Kryeministri Berisha takon Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim
Kryeministri Berisha zhvilloi sot pasdite një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), zotin Walter Fust.
Kryeministri Berisha e falenderoi zotin Fust për ndihmën dhe kontributin që qeveria zvicerane ka dhënë për projektet, në mbështetje të reformave politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, si dhe për realizimin e një sërë programesh dhe projektesh në fushën sociale dhe në drejtime të tjera të rëndësishme, si përmirësimin e infrastrukturës, energjinë, furnizimin me ujë të pijshëm, etj.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave të ndërrmarra nga qeveria shqiptare në fusha me rëndësi jetike për vendin, duke u ndalur veçanërisht në prioritet e qeverisë për të ardhmen. Kryeministri e njohu zotin Fust me reformat e ndërrmarra në sistemin arsimor dhe atë shëndetsor, të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së edukimit dhe rritjen e nivelit të kujdesit shëndetsor.
Në këtë kuadër, Kryeministri e njohu zotin Fust me nismën e qeverisë "Shqipëria në moshën e internetit", e cila do të bëjë të mundur përdorimin në masë të internetit nga të rinjtë në shkolla dhe qendra te ndryshme, nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të teknologjive të informacionit.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për mundësinë e bashkëpunimit për projekte të ndryshme sociale, siç është projekti në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar që ka si qëllim trainimin dhe punësimin e tyre.
Nga ana e tij, zoti Fust e falenderoi Kryeministrin Berisha për bashkëpunimin e frytshëm dhe të sukseshëm me qeverinë shqiptare, në të gjitha projektet e realizuara dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.