E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sqarim i Zëdhënësit të Kryeministrit, z. Dritan Mishto

Lidhur me një artikull të botuar në numrin e sotëm të gazetës "Panorama", me titull: "Berisha – Tadiç përplasen për pavarësinë e Kosovës", në hyrje të të cilit thuhet se në shenjë proteste ndaj replikës së Tadiç, Kryeministri Berisha është larguar nga salla ku zhvillohej samiti, zëdhënësi i Kryeministrit deklaron se kjo nuk është aspak e vërtetë.
Gjatë punimeve të Samitit krerët e delegacioneve pjesëmarrëse kanë dëgjuar njëri – tjetrin në fjalimet dhe diskutimet e tyre. Kryeministri z. Sali Berisha pas fjalës së tij ka ndjekur edhe fjalën e programuar të zyrtarit vijues. Gjithashtu ai ka qëndruar në sallë edhe gjatë fjalës së Presidentit Serb Tadiç.
Më pas, Kryeministri z. Sali Berisha ka vazhduar axhendën e tij me takimin bilateral të rradhës.
Zhvillimi i punimeve të Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Detit të Zi është një mundësi që zyrtarë të lartë të shteteve pjesëmarrëse të zhvillojnë takime mes tyre.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›