E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Ju jap fjalën se në katër vitet e ardhshme, në Sauk do të bëhet urbanizimi total i zonës

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me qytetarë të Saukut. Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:

“Të dashur qytetarë të Saukut,

Mirëmbrëma. Ju përshëndes përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë time që takohemi sot në këtë shesh, pas katër vitesh në të cilat ne realizuam një nga ëndrrat më të mëdha, më të bukura të shqiptarëve, anëtarësimin e vendit në NATO. Takohemi sot, pasi me mundin dhe djersën tonë ne ia dolëm që Shqipëria të ngjitet në krye të rritjes ekonomike në kohën e krizës më të thellë në Europë dhe në botë.

Ne ia dolëm në katër vite që bizneset që ishin vetëm 40 mijë katër vjet më parë, sot të jenë 102 mijë të tilla në Shqipëri.

Në katër vite ne ia dolëm të shndërrojmë Shqipërinë në një vend lider në thithjen e investimeve të huaja. Kështu, vetëm 6 muajt e fundit, Shqipëria ka firmosur mbi 5 miliardë euro investime në hidrocentrale, porte, miniera, parqe energjetike, etj.

Në katër vite, ne punësuam rreth 80 mijë shqiptarë dhe kemi hedhur bazat, në katër vitet që vijnë, për punësimin e më shumë se 160 mijë shqiptarëve.

Në katër vite, ne dyfishuam pensionet e të gjithë fermerëve të Shqipërisë dhe rritëm me 50 – 70 për qind pensionet e tjera.

Këtu, në Sauk, ne investuam për rrugën rreth 1.3 milionë euro. Kemi investuar në rrjetin energjetik të zonës 1.5 milionë euro, kemi investuar për infrastrukturën e ujësjellësit 160 milionë euro. Por, ju, banorë të Saukut, përballeni me trysninë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili lakmon pronat tuaja, lakmon tokat tuaja. Ndaj unë jam sot këtu për t’ju dhënë fjalën se do të jem avokati kryesor i pronave tuaja dhe se Edi Rama nuk do të mund të prekë as edhe një metër katror, përveçse duke e shpërblyer atë me vlerën e plotë të tregut.

Në mënyrë të përsëritur, qytetarët e Saukut, me mesazhet e tyre më shprehin shqetësimin për furnizimin me ujë të zonës. Kemi investuar dhe unë ju garantoj se brenda gjashtëmujorit të parë të vitit që vjen ju do të keni infrastrukturë të plotë ujore, do të keni ujë pa ndërprerje. Sikundër ju premtoj ju se do rindërtojmë dhe ndërtojmë të gjitha shkollat e zonës suaj, me përparësi të madhe.

Punësimi është krye - objektivi i programit të qeverisë sime. Me të gjitha projektet e mëdha që kemi para. Me 6 parqet e mëdha industriale, me mbi 104 hidrocentrale, me dhjetëra fabrika, e parqe të tjera, unë ju garantoj se në katër vjet do të punësohen 160 mijë qytetarë. Sikundër, gjatë këtij mandate, ne do të bëjmë që çdo qytetarë shqiptar me ndihmë ekonomike,të marrë më shumë se 60 dollarë në muaj. Do të bëjmë që të gjitha rrogat e pensionet tuaja të jenë më të mëdha se ato të qytetarëve në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian.

Ju bëj thirrje që, në 28 qershor, ju, që katër vite më parë gjunjëzuat “mamutin” e korrupsionit dhe që unë nuk  jua harroj kurrë këtë, të ripërtërini besimin ndaj meje. Ju jap fjalën se në Sauk do të bëhet urbanizimi total, se në Sauk, nuk do të le metër katror të pa asfaltuar, se në Sauk do të sigurojmë ujë 24 orë, se në Sauk, bashkia e Tiranës  nuk do të mund të prekë asnjë metër katror, përveç se me vlerën më të madhe të tregut, për ndërtimin e unazës së re.

Ju bëj thirrje socialistëve të Saukut, që katër vite më parë mund të mos kenë votuar për ne, bashkohuni sot me ne. Bashkohuni  me ne, sepse me ne ju bashkon ëndrra atlanciste që ne shndërruam në realitet, anëtarësimi në NATO. Me ne ju bashkon lëvizja e lirë që ne do të garantojmë brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë. Me ne ju bashkon dyfishimi i pensioneve për të gjithë fermerët, ju bashkon rritja e tyre me 50-70 për qind për të të tjerët, ju bashkon vendimi ynë për të parakaluar 6 vende anëtare të BE-së për sa i përket rrogave dhe pensioneve. Me ne ju bashkon lufta jonë e pamëshirshme kundër varfërisë dhe nxjerrja e 400 mijë shqiptarëve nga varfëria. Me ne ju bashkon projekti europian i Saukut, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Me Edi Ramën nuk ju bashkon asgjë dhe unë jua them këtë me bindjen më absolute.

Socialistë të Saukut dhe të mbarë Shqipërisë,

A nuk ishte Edi Rama që votoi çdo ditë në parlament kundër rritjes së pensioneve tuaja? A nuk ishte Edi Rama në muajin prill që filloi t’u bjerë sirenave duke thënë; mos rrit rrogat dhe pensionet se kështu po thotë Fondi Monetar Ndërkombëtar?. A nuk ishte Edi Rama që u thoshte pronarëve shkoni tek partia juaj? Të gjithë socialistët pronarë të vijnë te partia jonë. A nuk ishte Edi Rama që qytetarëve që prisnin legalizimin, disave prej tyre u thoshte eskimezë, të tjerëve çeçenë?  Ndërsa tani del dhe u thotë se do të krijojë komitetin e shpëtimeve. Komitetin e mashtrimeve do të krijojë. Të gjitha legalizimet do t’i bëjmë ne. A nuk ishte Edi Rama që përpjekjen time të ndershme për t’u dhënë vlerë letrave me vlerë, për të njohur detyrimin ndaj tyre, i quajti një blof ato, në një kohë kur 500 mijë shqiptarë kanë të drejtë t’i shesin ato dhe të marrin para prej tyre. Ndërkohë që 600 mijë qytetarë të tjerë kanë të drejtë t’i blejnë ato dhe të lehtësojnë barrën e pagesë së legalizimit. Atëherë le ta pyesim pak; Zotëri, ti nuk je për rritjen e pensioneve, ti nuk je për rritjen e rrogave, ti nuk je për letrat me vlerë. Por për çfarë je? Ti je për lejet e ndërtimit. 

Edhe njëherë unë ju ftoj që në datën 28 qershor të marrim pjesë të gjithë në këto votime, të verifikojmë sot pasdite, nesër në mëngjes, të telefonojmë, të pyesim çdo mik, çdo të afërm a e keni marrë apo jo letërnjoftimet dhe nëse jo, le të shkojnë këto dy ditë t’i marrin ato. Letërnjoftimet e reja janë dëshmitë më moderne të identitetit në Europë, ato na barazojnë me të gjithë qytetarët Europianë.

Këto letërnjoftime janë gjithashtu të domosdoshme për të dëshmuar se, në 28 qershor do të zhvillojmë  zgjedhjet më të bukura, zgjedhjet më të mira, zgjedhjet më të lira në historinë e këtij vendi.

Rroftë Sauku, rroftë Shqipëria”.


16/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›