E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri Oketa: Solidaritet i lartë dhe mbështetje maksimale për lehtësimin e tragjedisë së Gërdecit

Zëvendëskryeministri dhe Kryetari i Komisionit Ndërministror të Emergjencave Civile, zoti Gazmend Oketa falënderoi sot nëpërmjet një komunikimi për shtyp, të gjithë qytetarët shqiptarë, biznesmenët, donatorët, organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, për sensibilitetin e lartë dhe solidaritetin e dëshmuar në tragjedinë e Gërdecit.

Zëvendëskryeministri Oketa i falënderoi ata për mbështetjen maksimale dhe ndihmën e ofruar për të minimizuar dëmet dhe dhimbjet e shkaktuara nga kjo tragjedi.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e tyre me qeverinë shqiptare për kapërcimin e krizës, Zëvendëskryeministri Oketa  bëri apel që këto ndihma monetare dhe ushqimore të vijnë në mënyrë sa më të organizuar. Zoti Oketa u shpreh se të gjitha institucionet që dëshirojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të kontaktojnë me shtabin e emergjencave në numrat e telefonit të bëra publike.

Në mënyrë që të sigurohet një shpërndarje sa më e barabartë e këtyre fondeve midis qytetarëve, duke shmangur çdo mundësi abuzimi, Zëvendëskryeministri kërkoi që donacionet në të holla të adresoheshin në numrat e llogarisë të bëra publike në fondin e ngritur për tragjedinë e Gërdecit.

Ndër të tjera, Zëvendëskryeministri Oketa u shpreh:

“Që nga data 15 mars, dita kur ndodhi tragjedia e Gërdecit ka patur një sensibilitet maksimal nga qytetarët shqiptarë, qytetarë të thjeshtë, biznesmenë, organizma të ndryshëm, partnerë ndërkombëtarë,  të cilët kanë ofruar asistencën e tyre maksimale për të minimizuar dëmet  dhe dhimbjet e shkaktuar nga kjo tragjedi.

Qytetarë të ndryshëm, biznesmenë, organizma kanë ofruar ndihma të të gjitha kategorive dhe unë do të dëshiroja në radhë të parë ti falënderoja të gjithë ata donatorë, qytetarë, biznesmenë për këtë ndjenjë solidariteti dhe për këtë bashkëpunim që ata po bëjnë me qeverinë shqiptare për të kapërcyer pasojat e kësaj krize.

Por njëkohësisht do të dëshiroja të bëja një apel që të gjithë këto ndihma monetare apo ushqimore të vinin në një mënyrë sa më të organizuar. Të gjithë këto institucione që dëshirojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të kontaktojnë me shtabin e emergjencave në numrat e telefonit të bëra publike.

Te gjitha ata që dëshirojnë të bëjnë donacion në të holla, në para do të ishin të lutur që ti adresonin këto të holla në numrat e llogarisë të bërë publikë në fondin e ngritur për tragjedinë e Gërdecit. Vetëm kështu do të bëhej e mundur një ndarje sa më e barabartë e këtyre fondeve midis qytetarëve dhe do të eliminohej çdo mundësi abuzimi me këto ndihma.

Unë do të kërkoja dhe ndihmën e medias që herë pas here të publikonte numrat e llogarisë dhe numrat e telefonit të shtabit të emergjencës.

Ju falënderoj dhe ju uroj Gëzuar festën e Pashkëve”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›