E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e BEDZ angazhohen për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e energjisë

Krerët e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ) dolën ditën e hënë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën rikonfirmuan vendosmërinë për një bashkëpunim më të ngushtë në fushën e energjisë. Vendet anëtare të kësaj nisme u angazhuan të bashkëpunojnë edhe në fusha të tjera si ajo e transportit dhe mjedisit.

Në Samitin e BEDZ, i cili u mbajt në Stamboll, me rastin e 15 vjetorit të krijimit të kësaj nisme, morën pjesë kryeministri Sali Berisha, kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, Presidenti rus, Vladimir Putin dhe drejtues të lartë të vendeve të rajonit të Detit të Zi.

Orientimi i kësaj organizate drejt projekteve të studiuara ishte një nga pikat më kryesore të takimit.
"Duke njohur rëndësinë e energjisë si një element thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm, dhe të vetëdijshëm për rolin dhe potencialin e mëtejshëm të zgjerimit të zonës së Detit të Zi, përsa i përket burimeve energjitike, duke përfshirë edhe energjinë elektrike, dhe për profilin e saj si një korridor tranzit për naftën dhe gazin kryesisht në drejtim të Europës, ne rikonfirmojmë vullnetin tonë për të thelluar bashkëpunimin në fushën e energjisë", thuhet në deklaratën e përbashkët të krerëve të shteteve dhe qeverive anëtare të BEDZ.
Ky angazhim vjen si pasojë e interesave të prodhimit të energjisë, të vendeve konsumatore, vendeve të tranzitit, si dhe bashkëpunimit me vendet e Bashkimit Europian dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.
"Bashkëpunimi synon sigurimin e një aksesi të barabartë në burimet dhe tregun e energjisë, mbi baza reciproke nga të gjitha vendet e interesuara për të përmirësuar furnizimin global me energji, konkurencën dhe mbrojtjen ndaj mjedisit në mënyrë efiçente," vlerëon më tej deklarata.
Gjatë këtij samiti Bashkimit Europian i'u dha statusi i vëzhguesit në BEDZ, duke i hapur rrugën një bashkëpunimi më të ngushtë me bllokun europian.
"Kjo do të mundësojë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Organizatës së BEDZ dhe BE-së, të cilët mund të krijojnë një partneritet të ri dhe instrumentat e nevojshëm për zbatimin e projekteve dhe veprimtarive të miratuara në shkallë rajonale", thuhet më tej në deklaratë.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare e cilësuan BEDZ si një organizatë të rëndësishme për rajonin, e cila lidh në mënyrë institucionale këto vende dhe mundëson forcimin e mëtejshëm të rolit dhe bashkëpunimit të organizatës në rajon.
Përfaqësuesit e organizatave vëzhguese dhe bashkëpunuese të BEDZ si; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli, PNUD dhe Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, diskutuan rreth mundësive të zgjerimit të bashkëpunimit me nismën e Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›