E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndeti punimet e konferencës kombëtare me temë “Ne mund të ndalojmë dhunën në familje”

-       Kryeministri Berisha u shpreh se kjo ditë dhe kjo konferencë është një apel i madh për të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit, të cilat duhet të përparësojnë qëndrimin e tyre ndaj dhunës në familje me qëndrimet më ndëshkuese
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në punimet e konferencës kombëtare me temë “Ne mund të ndalojmë dhunën në familje”, e organizuar nga ministria e Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, në ambientet e hotel Tirana International.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha e konsideroi dhunën në familje një problem të mprehtë për shoqërinë shqiptare dhe ftoi të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit të përparësojnë qëndrimin ndaj dhunës në familje me qëndrime më ndëshkuese.
Kryeministri u shpreh se dhuna në familje nuk ka marrë përgjigjen e duhur shoqërore dhe zyrtare, ndonëse përpjekjet për këtë janë bërë. “është  përpiluar strategjia kombëtare kundër dhunës në familje; është miratuar një ligj i rëndësishëm për qëndrimin ndaj dhunës në familje; po krijohen dhe funksionojnë qendra për riaftësimin, trajtimin psikologjik dhe riintegrimin e të dhunuarve, por prapë nuk kemi një opinion të fuqishëm shoqëror dhe nuk kemi ligjet për dënimin më të rreptë ndaj saj”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Kryeministri kërkoi që shoqëria në tërësi të ndëshkojë, të përçmojë dhe të përbuzë modelin e dhunës në familje, pasi ky është një kusht për çdo shoqëri të qytetëruar.
Kryeministri Berisha e cilësoi të pazëvendësueshëm rolin e shoqërisë civile për parandalimin dhe trajtimin e viktimave të kësaj dhune.
Këtë konferencë e përshëndetën edhe Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, ministri i Shëndetësisë z. Petrit Vasili, etj.
Më poshtë vijon fjala e plotë e Kryeministrit Berisha:
“Zotërinj ministra,
Zotërinj ambasadorë,
Të nderuar të pranishëm,
Dua të përshëndes organizimin e kësaj konference për një nga problemet më të dhimbshme, por edhe për një problem të mprehtë për shoqërinë shqiptare, siç është dhuna në familje. Dhuna në familje është forma më e shëmtuar e dhunës; është forma më çnjerëzore; është, fatkeqësisht në shumë aspekte, forma më e fshehur për shkak të vendit ku ajo ushtrohet. Dhuna në familje prek gratë, fëmijët, të moshuarit dhe në këtë kontekst do të thosha se ajo përbën një krim dhe një turp të vërtetë shoqëror. Në Shqipëri dhuna në familje është një problem realisht serioz. Pesha e krimit familjar dhe e vrasjeve është bërë shumë problematike. Përqindja e tyre, në krahasim me krimin tjetër, është shumë më e lartë dhe e papranueshme.
Dhuna në familje nuk ka marrë përgjigjen e duhur shoqërore dhe zyrtare. Përpjekjet për këtë janë bërë. është përpiluar një strategji kombëtare kundër dhunës në familje; është miratuar një ligj i rëndësishëm për qëndrimin ndaj dhunës në familje; po krijohen dhe funksionojnë qendra për riaftësimin, trajtimin psikologjik dhe riintegrimin, por prapë nuk kemi një opinion të fuqishëm shoqëror kundër saj; nuk kemi një promovim të qëndrimit të prerë të shoqërisë kundër saj; nuk kemi edhe ligjet për dënimin më të rreptë ndaj saj. E kundërta është e vërtetë. Në qoftë se bëhet statistika e dënimeve për rastet e dhunës në familje, aty gjen zbutjen e pamerituar, gjen minimumet e pamerituara.
Ndaj, është e domosdoshme që çështjen e dhunës në familje t’a bëjmë një çështje të madhe. Nuk duhet të kemi ndrojtje. Ajo nuk mund të luftohet as duke e fshehur dhe as duke e zvogëluar. Dhuna në familje, dhuna ndaj gruas, ka në bazë një diskriminim shekullor të trashëguar gjinor. Kjo është e vërteta. Asnjë formë diskriminimi nuk mund të luftohet në rast se nuk konsiderohet në të gjithë përmasën që është.
Ndaj, mendoj se kjo ditë dhe kjo konferencë është një apel i madh për të gjithë institucionet e zbatimit të ligjit, të cilat duhet të përparësojnë qëndrimin e tyre ndaj dhunës në familje me qëndrimet më ndëshkuese. Ky është një apel për një përpjekje të madhe për parandalimin e saj, për krijimin e një opinioni të ri, jo të bazuar mbi diskriminimin shekullor midis burrit dhe gruas, por të një opinioni të ri të bazuar në respektin e plotë të dinjitetit njerëzor, të barazisë gjinore.
Shoqëria civile dhe roli i saj është i pazëvendësueshëm. Askush nuk mund të zëvendësojë zërin e saj të fuqishëm për parandalimin e këtij fenomeni, për një fushatë permanente të qëndrueshme, po ashtu edhe për trajtimin e viktimave të kësaj dhune dhe riaaftësimin e tyre.
Dhuna në familje ka shkaqet e saj. Zbutja e problemeve sociale është një nga rrugët e parandalimit të saj. Skamja është nëna e të gjithë të këqijave. Në këtë kontekst janë bërë përpjekje të mëdha për një qëndrim, për një stof social të ri në shoqërinë shqiptare. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë. Përpjekjet tërësore nuk duhet të përjashtojnë në asnjë rast qëndrimet specifike ndaj grupeve të caktuara. Shoqëria në tërësi duhet të ndëshkojë, të përçmojë, të përbuzë modelin e dhunës në familje. Ky është një kusht për çdo shoqëri të qytetëruar. Familja, bashkëshortja, nuk është as skllave dhe as plaçkë, përkundrazi është një personalitet kryesor i familjes me rolin e saj.
Ndaj, shpresoj që kjo konferencë të shërbej si thirrje e ndërgjegjes për shoqërinë shqiptare, për institucionet e këtij vendi, për të nisur realisht një kapitull të ri në luftën për parandalimin e saj, në luftën për trajtimin dhe për ndëshkimin e saj.
Faleminderit!” 04/12/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›