E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Qytetin Studenti: Shqipëria do të marrë fytyrën tuaj, ju jeni imazhi europian i saj

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim me të rinj e studentë, në qytetin Studenti. Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur studentë,

Të rinj dhe të reja,

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më vëllazërore. Ndihem shumë i gëzuar që gjendem sot tek ju, tek studentët e Tiranës. Për mua dhe për Shqipërinë ju jeni burimi më i fuqishëm i shpresës, i besimit tek Shqipëria europiane, tek integrimi europian.

19 vjet më parë, ju mbushët këtë shesh me thirrjen “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. 19 vjet më parë, shoqëria shqiptare përjetonte mungesën e plotë të lirive, përjetonte pasojat e tmerrshme të izolimit më të thellë, përjetonte mjerimin skllavërues. Por në mendjen dhe zemrën e të rinjve shqiptarë, ideali europian, ideali i Shqipërisë europiane, ishte ideali i parë i tyre. Ndaj dhe ata mbushën këtë shesh, rrugët dhe sheshet e Tiranë me kushtrimin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Sot, ja ku jemi sërish këtu. Por ju që jeni sot këtu, jeni gjenerata më e lumtur e shqiptarëve, sepse ju jeni gjenerata e lirisë, ju nuk përjetuat as edhe një ditë tmerrin shpirtëror të mungesës së lirive, ju nuk përjetuat as edhe një ditë pasojat e izolimit të thellë, ju nuk përjetuat mjerimin skllavërues që përjetuan gjeneratat para jush. Ju jeni gjenerata e NATO-s, ju jeni ata të cilët Shqipërisë do t’i jepni shpejtësi të papara në rrugën e zhvillimit. Historia e njerëzimit provon se ëndrra e lirisë është forca më e fuqishme e transformimeve mbi tokë. Askund ajo nuk është më e madhe, më e fuqishme, sesa në mendjet tuaja.  Ju jeni zemrat dhe mendjet që bartën ëndrrën europiane të kombit. Ju jeni ata të cilët do ta shndërroni atë me shpejtësi në realitet. Imagjinata juaj, vizioni juaj, nuk njohu trysni dhe diktatura, por njohu liri, liri dhe vetëm liri.  

Në këtë aspekt, ju jeni pararendësit e të ardhmes së këtij kombi.

Ndaj unë dhe qeveria ime do të bëjmë çdo gjë për suksesin tuaj në jetë, do të bëjmë gjithçka që ju të fluturoni si zogj të lirë, pa viza, në mbarë Europën. Do të bëjmë gjithçka, së bashku me ju, që vendi juaj të marrë fytyrën tuaj, që ju të jeni imazhi europian i Shqipërisë.

Studente dhe studentë,

Në këtë shesh, 19 vjet më parë u ndesh Davidi me Goliathin. Davidi ishit ju, Goliathi ishte diktatura më e egër në Europë. Ju e gjunjëzuat atë.

Pas 19 vitesh, 3 javë me parë, në këtë shesh, u shfaqën si kapuçonë bijtë e etërve që ne i përmbysëm pikërisht këtu. Ata më ngjanin si mbeturina të ushtrive të shpartalluara që shkojnë e rikthehen në vaterlonë e tyre.

Unë i them zotit Rama: Ja ku jam me këta student. Atë që u bëra etërve në vitin ’92, atë që u bëra bijve në vitin 2005, do t’ua bëjmë sërish në vitin 2009, do t’ua bëjmë në vitin 2017.

Studentë dhe studente,

Unë ju garantoj se shkollimi juaj ka qenë dhe mbetet çështja më kryesore e imja. Zhan Zhak Ruso, njëri nga korifejtë e mendimit njerëzor, shkruan diku se ”është njëmijë herë më mirë të mundohesh duke mësuar sesa të mbetesh injorant në pleqëri”. Ndaj edhe unë do të bëj çdo investim për modernizimin e universiteteve shqiptare, për kampuse më moderne, për kushte më të  mira, për cilësi më të lartë. Unë do të bëj çdo gjë që ju dhe mbarë të rinjtë shqiptarë, të përjetoni moshën dixhitale, të keni kompjuter në çdo dhomë, të keni kompjuter në çdo shtëpi.

Studente dhe studentë,

Katër vitet që shkuan, me idealet tuaj europiane, me forcën e pashtershme të tyre, ne anëtarësuam Shqipërinë  në NATO. Kudo që ju të udhëtoni tashmë, udhëtoni si të rinj të një vendi anëtar të NATO-s.

Katër vitet që shkuan, me reforma të thella, me mund, me djersë, ne ia dolëm të vendosim Shqipërinë, dikur vendi ndër më të varfrit në planet, në krye të rritjes ekonomike në Europë. Aty do të qëndrojë Shqipëria, aty do ta mbani ju.

Në katër vite, ne ia dolëm të krijojmë 80 mijë vende pune. Bizneset në Shqipëri, nga 40 mijë të tilla që ishin 4 vjet më parë, janë sot 102 mijë. Sot Shqipëria është e gatshme për miliarda e miliarda dollar investime në hidrocentrale, porte, aeroporte, autostrada, etj. Shqipëria pas katër vitesh do të ketë fytyrën tuaj.

Por vendimtare për këtë, është uragani juaj i lirisë, është përkushtimi juaj. Këto ditë që na ndajnë nga zgjedhjet e 28 qershorit, askush më shumë se ju, nuk mund të bindë çdo qytetar shqiptar për të votuar projektin e Shqipërisë europiane, projektin e shpirtit dhe ëndrrave tuaja. Ju keni të drejtën më të madhe morale të ftoni çdo qytetar të këtij vendi, pavarësisht nga bindjet e tij, të bashkohet me ne për Shqipërinë europiane, të bashkohet me ne për projektin më madhështor të këtij kombi, për veten e tij, për familjen e tij, për fëmijët e tij dhe vendin e tij. Të bashkohet me ne, sepse ky projekt bën që qytetarët shqiptarë të gëzojnë kushte e jetës, të punës, të mësimit, të shërbimeve, që gëzojnë qytetarët e vendeve anëtare të BE-së.

Në këtë projekt, disa nga objektivat kryesorë janë:

Së pari, Shqipëria në vitin 2013, me numër studentësh më të lartë se mesatarja e BE-së, sepse ne jemi më të rinjtë në Europë, sepse ne kemi më shumë si ju. Në këtë mënyrë, ne bëjmë investimin më madhor për të ardhmen tonë.

Në katër vite, unë së bashku me ju, do të bëjmë që Shqipëria të ketë një infrastrukturë tërësisht të re dhe moderne, do të bëjmë që shqiptarët të udhëtojnë në rrugët më të mira dhe më të shkurtra në vendin e tyre.

Rrugët kushtojnë shumë, por asgjë nuk kushton më shumë sesa koha juaj, asgjë nuk kushton më shumë se koha e qytetarëve shqiptarë.

Në katër vite, ashtu siç lamë pas terrin nga ndërprerjet e energjisë elektrike, ne do të lëmë pas mungesën e ujit të pijshëm në të katër anët e Shqipërisë.

Në katër vite, mësuesit shqiptarë, pedagogët tuaj, do të paguhen më mirë se ata të 6 vendeve anëtare të BE-së.

Studente dhe studentë,

19 vjet më parë në këtë shesh, një student u ngrit dhe u vendos në “zenitin” e lirisë së shqiptarëve. Ai shoqërohej nga një grup studentësh dhe studentesh trima. Ai është tribuni i lirisë së shqiptarëve, Azem Hajdari. Takimi im i parë në jetën time me të, ka  ndodhur në rrugën e Elbasanit që të çon drejt sheshit. Ky student trim ngrihej mbi supet e shokëve të tij, duke brohoritur “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ndaj, le të punojmë të gjithë së bashku që me zgjedhjet e 28 qershorit, Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Europa votoi blu. Për ju, për shqiptarët, çdo votë majtas është votë pas, është votë për të shkuarën. Ndaj le të bashkohemi të gjithë, të votojmë për veten tonë, të votojmë për Tiranë europiane, për idealet tona europiane, për Shqipërinë europiane.

Në 28 qershor le të rikthejmë fitoren e marsit të vitit 1992. Unë ju ftoj ju, ftoj rininë e mbarë Shqipërisë, ftoj të gjithë studentët shqiptarë, që në datën 26 qershor të mblidhemi të gjithë për të kënduar këngën e fitores që meritojmë.

Rroftë rinia shqiptare, rroftë Shqipëria”.                                  


16/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›