E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Shkozë: Bashkohuni me ne, sepse ne kemi mbajtur dhe mbajmë premtimet tona

Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me banorë të Shkozës, në Tiranë. Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkozës,

Vëllezër dhe motra,

Zonja dhe zotërinj,

Ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh për mbështetjen e fuqishme që ju i  dhatë Partisë Demokratike dhe qeverisë sime. Shpreh kënaqësinë që sot takohemi në Shkozë, pasi kemi anëtarësuar vendin në NATO dhe mblidhemi këtu si qytetar të një vendi anëtar të NATO-s. Takohemi këtu pasi i’a kemi dalë të dyfishojmë pensionet për mbarë fermerët shqiptarë, ti rrisim ato 50-70 për qind për të gjithë pensionistët në qytet.  Ne i’a kemi dalë të dyfishojmë rrogat e mësuesve të fëmijëve tanë, të infermierëve dhe të mjekëve. Ne i’a kemi dalë të lartësojmë emrin e Shqipërisë, ta vendosim atë të dytën në botë për klimën e biznesit, në krye në rajon për luftën kundër korrupsionit, t’a shndërrojmë Shqipërinë në vend lider për thithjen e investimeve të huaja, t’a përgatisim atë që brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë ju të lëvizni të lirë, pa viza, në mbarë Evropën.

Por, unë kërkoj votën tuaj, kërkoj besimin tuaj para së gjithash për të punuar së bashku për Shkozën, për të ndërtuar këtu shkollën e re 9-të vjeçare, qendrën e re shëndetësore, për të përfunduar regjistrimin e të gjitha banesave të ndërtuara para vitit ’91, legalizimin e të gjitha banesave në këtë zonë dhe kompensimin e plotë të pronarëve.

Vëllezër dhe motra,

Bashkia e Tiranës po ndërton këtu banesa sociale. Një grup qytetarësh kanë paraqitur pretendimet e tyre me dokumente se janë pronarë të tokës. Unë i them zotit Rama; do të zgjidhësh problemin e pronësisë me qytetarët. As edhe një metër katror tokë të ndokujt, nuk të lejoj të marrësh. Është e vërtetë që toka të ka ardhur me vendim të Këshillit të Ministrave, por kjo nuk do të thotë që mund të bësh edhe veprimin e vetëm më të vogël për të problemin e pronësisë. Mos spekulo, sepse toleranca, absolutisht, do të jetë zero. Anëtarët e Këshillit Bashkiak në mbledhjen më të afërt do të marrin vendimet. Po e provuan me dokumente se toka ka pronar, do të jesh i detyruar të arrish marrëveshje me ta për t’u dhënë atyre dy, apo sa është ligji përkatës, dhe për të vazhduar punën. Ato kate që do i ndash me Edil-in tënd do t’ua japësh qytetarëve që u takon.

Qytetarë dhe qytetare të Shkozës,

Jam sot këtu për të kërkuar votën tuaj, duke u zotuar se do të urbanizojmë çdo cep të Shkozës, se do të asfaltojmë të gjitha rrugët dhe rrugicat tuaja, se do të garantojmë ujë 24 orë për ju dhe se pensionistët e Shkozës dhe të mbarë Shqipërisë, punonjës të Shkozës dhe të mbarë Shqipërisë në fund të katër viteve të ardhshme do të kenë rroga dhe pensione më të mëdha se sa qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Thirrja ime vëllazërorë për ju të gjithë është që më 28 qershor të marrim pjesë të gjithë në votime. Qytetarë dhe qytetare të Shkozës, demokratë, socialistë dhe të të gjitha bindjeve, bashkohuni me ne në projektin e Shkozës evropiane, Tiranës evropiane, Shqipërisë evropiane. Bashkohuni me ne, sepse ne kemi mbajtur dhe mbajmë premtimet tona, bashkohuni me ne, sepse ëndrra evropiane nuk është vetëm ëndrra e një partie, por është ëndrra e mbarë kombit. Por, ne që bëmë realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve, ne bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve.

Çdo socialist të Shkozës dhe të mbarë Shqipërisë e ftoj vetëm një minutë të mendoj me cilin ndjehet më afër, me Sali Berishën, me anëtarësimin në NATO, me dyfishimin e pensioneve, me modernizimin e shkollave, me modernizimin e infrastrukturës së vendit apo me Edi Ramën? Absolutisht që çdo shqiptar, përveç 99-ave të Edi Ramës, është dhjetë herë më afër me mua se sa me atë. Zoti Rama doli më së fundi në Farkë dhe u deklaroi zgjedhësve se letrat me vlerë të Berishës ishin një bllof. Zoti Rama, letrat me vlerë të Berishës janë një detyrim ligjor, të cilin Berisha nuk e mohon, të cilit unë do i qëndroj deri në fund. Me letrat  me vlerë, unë kam pasur dhe kam dy qëllime. Së pari, nga letra të vdekura në xhepat e qytetarëve, t’i shndërrojmë në letra të vlefshme në treg dhe ata të përfitojnë. Së dyti, letrat me vlerë, zoti Rama, janë tregues shumë i ndershëm, sepse kam afruar për to një treg shumë më të madh se sa ishte parashikuar. Së treti, edhe ata, të cilët ti i quan një herë eskimezë dhe një herë tjetër çeçen, edhe ata unë i konsideroj qytetarë të nderuar dhe dua t’ua lehtësoj barrën e legalizimeve.

Qytetarë dhe qytetare të Shkozës,

28 qershori po vjen, thirrja ime vëllazërore është që këto dy ditë, nesër dhe pasnesër, verifikoni çdo mik tuaj, çdo shok, çdo shoqe apo të afërm nëse i kanë marrë apo jo letërnjoftimet e reja. I merrni ato, i merrni ato të votojmë, më mirë, më bukur se kurrë ne jetën tonë.

Votoni 10-ën, 10-a është morali juaj, 10-a është më e mira, 10-a është familja juaj, 10-ë është vendi juaj, 10-ë është projekti ynë evropian, 10-ë është Partia Demokratike.

Rrofshi ju!

Rroftë Shqipëria!”


16/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›