E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Me pushtetin lokal kemi vendosur një partneritet pa dallime partiake

Kryeministri Berisha tha sot, gjatë inaugurimit të rrugën Bathore–Zallherr, se partneriteti me qeverisjen vendore nuk ka njohur dhe nuk do të njohë dallime partiake. Duke përgëzuar kryetarin e komunës së Zallherrit për përkushtimin në punën e tij, Kryeministri tha se në këtë komunë, e cila qeveriset nga kryetar i një force tjetër politike, investimet kanë qenë dhe do të jenë pa asnjë dallim. “Kryetari i komunës se ka përfunduar urën, një investim shumë i rëndësishëm për zonën dhe po vazhdojnë kanalizimet. Zoti kryetar të garantoj e të siguroj se do të mbështes çdo projekt për ndryshimin e jetës së qytetarëve të Zallherrit.”

Kryeministri Berisha theksoi se partneriteti me pushtetin vendor drejtohet vetëm nga interesi i qytetarëve dhe i shërben vetëm përmirësimit të jetës së komunitetit. “Ne kemi vendosur një partneritet midis qeverisjes vendore dhe qendrore partneritet që në mënyrë kategorike nuk do të mund të ketë asnjë dallim nga ngjyrat partiake, por do të jetë në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë kudo që janë dhe ne do të përpiqemi t’ua përmirësojmë jetën. Kjo është motoja jonë.”

Kryeministri shprehu vlerësimet për komunat dhe bashkitë e vendit, të cilat kanë forcuar ndjeshëm kapacitetet investuese të tyre, një kusht themelor ky për zhvillimin e vendit. “Çfarëdo që të bëjë qeveria, - u shpreh Kryeministri - pa punën me përkushtim të qeveritarëve vendorë, pa monitorimin e projekteve prej tyre, Shqipëria nuk mund të zhvillohet. Shqipëria nuk zhvillohet vetëm nga gjërat kryesore që padyshim janë të rëndësishme, por edhe rrugicat e lagjeve, ku  jeton një komunitet dhe dëshiron një jetë normale.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›