E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ftesa në NATO, vlerësim për reformat në Shqipëri

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në panelin me temë "Axhenda e BE-së pas Traktatit të Lisbonës", në kuadër  të Samitit të Kroacisë, i cili po zhvillon punimet në Dubrovnik.

Në panel ishin të pranishëm Kryeministri i Kroacisë, Ivo Sanader, Kryeministri i Sllovakisë,  Robert Fico,  Kryeministri  i Malit të Zi , Milo Gjukanoviç , Ministri i Jashtëm i Suedisë Karl Bildt, Zv.Kryeministri i Çekisë, Alexander Vondra  dhe Drejtori i Zgjerimit në Komisionin Europian David Daly dhe personalitete të tjera.

Në fjalën e tij gjatë këtij samiti, Kryeministri Berisha  tha se zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore,integrimin në NATO dhe BE.  "Këto projekte përbëjnë planin e vërtetë të masave, në të cilin është fokusuar qeveria ime", u shpreh Kryeministri Berisha. Duke falenderuar përfaqësuesit e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së për ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në integrimin euro-atlantik të saj, Kryeministri Berisha vlerësoi se marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit ishte një gjest  vlerësimi për reformat  e realizuara nga qeveria e tij.

 Kryeministri e vuri theksin në reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal.   
Ne, tha Kryeministri, po reformojmë sistemin e drejtësisë, sepse duhet të ecim përpara drejt demokracisë dhe shtetit ligjor. "Krimi i organizuar ishte një problem i madh  jo vetëm për Shqipërinë. Ne kemi ndërmarrë luftën me zero tolerancë ndaj tij, kemi shkatërruar më shumë se 200 grupe kriminale dhe kemi arrestuar dhe vënë para drejtësisë më shumë se 900 drejtues dhe anëtarë të tyre. Sot Shqipëria është nga vendet më të sigurta, me tregues kriminaliteti më të ulët se mesatarja e vendeve të BE-së", tha Kryeministri Berisha.

Kryeministri theksoi më tej se në sajë të reformave, qeveria shqiptare ka dërguar për herë të tretë një buxhet suplementar në Kuvend, ka reduktuar nga 3.9 në 1.9 % të GDP-së shpenzimet operative dhe ka ndaluar prokurimet e drejtpëdrejta duke kaluar gradualisht tek prokurimet elektronike.    

 Në Shqipëri, tha Kryeministri, klima e biznesit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme. "Iniciativa '1 euro', regjistrimi i biznesit në një sportel të vetëm,  eleminimi i shumë tarifave  dhe ulja e shumë të tjerave në 1 euro ka krijuar një klimë mjaft të favorshme për investime", u shpreh Kryeministri Berisha. 
Në këtë kontekst Kryeministri tha se qeveria shqiptare ka ulur nga 23 në 6 numrin e taksave kombëtare, po aplikon taksën e sheshtë 10 % dhe ka eleminuar disa liçenca duke lënë vetëm 62 të tilla, të cilat do të kalojnë në një sportel të vetëm. 

Ekonomia shqiptare, vijoi më tej Kryeministri, është një ekonomi e re, e vogël, dinamike dhe entuziaste. “Ajo po ecën tani me ritmet më të larta të zhvillimit ekonomik në rajon e vazhdon të zhvillohet në një mjedis makroekonomik të qëndrueshëm. Prodhimi i Brendshëm Bruto rritet me mbi 6% çdo vit, rritja ekonomike e këtij tremujori të fundit ka qenë dyshifrore”, tha Kryeministri Berisha.

Lidhur me situatën në rajon Kryeministri Berisha vlerësoi se pavarësia e Kosovës dhe pavarësia e Malit të Zi kishin një rëndësi thelbësore për ta bërë rajonin e Ballkanit më të lirë se kurrë më parë. 
 
Kosova, tha Kryeministri po bëhet përditë e më shumë një faktor i stabilitetit në rajon falë edhe ndihmës së vyer të BE-së, OKB-së dhe SHBA-së. Përsa u përket zhvillimeve në Kosovën Veriore, Kryeministri Berisha tha se nuk mund të ketë struktura paralele në Mitrovicë. "Nuk mund të ketë struktura paralele sepse ka tre 'Mitrovica' në Serbi dhe shumë të tjera në rajon.  Ne nuk i kemi inkurajuar kurrë shqiptarët e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanovcit që të mos marrin pjesë në jetën publike serbe. Përkundrazi   jemi të bindur se duhet të marrin pjesë në të gjitha proceset demokratike në Serbi si garanci për paqe dhe stabilitet", theksoi Kryeministri Berisha.

Duke u ndalur tek zhvillimet në Bashkimin Europian, Kryeministri Berisha tha se nuk është e drejtë që zgjerimi i BE-së në Ballkan të lidhet me referendumin për Traktatin e Lisbonës.

Kjo ide u theksua nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë panel, të cilët vlerësuar se ky proces është një arritje e madhe dhe e shpejtë e sukseseve të BE-së.  
Pjesëmarrësit në panel vlerësuan gjithashtu suksesin e reformave në vendet e Ballkanit dhe nënvizuan se vazhdimi i tyre është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt integrimit europian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›