Kryeministri Berisha inauguron ujësjellësin e ri të Shëngjinit, me vlerë 3.2 milionë euro
Pasditen e sotme, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të fillimit të punimeve për ndërtimin e ujësjellësit të Shëngjinit, një tjetër investimi i rëndësishëm për këtë zonë. Ujësjellësi i Shëngjinit është parashikuar të ndërtohet në dy faza dhe arrin një vlerën prej 3.2 milionë euro. Kryeministri Berisha tha se brenda një kohe të shkurtër furnizimi me ujë i kësaj zone do të përmirësohet ndjeshëm dhe verën e ardhshme do të arrihet furnizimi me ujë 24 orë.
Po sot, Kryeministri Berisha inspektoi përfundimin e fazës së parë të mbylljes dhe kthimit të rrugë të kanalit të shkarkimit të ujërave të pa pastra në hyrje të qytetit të Lezhës. Ky projekt do të realizohet në dy faza dhe arrin një vlerë prej 75 milionë lekë.
Faza e parë e ndërtimit ka përfunduar, ndërsa faza e dytë e tij do të vazhdojë me sistemimin dhe asfaltimin e të gjithë rrugës. Ky kanal krijonte shumë probleme për qytetarët por dhe për prodhuesit e fabrikës “Eurofish”. Duke e cilësuar një investim shumë të rëndësishëm për zonën, Kryeministri Berisha u shpreh se në këtë mënyrë po zgjidhet një problem shqetësues që krijonte ky kanal. Kryeministri Berisha e ka vizituar këtë zonë rreth një vit më parë dhe i kishte premtuar banorëve se do të shikonte mundësitë e zgjidhjes së këtij problemi.
Sot, banorët e zonës, të pranishëm në këtë takim, e falënderuan Kryeministrin dhe shprehën mirënjohje për këtë premtimin të mbajtur. Gjithashtu, banorët e falënderuan Kryeministrin për një tjetër premtim të mbajtur, për ndërtimin e shkollës së re të kësaj zone.
Në përgjigje të tyre, Kryeministri tha se do të mbetet njeri i fjalës së mbajtur. “Unë do të mbetem njeri i fjalës së mbajtur. Motoja ime e thjeshtë është që të bëj të gjitha ato që premtoj. Premtimet e bëra do të gjejnë zbatim në të gjithë vendin”, tha Kryeministri.