Kryeministri Berisha: Hapja e QKR-së, arritje kyçe në luftën kundër korrupsionit

Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite në ceremoninë e hapjes së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit. Hapja e kësaj qendre u realizua me përkrahjen e Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe ajo u mundëson bizneseve regjistrimin e tyre brenda një dite të vetme dhe vetëm në një zyrë.
Kryeministri Berisha, Ambasadori amerikan në Tiranë, zoti John L.Withers dhe zonja Maria Longi, Drejtore për programet e Pragut të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit, prenë shiritin e inaugurimit dhe vizituan ambientet e QKR-së. Ata përgëzuan përfaqësues të disa kompanive që dorëzuan aplikimin për regjistrim ditën e premte, 7 shtator dhe e kryen regjistrimin brenda një dite. Kryeministri u uroi suksese në sipërmarrjen e re të kompanive të tyre, si dhe i siguroi për vazhdimin mbështetjes së qeverisë në lehtësimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Në përshëndetjen e mbajtur në këtë ceremoni, Kryeministri Berisha vlerësoi se hapja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, ku sipërmarrësit regjistrojnë aktivitetin e tyre brenda një dite dhe me një qëndrim në sportel, është një hap shumë i madh përpara në përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe burokracinë.
Kryeministri falënderoi qeverinë amerikane për mbështetjen e dhënë përmes programit të Pragut të Mijëvjeçarit. "Dy vjet më parë qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Korporata e Mijëvjeçarit do të klasifikonte Shqipërinë si një vend që meriton Pragun e llogarisë së Mijëvjeçarit, llogari kjo e përcaktuar nga Presidenti Bush për të ndihmuar qeveritë dhe vendet mike, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar demokracinë e bazuar në ekonominë e tregut, në luftën kundër korrupsionit", tha Kryeministri. Në këtë kontekst, shtoi ai, qeveria shqiptare i kërkoi ndihmë qeverisë së SHBA-së për një seri projektesh, të cilat do të inaugurohen tashmë njëri pas tjetrit.
Ngritja e qendrës bën të mundur që procedurat e biznesit të dalin tërësisht jashtë mundësive të korrupsionit, theksoi zoti Berisha. "Unë jam i bindur se së shpejti do të kompletohen edhe prokurimet elektronike, taksat elektronike dhe praktikat e biznesit do të jenë të parat që do të vijnë në moshën dixhitale".
Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë për qeverinë e SHBA-ve, taksapaguesit, Agjencinë amerikane të Zhvillimit, Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit, si dhe i ftoi ata të vazhdojnë së bashku për hapa të tjerë të rëndësishëm, të cilat kjo agjenci dhe kjo korporatë i ka aplikuar me sukses në vende të tjera.
"One Stop Shop është një lehtësi e madhe për biznesin, por "One stop Shop" për licencat dhe lejet është një lehtësi akoma më e madhe, sepse ajo redukton shumë korrupsionin, redukton shumë kohën e marrjes së tyre. Unë kam besim se pas përfundimit të këtyre projekteve, së bashku do të parashikojmë projekte të tjera shumë të rëndësishme, me të cilat Shqipëria do të përmirësojë në mënyrën më thelbësore klimën e biznesit", tha Kryeministri.
Kryeministri siguroi stafin e ri të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit se qeveria do t’i mbështesë fuqishëm ata në përmbushjen e misionit të tyre.
Nga ana e saj, zonja Maria Longi, Drejtore për Programet e Pragut Korporata Sfida e Mijëvjeçarit, në përshëndetjen e saj në këtë ceremoni, theksoi se me përurimin e QKR-së po shikohen rezultatet konkrete të partneritetit të Shqipërisë me korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit.
"Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është e kënaqur që përpjekjet tona të përbashkëta bënë të mundur këtë ditë të rëndësishme për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri", tha zonja Longi. Ajo siguroi se Programi Prag do të vazhdojë të mbështesë reformat në fushën e regjistrimit të biznesit, si dhe në fushat e mbuluara nga dy komponentët e tjerë të projektit që janë administrata tatimore dhe prokurimi publik, si dhe pjesëmarrjen e komunitetit të biznesit në këto reforma.
Krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit është pjesë e reformave të administratës publike në Shqipëri, mbështetur nga marrëveshja Prag e Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë ndërmjet qeverisë së SHBA-ve dhe qeverisë së Shqipërisë, administruar nga USAID. Marrëveshja dyvjeçare prej 13.85 milionë dollarë mes qeverisë së Shqipërisë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit synon të reduktojë praktikat korruptive, të reduktojë informalitetin dhe të përmirësojë mjedisin për biznesin në Shqipëri, përmes një programi të bazuar në zgjidhje TI dhe të ndihmës ligjore e teknike. Përparimi në arritjen e objektivave të programit në administratën tatimore, prokurimin publik dhe regjistrimin e biznesit, do ta ndihmojë Shqipërinë të kualifikohet për statusin e kompaktit të Sfidës së Mijëçvecarit.