Kryeministri Berisha: Fitorja e zgjedhjeve në Kashar, mbështetje për reformat e qeverisë
Kryeministri Berisha përshëndeti gjatë mbledhjes së sotme të Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, qytetarët dhe zgjedhësit e Kasharit, të cilët një ditë më parë me votën e tyre firmosën mbështetjen për reformat e qeverisë.
Duke e konsideruar fitoren e kandidatit të mbështetur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj si një bizhu, Kryeministri Berisha tha se Besnik Fuçia mori qartësisht më shumë vota se të dy kandidatët e majtë, pa llogaritur votat që mori kandidati i pavarur, i cili ishte po nga e djathta.
“Dua t`u shpreh sot përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve dhe zgjedhësve të Kasharit që dje me votën e tyre firmosën reformat e qeverisë, firmosën një fitore bizhu sepse fitoret edhe kur janë në zona të vogla janë si bizhuja, shkëlqejnë dhe e tillë ishte fitorja e djeshme e Kasharit”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst Kryeministri tha se fitorja në Kashar nuk vjen si rrufe në qiell të hapur, por vjen si një serial që zhvillohet kudo. Duke iu referuar zgjedhjeve të pjesshme parlamentare dhe lokale të zhvilluara në zona të ndryshme të vendit, Kryeministri tha se e majta në Shijak u largua nga gara elektorale në orën 10 të paradites, në Mokër pavarësisht se derdhi miliona mori atë që meritonte, në Tiranë pësoi një disfatë të thellë përballë Edi Palokës pavarësisht se mobilizoi gjithçka, ndërsa në Paskuqan mezi arriti të mblidhte një grusht votash.
“Tani pikërisht ditën që kryetari i PS-së bën betohet para mediave se do t`ia tregojnë zgjedhësit me vota Sali Berishës del një kandidat i imi i pavarur dhe e shndërron në parti të katërt. E shndërroi në parti të katërt Rustem Murati”, tha Kryeministri.
“Është shumë e thjeshtë të shkosh e t`u thuash fshatarëve votoni me sy hapur mos votoni me sy mbyllur, por nuk e di zotëria e tij se qytetari i thjeshtë vërtetë nuk ka fluksin e madh të informacionit që ke ti, por prapë atij nuk i mungojnë informacionet bazë që nxjerr konkluzione dhe më të drejta se ti. Del nëpër fshatrat e qytetet e Shqipërisë dhe u thotë as të majtë as të djathtë as qytet as fshat” u shpreh më tej Kryeministri.
Uroj që leksioni i Kasharit, tha Kryeministri, të lexohet si duhet sepse kjo fakton se fitorja jonë ishte një votë për reformat, por ishte dhe një votë kundër sharjeve e mashtrimeve të tyre.
Kryeministri tha më tej se pjesëmarrja e njëjtë me dy vjet më parë, dëshmoi se qytetarët e përgjegjshëm donin të zgjidhnin dhe se shpresa dhe besimi tek vota nuk kishte rënë. Duke e vlerësuar këtë si një meritë tjetër të banorëve të Kasharit, Kryeministri theksoi se zgjedhjet ishin perfekte.
“Unë nga Salzburgu merrja informacion se çdo gjë po ecën me qytetarinë më të madhe. Pra edhe njëherë le t`i falënderojmë me shumë mirënjohje zgjedhësit e Kasharit për këtë mesazh të shkëlqyer që shpërndanë në Shqipëri, për besimin madhor që dëshmuan tek Partia Demokratike dhe aleatët e qeverisja e saj. Me sinqeritet nuk mund ta mbyll falënderimin pa falënderuar zotin Rustem Murati se do regjistrohet në analet elektorale të këtij vendi për leksionin e merituar që i dha kryetarit me korrespondencë të Bashkisë së Tiranës dhe atyre që përdor ai për të mashtruar e trilluar çdo ditë”, vijoi Kryeministri.