E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Arsimi profesional, sfida e më e vështirë dhe më e rëndësishme

-Kryeministri Berisha tha se kjo Akademi është një institucion jashtëzakonisht i çmuar dhe duhet të përpiqemi ta përhapim edhe në universitete  të tjera

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në mbledhjen e parë të Këshillit të Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP), në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, një praktikë kjo që përbën risi në sistemin e arsimit të lartë shqiptar, por dhe një hap të rëndësishëm drejt afrimit të diplomave universitare me nevojat e ekonomisë së tregut.

Duke falënderuar ambasadën dhe qeverinë gjermane për këtë projekt të shkëlqyer në morinë e qindra projekteve të tjera që ata kanë sjellë në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se për qeverinë arsimi është dhe do të mbetet përparësia më e madhe, por arsimi profesional aktualisht është sfida e më e vështirë dhe më e rëndësishme.

“Për qeverinë tonë arsimi është dhe do të mbetet përparësia më e madhe, por arsimi profesional aktualisht është sfida më e vështirë dhe më e rëndësishme.
Për vetë historikun e tij, shembja pothuajse në tërësi e arsimit profesional në vitet e para të tranzicionit dhe ecja me shpejtësi e tregut dhe sektorëve të tij, "ka një uri" të vërtetë për këtë lloj arsimimi. Përpjekjet tona duhet të jenë shumë më energjike dhe qeveria i përballon këto kërkesa nëpërmjet hapjes ndaj sektorit privat dhe shndërrimit të tij në një faktor kryesor për arsimin profesional”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha u shpreh se Akademia që themelohet sot është një institucion jashtëzakonisht i çmuar dhe këtë shembull duhet të përpiqemi ta përhapim edhe në universitete  të tjera.

Duke u ndalur në arsimin e lartë, Kryeministri u shpreh se në vitet 2009-2010 numri i studentëve do të trefishohet në krahasim me vitin 2005, por nuk është trefishuar orientimin drejt tregut, diversitetit dhe larmisë së tij.

“Po të ndalim tek arsimi i lartë, unë mund t’ju them se në vitet 2009-2010 numri i studentëve do të trefishohet në krahasim me vitin 2005. Kjo është një arritje shumë e madhe, por ne nuk kemi trefishuar orientimin drejt tregut, diversitetin dhe larmisë së tij. Akoma departamentet tona kanë një lloj viskoziteti për t'u përshtatur me tregun. Ndaj ne duhet të bëjmë që  tregu të afrohet”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se rritja e pjesëmarrjes së sektorit privat dhe shndërrimi i rolit të tij në një rol parësor për zhvillimin e arsimit do të jetë përparësi e punës së qeverisë për të ardhmen. "Ne do të përpiqemi që sektorit privat t’i japim një rol më të madh, t'i japim më tepër hapësira përfaqësuesve të biznesit. Kjo Akademi nuk mund të bëhej realitet pa mbështetjen e biznesit. Ndaj shpresoj që këtë iniciativë ata ta kalojnë edhe në universitete të tjera të vendit", tha Kryeministri

Hapja dhe mbarëvajtja e këtij fakulteti, ose siç u cilësua ndryshe akademi, ku studimet do të jenë të integruara me praktikën, shënon realizimin e një projekti të përbashkët të nënshkruar në prill të këtij viti me palën gjermane, ndërkohë që projekti realizohet me asistencën e akademisë profesionale të Baden-Wuerttenberg, në Gjermani. Nga ana e biznesit realizohet shkollimi në ndërmarrje, bashkëpunimi për hartimin e kurikulave, zhvillimi i provimeve, pranimi i detyrave të mësimdhënies në akademinë profesionale, etj.

Qeveria vendosi pak kohë më parë hapjen e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën, në Universitetin “Aleksandër Moisiu, i cili përbën një risi në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri.

Në këtë takim përshëndetën dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë z. Bernd Borchardt, Drejtori i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisëz. Ilir Zhilla, Kryetari i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës z.Gjok Uldedaj, etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›