E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor është një rikthim i tyre në gjirin e familjes të cilës ata i përkasin

Kryeministri Berisha ishte sot në Salzburg, ku mori pjesë në Takimin Informal të Kryeministrave të vendeve të Europës Juglindore, me temë “Siguria në Evropën Juglindore në shekullin e 21”

Të pranishëm në këtë takim ishin Kancelari i Austrisë Alfred Gusenbauer, Kryeministri i Bosnje – Hercegovinës Nikola Spiriç, Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministri i Serbisë, z. Mirko Cvetkoviç, Kryeministri i Maqedonisë, z. Nikola Gruevski, Kryeministri i Malit të Zi, z.Milo Gjukanovic, Kryeministri i Rumanisë, Z. Kalin Popesku, Kryeministrja e Moldavisë, Znj. Zinaida Greceani, etj. 

Para nisjes së punimeve të këtij takimi, u zhvilluan disa takime informale midis krerëve të qeverive ku u diskutua mbi marrëdhëniet bilaterale dhe multilaterale si dhe mbi çështje të zhvillimit dhe stabilitetit të vendeve të Europës Juglindore, forcimit të bashkëpunimit dhe nxitjes së dialogut mes këtyre vendeve.

Gjatë takimit, u shtrua një drekë nga Kancelari i Austrisë Alfred Gusenbauer, në të cilën ai përshëndeti dhe i uroi mirëseardhjen Kryeministrave nga Evropa Juglindore në këtë takim, ku ishin të ftuar dhe përfaqësues nga korporata të mëdha dhe grupe të biznesit, si Reifaisen bank, Siemens etj.

Pas drekës, u mbajt seanca plenare, ku morën pjesë dhe referuan të gjithë krerët e qeverive të pranishëm në takim, mbi procesin e integrimit në Bashkimin Europian, tregun dhe burimet e energjisë, ndryshimet e klimës, sigurinë në rajon, etj.

Kancelari austriak Alfred Gusenbauer, i cili hapi seancën plenare, theksoi se referendumi i Irlandës nuk duhet të cenojë procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si interes i madh i tyre dhe i BE-së.

Gjithashtu,  në takim e morën fjalën të gjithë kryeministrat e pranishëm dhe korporatat e grupet e biznesit, të pranishëm në këtë takim, të cilët u ndalën në problemet e tregut të energjisë, në problemet e mjedisit, në bashkëpunimin tregtar mes vendeve, në proceset e integrimit në BE, si dhe në përmbushjen e kritereve për të mbështetur këto procese.

Kryeministri Berisha, i cili mori fjalën në takim,  përgëzoi autoritetet austriake për organizimin e shkëlqyer të takimit dhe për përqendrimin  e tematikës së tij në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kryeministri falënderoi Kancelarin austriak për mbështetjen që Austria i ka dhënë realizimit të proceseve të integrimit dhe përmbushjes së kritereve të nevojshme, të cilat do të lehtësojnë liberalizimi e vizave me Bashkimin Europian.

Kryeministri Berisha u shpreh se integrimi në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është një rikthim i tyre në gjirin e familjes të cilës ata i përkasin. Përfshirja e këtyre vendeve,vijoi Kryeministri, që përbëjnë vetëm 1 për qind të GDP-së së BE-së dhe që kanë një popullsi më pak se gjysma e kolonisë, do t’i kushtonte më pak BE-së se sa mospërfshirja e tyre në të.

Kryeministri Berisha theksoi se Shqipëria është një vend në reformim të plotë të sistemit ekonomik e fiskal dhe ia ka dalë të vendosë disiplinën fiskale në vend. Për 3 vite me radhë, qeveria ka çuar në parlament një buxhet suplementar, 32 për qind i të cilit ka shkuar për rimëkëmbjen e infrastrukturës së prapambetur që ka trashëguar. Me një regjim fiskal më të ulëtin në BE, me një rritje ekonomike dyshifrore, me resurset natyrore dhe njerëzore që ka, Shqipëria është kthyer në një vend atraktiv për investitorët e huaj, theksoi Kryeministri.

Pas seancës plenare, të pranishmit dhanë një konferencë për shtyp për mediat vendase dhe agjencitë e huaja të lajmeve.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›