Kryeministri Berisha: Qeveria, e vendosur ta bëjë Shqipërinë vendin më të preferuar për investimet e huaja
Kryeministri Berisha tha sot, në një takim me investitorë të huaj, se qeveria është e vendosur ta bëjë Shqipërinë vendin më tërheqës për investitorët e huaj. Gjatë këtij takimi, Kryeministri përshëndeti 7 vjetorin e krijimit të Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), duke e konsideruar këtë përvjetor një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për këtë organizatë, por edhe për zhvillimin e vendit.
FIAA, që përfaqëson komunitetin e biznesit të huaj në Shqipëri, është krijuar në vitin 2000 dhe ka 60 anëtarë. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për përpjekjet e këtyre investitorëve për të promovuar potencialet e Shqipërisë. Kryeministri theksoi se për qeverinë shqiptare asgjë nuk është më e rëndësishme sesa projekti, besimi dhe vendimi i sipërmarrësve për të investuar dhe vendosur ëndrrat e tyre në Shqipëri. Në këtë kontekst, Kryeministri siguroi se qeveria është plotësisht e angazhuar në realizimin e këtij qëllimi.
Duke vlerësuar arritjet dhe përformancën e ekonomisë shqiptare si rezultat i reformave të ndërmarra nga qeveria, Kryeministri përshëndeti edhe vendimin e grupit prestigjioz "The Economist" për mbajtjen në Tiranë në 31 tetor të këtij viti të konferencës së dytë ekonomike. Konferenca do të përqendrohet mbi zhvillimet ekonomike, klimën dhe identifikimin e mundësive të reja për biznes në Shqipëri. Kryeministri tha se ky eveniment është një mundësi e madhe për promovimin e zhvillimeve dhe të mundësive që ofron Shqipërisë.