tuaj dhe të gjitha institucionet e tjera të SHBA në interesin më të mirë të dy popujve tanë miq.
Duke ju përcjellë edhe një herë mirënjohjenn më të thellë, falënderimet më të përzemërta dhe urimet më të mira në këtë ditë të shënuar, pranoni, i dashur mik, sigurimet e konsideratës sime më të lartë.”