E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Investimet në zonën e Lezhës janë gjashtë herë më të larta se tre vjet me parë

Kryeministri Berisha përuroi sot pasdite fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Lezhë– Shëngjin, me gjatësi 2.8 kilometra dhe vlerë rreth 300 milionë lekë. Rruga do të jetë e gjerë 16 metër duke përfshirë korsinë për biçikleta, trotuaret dhe një ndriçim nga më bashkëkohorët. Kjo rrugë do të shkojë drejt Velipojës dhe Ulqinit, duke u shndërruar në një arterie e gjatë turistike.

“Ne po ndërtojmë një rrugë sipas standardeve më të mira evropiane.  Kjo rrugë, e cila do të lidhë qytetin e Lezhës me qytetin e Shëngjinit, do të jetë 16 metër e gjerë dhe do të ketë trotuare, korsinë e biçikletave dhe ndriçim nga me modernët. Kryetari i Bashkësisë së Tiranës do të gjeje këtu modelin se si të mos trembet nga biçikletat që ka zhdukur në kryeqytet, por ti riktheje ato tek qytetarët, ti rikthejë atyre dhe Tiranës mundësinë e përdorimit të këtij mjeti të shëndetshëm”, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha tha se qeveria është përqendruar fuqishëm në investimet në infrastrukturë. Një shembull për këtë janë dhe investimet në qytetin e Lezhës, ku Kryeministri tha se në tre vitet e fundit investimet janë 6 herë më të larta.

“Ne jemi përqendruar fuqishëm në investimet në infrastrukturë. Dua t’ju bëjë me dije se deri më tani investimet në rrethin e Lezhës, vetëm në tre vitet e fundit janë 6 herë më të mëdha, duke i krahasuar me investimet e 3 vjetëve më parë. Qyteti i Lezhës nuk është favorizuar pasi ky proporcion me investime është 2.5 herë më i lartë për Sarandën dhe për rrethe të tjera. Ne kemi shumëfishuar investimet dhe ky ka qenë rezultantja më direkte e luftës kundër korrupsionit”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri u shpreh se për këtë rajon ka patur një përkujdesje të madhe ku vetëm pak muaj më parë u inaugurua impiantin e ujërave të zeza, me vlerë mbi 3 milionë euro, në mënyrë që gjiri të mos marrë më ujëra të papastra. Porti i Shëngjinit është thelluar nga 4.2 metër në 7.3 metër thellësi. Për këtë rajon ka patur një përkujdesje të madhe dhe me përfundimin e kësaj rruge, e cila do të ecë me shpejtësi drejt Velipojës dhe Ulqinit duke u kthyer në një arterie turistike të gjatë”, vijoi më tej Kryeministri. 

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, ministri i Transporteve Punëve Publike dhe Telekomunikacionit z. Sokol Olldashi, deputetë të zonës, drejtues të pushtetit lokal dhe qytetarë, përshkroi në këmbë një pjesë të rrugës Lezhë– Shëngjin.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›