Kryeministri Berisha: Qeveria po realizon çdo ditë premtimet e dhëna
Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Pjezë në Komunën Xhafzotaj në Shijak, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 400 mijë dollarë.
Kryeministri tha se kompania që ka fituar tenderin është zotuar ta përfundojë shkollën në një kohë më të shkurtër se sa afati i parashikuar. Duke u ndalur në investimet e realizuara në këtë fshat Kryeministri Berisha tha se ka përfunduar sistemi i kanalizimeve dhe është në fazën e fundit përfundimi i rrugës që lidh fshatin me fshatrat e tjerë, qytetin e Shijakut dhe rrugën kryesore.
Kryeministri u shpreh se qeveria po mban premtimet e saj duke investuar më shumë se kurrë më parë në modernizimin e infrastrukturës. “Ju i dëgjuat banorët; rrugët na i ndërto dhe ke bekimin e të gjithëve, ke votën e të gjithëve. Natyrisht ata do votojnë për rrugët , shkollat, ujësjellësat dhe kanalizimet e tyre. Do të votojnë për fjalën e mbajtur pasi fjalën e mbajtur shqiptari e ka vlerësuar dhe e vlerëson gjithmonë”, tha më tej Kryeministri.
Gjatë bashkëbisedimit që pati me banorë të këtij fshati Kryeministri i informoi ata se qeveria është e vendosur në përmirësimin e jetës së tyre. “Rruga e cila është në ndërtim ua lehtëson jetën. Jemi të vendosur të rrisim pensionet tuaja, të cilat janë dyfishuar dhe do të bëjmë çmos që të shkohet drejt barazimit sepse edhe ju keni dhënë kontributin tuaj”, u tha Kryeministri banorëve të pranishëm.
Gjithashtu Kryeministri i garantoi ata se qeveria e drejtuar prej tij është e vendosur për modernizimin e të gjithë infrastrukturës në mënyrë që qytetarët shqiptarë të shpëtojnë nga balta dhe çakulli. “Sot është një ditë shumë e gëzuar për mua sepse vij dhe gjej këtu në 3 vjet 14 km rrugë të asfaltuara përfundimisht dhe 7 të tjera në asfaltim e sipër që do të përfundojnë brenda këtij viti. Para tre vjetësh nuk ka pasur asnjë km rrugë fshati”, u shpreh më tej Kryeministri.