Kryeministri Berisha: Të bashkohemi sëbashku në projektin europian të ndërtimit të Elbasanit dhe Shqipërisë moderne
Kryeministri Berisha zhvilloi sot në mbrëmje një takim elektoral me qytetarë të Elbasanit. Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Qytetare dhe qytetarë të Elbasanit,
Gara është e jona! Fitorja është e jona. Rrofshi ju! Rroftë fitorja!
Ju sjell përshëndetjet më vëllazërore të Tiranës, Vlorës, Fierit, Lushnjës, Gjirokastrës, Sarandës, Dibrës, Shkodrës e mbarë Shqipërisë. Ditët e fundit të fushatës, drita e fitores po vërshon në çdo qytet e fshat të këtij vendi, në çdo zemër të shqiptarëve, djemve e vajzave, të rinjve e të rejave. Ne jemi sot, fitimtarë.
Ne jemi ata të cilët, me një fitore plebishitare, vendosim të ndërtojmë Elbasanin europian, Shqipërinë europiane. Jam sot tek ju për t’ju bërë thirrje mbarë shqiptarëve të bashkohen me Elbasanin, të bashkohen me ju në projektin tonë të madh, në ëndrrën më të bukur, më fisnike më madhështore të të gjitha kohërave, ëndrrën europiane të qytetarëve të Elbasanit, të qytetarëve shqiptarë.
Fitorja po ecën me shpejtësi, me madhështi të paparë drejt datës 28. Më 28 qershor, të ftojmë sëbashku, të gjithë qytetarët e Elbasanit, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, të bashkohemi, të bashkohemi me njëri-tjetrin, së bashku të votojmë për ëndrrën europiane si projekti më i bukur për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë. Të bashkohemi në projektin e Elbasanit europian, të Shqipërisë europiane. Të bashkohemi në idealet tona europine për të krijuar në Shqipëri 160 mijë vende pune. Vetëm në qarkun tuaj nis ndërtimi i 20 hidrocentraleve, ndër të cilat gjigandi i Europës, kaskada e Devollit, që të gjitha sëbashku janë investim prej 1.6 miliard euro. Elbasani do ketë një nga parqet më dinamike industriale. Elbasani do të shndërrohet në Elbasanin turistik. Ndaj unë ju jap fjalën se të gjitha vendet e mrekullueshme turistike të këtij qyteti e rrethi do të kenë infrastrukturën moderne, Gjinari, Stërbleva e të gjitha zonat e tjera tuaja. Banorëve të Dumresë ju premtoj përfundimin e të gjithë infrastrukturës moderne që i lidh me Elbasanin, me Kuçovën, me Beratin e mbarë Shqipërinë.
Nga Elbasani, dua t’ju premtoj qindra e mijërave qytetarëve shqiptarë që presin me padurim legalizimin e shtëpive të tyre, legalizimi është vepra jonë, është premtimi ynë, është fjala jonë e dhënë. Unë ju garantoj ju se kjo qeveri ka përgatitur çdo gjë dhe po legalizon jo më pak se 5 mijë banesa çdo javë. Ju bëj thirrje hidhuni të gjithë në tregun e letrave me vlerë. Fjala ime e nderit është se 80 përqind të vlerës tërësore të legalizimit do ta paguani me letra me vlerë.
Qytetare e qytetarë të Elbasanit,
Për Shqipërinë, për kombin, qyteti juaj ka qenë djepi i dijes dhe arsimit. Jam sot për t’u zotuar para jush për mbështetjen e fuqishme e totale për universitetin tuaj, për kampusin e ri në Krastë dhe Krastën, një nga zonat tuaja më të zhvilluara.
Qytetare e qytetarë të Elbasanit,
Këto dy ditë, që na ndajnë nga mbyllja e fushatës, me ëmbëlsinë tuaj shpirtërore, me bardhësinë tuaj shpirtërore trokisni në çdo zemër të çdo miku, shoku, shoqeje, të afërmi, të njohuri, bëjeni atë për vete, bindeni të firmosë sëbashku me ne, projektin europian të Elbasanit.
Vota sëbashku me ne është votë për ëndrrën më të bukur, është votë për rroga e pensione më të larta, se në 6 vende anëtare të Bashkimit Europian, është votë për infrastrukturën më moderne jo vetëm për qytetin, por të çdo fshati e komune të këtij rrethi e të mbarë Shqipërisë, është votë për autostradën e re Elbasan-Tiranë, është votë për autostradën e re Qukës-Qafë Plloçë-Pogradec, është votë për fermat tuaja të zhvilluara. Jam sot këtu, për t’u dhënë fjalën fermerëve të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Dumresë se qeveria ime do të financojë çdo rrënjë ulliri që ju do të mbillni në tokat tuaja, çdo dru frutor që do të mbillni në bahçet tuaja, do të financojë të gjithë akcizën e naftës, inputet bujqësore për sipërfaqen e mbjella, do të financojë çdo projekt tuajin për agrobiznesin dhe përpunimin e prodhimit.
Qytetare e qytetarë të Elbasanit,
Në 28 qershor votoni 10-ën. Votoni idealin tuaj europian, idealin e Kristoforidhit dhe të burrave të mëdhenj të kombit dhe Elbasanit. Votoni 10-ën. 10-ta jeni ju vetë, 10-ta është ideali juaj, fëmijët tuaj të bukur, familjet tuaja të mrekullueshme, është Elbasani, qyteti i përjetshëm i shqiptarëve, është Shqipëria blu, është Partia Demokratike, është Europa blu që mezi pret Elbasanin e Shqipërinë blu, për lëvizjen e lirë në mbarë kontinentin në vitin e parë të mandatit tonë të dytë.
Rroftë Elbasani!
Rroftë Shqipëria!
Rroftë fitorja!
Më 26 qershor, burra e gra, djem e vajza, të gjithë në sheshin “Skënderbe” të festojmë fitoren me Tiranën dhe mbarë Shqipërinë.
Gëzuar!
24/06/2009