E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet banorët e Bathores, gjatë turit “Shqipëria po ndryshon”

Në vazhdim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Berisha u ndal sot në bashkinë e Kamzës. Gjatë një takimi me banorë të Bathores, Kryeministri u shpreh:

“Ju falënderoj përzemërsisht për këtë takim spontan e vëllazëror. Shpreh kënaqësinë që sot, në përputhje me premtimet e bëra para jush në vitin 2005 dhe 2007, së bashku me kryetarin e bashkisë, ministrin Olldashi, deputetin Sula dhe zyrtarë të tjerë, ne kemi bërë një seri inaugurimesh të premtimeve të mbajtura.

Ne inauguruam rrugën e Laknasit, e standardeve më të mira të një rruge ndërkombëtare, investim prej 76 milion lekë, por që, për fat të keq, aty ku takohej me kryeqytetin përfundonte në baltë. Për kryetarin me korrespondencë të bashkisë së Tiranës, në të gjithë këtë hapësirë të mrekullueshme ekziston vetëm qendra e Tiranës dhe aspak periferia e saj.

Më pas inauguruam shkollën 9-vjeçare në Laknas, në mënyrë që nxënësit e kësaj zone të shkollohen në shkolla moderne të standardeve më të mira.

Inauguruam rrugën në lagjen Bathore 6, që me cilësinë e punimeve dhe të gjitha elementet e një rruge moderne, trotuaret, sistemin e ndriçimit, është e denjë për çdo qytet jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Europës.

Së bashku me kryetarin e komunës, inauguruam rrugën në Zallherr që shkon deri në Bovillë. Kryetari më informoi se në këtë komunë ka përfunduar edhe ura.

Inauguruam fazën e parë të ujësjellësit, ndërkohë që faza e dytë e tij do të vazhdojë me një investim prej 450 milion lekë. Ujësjellësi do të furnizojë me ujë 7 lagje të kësaj zone.

Një ndër inaugurimet më të rëndësishme ishte investimi prej 5 milion dollarë i rrjetit elektrik 20 kilovolt, me të cilin kjo zonë do të furnizohet me energji si të gjitha qytetet e mëdha të vendit. Gjithashtu janë edhe 7 milion dollarë të tjerë në investim e sipër për këtë linjë. Unë kam marrë shumë mesazhe dhe ankesa të drejta nga ju për rrjetin elektrik dhe dua t’ju garantoj se projekti i rrjetit tuaj elektrik është ndjekur me vëmendjen më të madhe nga unë dhe do të ndiqet deri në përfundim e plotë të tij.

Ne inauguruam sot rreth 850 milion lekë investime dhe rreth 1.5 miliard të tjera janë në investim e sipër dhe këtu nuk janë llogaritur investimet që ka bërë kryetari i bashkisë me të ardhurat që ka siguruar në bashkinë tuaj. Ai më informoi se këto të ardhura janë disa herë më të mëdha se tre vjet më parë. Në fakt, në tre vjet, Shqipëria nuk u bë 5 herë më e zhvilluar, por janë rritur 5 herë të ardhurat, sepse nuk vidhen dhe nuk përfundojnë në xhepat e kontrabandistëve dhe të zyrtarëve të korruptuar, por kthehen në rrugë, shkolla, ujësjellës, kanalizime dhe rrjete elektrike për ju.

Ne po i mbajmë dhe do t’i mbajmë premtimet tona. Unë kam kënaqësi të them se sot ne jemi vendi i shpresës së madhe. Sot, me mundin, djersën dhe mbështetjen e miqve tanë morëm ftesën për në NATO. Sot, me mundin dhe djersën tona mundëm të dalim në çatinë e botës si vendi për reforma.

Më keni dëgjuar me mijëra herë të shqipëroj fjalën reformë. Shumë herë kam pyetur veten se çfarë impakti ka kjo fjalë tek qytetarët. Por vendi dhe ne të gjithë, më shumë se për çdo gjë tjetër kemi nevojë për reforma. Janë pikërisht këto reforma që na bënë të mundur që, edhe ndonëse ulëm taksat më shumë se çdo qeveri tjetër në Europë, të vjelim 3.3 miliard dollarë më shumë se në vitet e qeverisjes kleptokratike të mëparshme. Janë këto reforma që më bënë të mundur të mbaj fjalët e mia para jush, të investoj në Kamzë në tre vjet më shumë se në 18 vitet të marra së bashku në këtë bashki. Janë këto reforma që na bënë të mundur t’i ndërrojmë faqen Shqipërisë dhe rrugëve të saj. Sot, nga Valbona në Konispol rrugët e vendit janë në ndërtim dhe të standardeve më të mira. Janë këto reforma që më bënë të mundur të shkoj drejt dyfishimit të pensioneve në fshat, të rris me 78 për qind pagave të mësuesve të fëmijëve tanë, me 80 për qind pagat e infermierëve, me 38 për qind pensionet. Janë këto reforma që ushtuan fuqishëm në mbarë botën dhe bënë që Shqipëria të klasifikohet e dyta në botë për sa i përket reformave.

Unë jam i vetëdijshëm se hallet dhe dertet tuaja, hallet e Kamzës, të Ishmit, të Burrelit, të Frashërit dhe Përmetit janë të shumta, por ju bëj thirrje t’i shtroni vetes pyetjen se kur janë zgjidhur më shpejt se sot këto halle, kur janë pakësuar më shpejt se sot këto halle.

Dy ditë më parë, një gazetar do të më pyeste se si po shpërndahen të ardhurat në Shqipëri. Në një sistem tregu, iu përgjigja, shpërndarja e të ardhurave përbën një problem dhe nuk ka dyshim që ka jo pak që pasurohen me shpejtësi dhe të tjerë që mbeten në halle e derte, por në tre vjet, 800 mijë familje shqiptare marrin një pagë më të lartë se kurrë më parë, e rritur në këto tre vjet më shumë se në 15 vjet, marrin një pension të rritur më shumë se në 15 vjet. Kjo është një formë e shpërndarjes, sikundër një shpërndarje është edhe se ne nuk po investojmë vetëm në Tiranë, por edhe në Valbonë, në Xarë, në Mokër, në Stëblevë, do të investojmë në Kalanë e Dodës, po ndërtojmë kudo rrugë moderne, ujësjellës, shkolla, do të ndërtojmë kudo mjedise në të cilat qytetarët tanë të jetojnë në zhvillim.

Ju siguroj se fjalët e mia do t’i shndërroj një për një në fjalë të mbajtura. Kontrata ime me ju është fjala e mbajtur.

Prej një vit e gjysmë, kreu i Partisë Socialiste ka ndërmarrë fushatën e shpifjeve, trillimeve dhe mashtrimeve, që në disa aspekte do t’ia kishte lakmi edhe ati i tij shpirtëror, diktatori gjakatar i shqiptarëve Enver Hoxha. Ai flet për qeverinë njësoj si Hoxha për imperializmin. Ai flet për Sali Berishën njësoj si Hoxha për udhëheqësit e vendeve të lira. Ai flet për sistemin që ndërtojmë njësoj siç flisnin udhëheqësit komunistë për kapitalizmin. Unë kam besim se ju do t’i rezervoni atij atë fund që meritojnë të gjithë ata që duan të ndërtojnë karrierën e tyre mbi mashtrimin tuaj dhe trillimin, të ndërtojnë karrierën mbi kthetrat e mafias që drejtojnë. Po të lexoni mediat që ai kontrollon, do të shihni se çdo ditë trillojnë, shpifin dhe mashtrojnë, do të shihni se si ushtrojnë moton ‘rroftë e liga, poshtë Shqipëria’. Ditën që Banka Botërore do të deklaronte se Shqipëria është e dyta në botë për reforma, në mëngjes fletushkat e Edvin Ramës do të hapeshin me tituj: Shqipëria, edhe 50 vende mbrapa në klasifikimin e investimeve. Kjo, sepse në teorinë e drurit të kuq, për të qytetarët janë drunj për t’u mashtruar, qytetarët janë qenie që besojnë çdo gjë që t’u servirësh, pranojnë çdo gjellë që  t’u gatuash. Por ka ikur tashmë ajo kohë. Ajo që ka mbetur është mendësia e tij e vjetër, frymëzimi i tij. Një njeri që ka kaluar fëmijërinë duke lëpirë bustet e Enver Hoxhës, nuk mund të ndërtojë të ardhmen në këtë vend.

Ju faleminderit.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›