Kryeministri Berisha inauguron 850 milion lekë investime në bashkinë e Kamzës

- “Qeveria po investon shumë për urbanizimin e këtyre zonave. Filozofia ime është të mbaj premtimet e mia, se këtë kërkojnë qytetarët nga unë”
Kryeministri Berisha ishte sot i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të disa investimeve të rëndësishme në bashkinë e Kamzës, me vlerë rreth 850 milion lekë.
Kryeministri Berisha tha se qeveria po investon shumë në urbanizimin e këtyre zonave. “Ka pasur nga ata ‘filozofë’ që pretendonin që në fillim të bëjmë urbanizimin dhe pastaj legalizimin. Por ne po bëjmë urbanizim, legalizim së bashku, në mënyrë që këtë banorë që janë shpërngulur këtu të ndjehen sa më të qetë në shtëpitë e tyre. Unë kam marrë zotime para tyre dhe kam kënaqësi që po i mbaj ato një për një. Unë jam njeri i fjalës së mbajtur. Filozofia ime është të mbaj premtimet e mia, se këtë kërkojnë qytetarët nga unë,” u shpreh Kryeministri.
· Gjatë vizitës në bashkinë e Kamzës, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të Fazës së parë të rrugës lagjja e Korçarëve. Rruga që lidh Laknasin me Tiranën është investim me vlerë 76 milion lekë.
Kryeministri Berisha e konsideroi këtë investim të rëndësishëm, pasi banorët e zonës tashmë lidhen me kryeqytetin me një rrugë të standardeve bashkëkohore.
Kryeministri u shpreh se kryetari i bashkisë së Tiranës duke u përqendruar vetëm në qendrën e saj, ka harruar periferinë dhe banorët e këtyre zonave. “Kjo sepse kryetari me korrespondencë i qendrës së Tiranës e ka mendjen vetëm tek qendra dhe ka harruar periferinë dhe Laknasi është shembulli më i dukshëm. Në rast se do ta linim Edi Ramën për ta shtruar rrugën, më parë mund të ndodhë dalja e tij nga politika, që mesa duket po afrohet, sasa do të asfaltohej rruga. Këto muaj po na çojnë drejt zgjedhjeve, prandaj ai është i shqetësuar, duke kaluar nga një dështim në tjetrin,” u shpreh Kryeministri.
· Kryeministri inauguroi gjithashtu fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9 vjeçare në Laknas, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 50 milion lekë. Shkolla do të jetë e pajisur me laborator informatike, bibliotekë dhe mjedise të tjera të përshtatshme për një mësimdhënie bashkëkohore.
Duke e konsideruar arsimin përparësinë absolute të qeverisë, Kryeministri Berisha tha se në këto tre vjet ka investuar në arsim 16 miliard lekë, kundrejt 7.8 miliard lekë që janë investuar gjatë periudhës së qeverisjes socialiste.
Kryeministri shprehu shqetësimin se problem për arsimin mbetet Tirana, për shkak se bashkia e kryeqytetit nuk realizon fondet për arsimin. “Për kryeqytetin, - tha Kryeministri - ne kemi përcaktuar shuma të mëdha. Qeveria i ka dhënë bashkisë së Tiranës mbi 2.2 miliard lekë për arsimin, por ajo po i djeg fondet dhe nuk po ndërton shkolla dhe kjo për arsyen e vetme se trojet për shkollat nuk mund të japin 10 përqindëshin e trojeve të pallateve.”
· Kryeministri inauguroi mbylljen e fazës së parë të linjës 20KW në Bathore, investim me vlerë 5 milion dollarë, që së bashku me investimin prej 7 milion dollarë në fazën e dytë të punimeve shkon në 12 milion dollarë.
“Ky është një investim shumë i rëndësishëm për këtë zonë, e cila ka një furnizim problematik me energji për shkak të ekspansionit shumë të shpejtë. Rrjeti ekzistues është i pamjaftueshëm. Faza e dytë në vazhdim është rreth 7 milion dollarë dhe investimi në total është rreth 12 milion dollarë. Gjithashtu KESH-i po punon dhe finalizimi i këtij investimi e bën rrjetin elektrik të kësaj zone të njëjtë me atë të Tiranës dhe qyteteve të tjera.” u shpreh Kryeministri.
· Më pas, Kryeministri u ndal në Bathore, ku përuroi përfundimin e fazës së dytë të rikonstruksionit të rrugës në lagjen Bathore 6. Rruga, e ndërtuar me të gjitha elementet e infrastrukturës moderne, është investim me vlerë të përgjithshme 126.8 milionë.
· Kryeministri inauguroi punimet përfundimtare të fazës së parë të ujësjellësit në Bathore. Pas kësaj faze, nis faza e dytë e ujësjellësit që së bashku me investimin e fazës së parë arrin në 500 milion lekë. Kryeministri e konsideroi këtë investim shumë të rëndësishëm që do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të 7 lagjeve të kësaj zone.
· Kryeministri Berisha inauguroi edhe rrugën Bathore–Zallherr. Rruga, 3.5 kilometra deri në Bovillë, është investim prej 51 milion lekë.