Prononcim i Kryeministrit për mediat
Kryeministri Berisha, i pyetur sot nga media në lidhje me reformimin e institucioneve të sigurisë, pas tragjedisë në Gërdec, bëri këto komente:
Pyetje: Zoti Kryeministër, çmund të thoni në lidhje me reformimin e Shërbimit Informativ Shtetëror?
Kryeministri: Në çdo rrethanë duhet të predominojnë të vërtetat, të cilat janë më të rëndësishmet. E kam theksuar që institucionet e sigurisë dhe nuk është vetëm Shërbimi, pasi institucionet e sigurisë janë disa, nuk arritën të njoftojnë për rreziqet e të parandalojnë. Duke përsëritur atë që kam theksuar, që prokuroria të nxjerrë çdo përgjegjësi individuale, dua t’ju ftoj e t’ju sugjeroj që vlerësimet e njëanshme nuk shërbejnë. Në rast se nuk njoftuan për këtë, ju siguroj se po këto institucione kanë realizuar me veprimtarinë e tyre me dhjetëra, në mos qindra apo mijëra akte në interesin më të madh të publikut shqiptar. Në rast se pati një dështim në këtë rrethanë dhe kjo ishte një katastrofë e tmerrshme, së cilës nuk mund t’i shtoj asgjë, do të ishte gjykim i padrejtë, për të mos thënë më shumë se kaq, injorimi i kontributit shumë të rëndësishëm të tyre në shumë e shumë raste. Ndaj dje theksova se e rëndësishme në këto raste, si edhe në praktikën më të mirë të vendeve të tjera, është të bëhen reforma që e bëjnë të pamundur përsëritjen e këtyre rasteve.
Pyetje: Si mendoni ta kryeni reformën, zoti Berisha? Një nga elementet e reformës është ndoshta shkarkimi i kryetarit të Shërbimit?
Kryeministri: Reformat dhe shkarkimet janë dy gjëra të ndryshme. Pa reforma, cilindo që të shkarkosh apo vendosësh, nuk e ke sigurinë. Unë kam ndjekur me shumë vëmendje të gjitha analizat e bëra nga media dhe i vlerësoj ato. Për një gjë dua të siguroj shqiptarët se për parandalimin e këtyre ngjarjeve ka vetëm një rrugë të sigurt, reformimin. Duhet të bëhet një studim i të gjitha sistemeve, për të parë ku e patën problemin, çfarë ndodhi etj.. E theksoj, prokuroria të nxjerrë përgjegjësitë individuale, por përgjegjësitë janë më gjerë. Në rast se ne bëjmë një studim dhe analizë serioze, siç e kanë bërë edhe vende të tjera dhe ndërmarrim reformën e këtyre institucione, i vendosim ato në pozicione që raste të tilla të mos u shpëtojnë më.
Pyetje: Cilat janë elementet e reformës në SHISH?
Kryeministri: Nuk është vetëm reforma e Shërbimit Informativ Shtetëror që e zgjidh këtë gjë, por një reformë tërësore e institucioneve të sigurisë kombëtare, të cilat duhet të pësojnë reforma të tilla, p.sh dhe doganat janë institucion i sigurisë kombëtare. Edhe vende të tjera që kanë pësuar probleme të tilla, i riorientuan ato, me këtë nuk po them se ishte përgjegjësi e doganave ajo që ndodhi. Pra, reforma është një koncept më i gjerë. Mediat janë marrë me kronikën dhe kanë bërë mirë, por nuk janë marrë me reformat dhe pa reforma kjo nuk zgjidhet. Institucionet e sigurisë kombëtare kanë nevojë për reformim të thellë dhe ju siguroj se këto reforma do të ndërmerren dhe ekziston një vullnet i përbashkët i këtyre institucioneve për të bërë reformat. Unë gjykoj se drejtësia duhet të veprojë me forcën më të madhe të ligjit, kurse vendi e shteti duhet të procedojë me reformat më të plota, që këto ngjarje të mos ndodhin më.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a keni informacion për 4 personat e zhdukur që po kërkohen nga familjarët?
Kryeministri: Në verifikim e sipër janë dy viktima, që përfshihen në këtë numër, por nuk kemi informacion për të tjerë. Priten analizat e ADN-së. Me këto analiza është arritur të identifikohen të gjitha rastet dhe do të identifikohen edhe këto dy viktima. Ndërsa dua t’ju them se vlerësimi në terma financiarë i dëmit material përfundon sot në darkë ose nesër paradite, me shpejtësi rekord dhe qeveria ka përgatitur të gjitha dekretet e vendimet për të filluar po me këtë shpejtësi disbursimin e shumave në përputhje me dëmin.
Pyetje: Opozita ka kërkuar imunitetin tuaj e të zotit Mediu. A jeni i gatshëm ta lini atë?
Kryeministri: Unë gjykoj se opozita është opozitë. Në një vend imunitetin e kërkon institucion tjetër. Në qoftë se opozita merr përsipër të bëjë të gjitha rolet e institucioneve, ne, si mazhorancë, kemi një zotim dhe e kemi faktuar këtë, që i përgjigjemi çdo kërkese të institucioneve të vendit. Ky është zotimi unë, të tjerat janë politikë dhe çdo opozitë ka të drejtë të mbajë qëndrimet e saj. Opozita është në të drejtat e saj.