E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit në NATO, votëbesim i madh për reformat e qeverisë shqiptare

Kryeministri Berisha: Firmosja nga Presidenti Bush i Protokollit të Anëtarësimit në NATO, votëbesim i madh për reformat e qeverisë shqiptare

Kryeministri Sali Berisha u shpreh sot, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se firmosja nga Presidenti Bush, i ligjit të Senatit Amerikan për Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ishte votëbesim i madh për reformat e qeverisë shqiptare dhe vlerësim i jashtëzakonshëm i përpjekjeve të shqiptarëve për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike, shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut.

Kryeministri Berisha tha se, pas njohjes së pavarësisë së Shqipërisë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, kjo është firma më e rëndësishme, është ngjarja më kulmore në historinë e marrëveshjeve dypalëshe. “Kjo firmë ndryshon historinë e shqiptarëve, që, ashtu siç tha edhe Presidenti amerikan, u jep garanci të plota lirive të shqiptarëve. Në rast se ndokush do të cenojë këto liri, Presidenti Bush theksoi se ai do të përballet me kombet anëtare të NATO-s, ku vend lider i kësaj Aleance janë Shtetet e Bashkuara”, u shpreh Kryeministri.

Duke shprehur falënderimin për besim e madh të treguar për reformat e qeverisë, Kryeministri theksoi se këto reforma kanë sjellë ndryshime të mëdha, impresionuese, që bënë të mundur këtë akt madhor, historik, në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe realizimin e njërit prej dy projekteve kryesore të kombit tonë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

“Kjo firmë është akti i besimit dhe vlerësimit të madh, por, është edhe akti i përgjegjësisë së madhe për ne, që, në tërë veprimtarinë tonë, duhet të bëjmë çdo përpjekje për të konsoliduar në Shqipëri standarde, norma, kritere, praktika të denja për një vend anëtar të NATO-s.

Kryeministri i shprehu mirënjohjen Presidentit amerikan, duke nënvizuar se me këtë firmë, z. Bush përmbushi, në një kohë rekord, dy premtimet dhe mesazhet e mëdha që ai përcolli gjatë vizitës së tij në Shqipëri: Kosova e pavarur dhe Shqipëria në NATO. “Dua të garantoj se ne do të ndërmarrim të gjitha reformat për konsolidimin më tej të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut. Ne jemi para një procesi zgjedhor dhe, në detyrimin tonë më madhor, është të bëjmë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë vendit zgjedhjet më të mira, më të mira, më dinjitoze që ka njohur ndonjëherë”, tha Kryeministri Berisha.


27/10/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›