Kryeministri Berisha: Leku monedha më e qëndrueshme, sistemi bankar i konsoliduar. Koha për modernizimin e shërbimeve bankare
Kryeministri Berisha tha sot, se monedha shqiptare, leku, është monedha më qëndrueshme në Europë dhe sistemi bankar i konsoliduar, ndërsa theksoi se është koha për modernizimin e shërbimeve bankare në vend dhe një mbështetje më e madhe e tij, për të nxitur rritjen ekonomike.
Duke folur në Konferencën e 10-të të Bankës së Shqipërisë “Politika monetare në Shqipëri: nga e shkuara drejt së ardhmes”, Kryeministri tha se Shqipëria ka nevojë për një horizont të ri bankar. “Unë u bëj thirrje bankave të vendit të marrin të gjitha masat për të ridimensionuar produktet e shërbimet” dhe “të bëjmë gjithçka, që të nxisim rritjen ekonomike, sepse kjo është sot, leva jonë e Arkimedit, për të përballuar pasojat e krizës”.
Në fjalën e tij, Kryeministri vlerësoi rolin e Bankës së Shqipërisë në stabilitetin monetar të vendit, e cila pas 20 vitesh vjen si “një histori e madhe suksesi”. “Banka e Shqipërisë – tha Kryeministri - e ka nisur rrugën e saj 20 vjet më parë, me 4 milionë dollarë rezervë valutore dhe sot, ajo ka në rezervat e saj rreth 2 miliardë euro.”
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e një strategjie mbështetëse nga Komisioni Europian dhe institucioneve financiare të Bretton Woods, të vendeve jashtë Zonës Euro, të cilat përballen me pasojat e krizës financiare të kësaj Zone, në mënyrë që të parandalohet përhapja e saj. “Kjo krizë është krizë afatgjatë, që në të vërtetë ka të bëjë me thelbin e konkurrencës. Një krizë që kërkon reflektim të thellë për zhvillimet e dy dekadave të fundit,” - u shpreh Kryeministri, duke shtuar se përqendrimi për zgjidhjen e krizës së euros është jetike jo vetëm për vendet e Zonës së Euros, por për të gjitha vendet e Europës dhe më gjerë, për shkak të peshës së madhe që euro ka në tregun monetar botëror. “Mirëpo zona jashtë saj [Zonës Euro] përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet, është pothuaj inekzistent. Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Europian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Woods është që të përpunojnë një strategji ndihme, në mënyrë që të kufizohet kriza ekzistuese e të parandalohet përhapja e saj.”
Fjala e Kryeministrit në Konferencë.
“Është një rast i veçantë për mua të përshëndes përzemërsisht në këtë përvjetor, punonjësit dhe drejtuesit e Bankës së Shqipërisë, për punën e tyre të madhe e përkushtim, që kanë kryer e kryejnë në përmbushjen e një misioni themelor, të stabilitetit monetar, por, në të vërtetë, stabilitetit të vendit e shoqërisë.
Ne jemi këtu, në një përvjetor të madh, jemi në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe këtu është një rast për t’u përulur me nderimin më të madh, para atyre burrave që themeluan fill pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Bankën e Shqipërisë, institucion themelor për ekzistencën e shtetit shqiptar, për ekzistencën e një shteti. Themeluesit e pavarësisë e kishin të qartë se shteti pa bankën e tij ishte thjesht një kështjellë rërë. Të tjerë më vonë bënë përpjekje për jetësimin e konceptit të Bankës Qendrore të Shtetit. Për vite mbetën të lidhur me unionin monetar latin, por në rastin më të parë, ata nxorën monedhën e shtetit shqiptar, konsoliduan bankën, e cila sot është një institucion themelor i këtij vendi.
Historiku i kësaj Banke është pazgjidhshmërisht i lidhur me historikun e monedhës, gardiane e së cilës, ajo është. Në këtë kontekst, asgjë nuk ndan në mënyrë më të drejtpërdrejtë fatin e shoqërisë, sesa monedha dhe Banka. Gjatë diktaturës, shoqëria shqiptare, monedha dhe banka u vendosën në bunker. Ajo iu nënshtrua një simbolizmi ireal, deri në mezi ekzistencë. Monedha ishte e prangosur e nuk mund të dilte nga një normë e fiksuar. Për 45 vite, Shqipëria mbeti vendi i zero inflacionit zyrtar. Por shembja e perdes së hekurt solli edhe për Bankën epokën e saj të lirisë.
Zonja e zotërinj,
Në këto 20 vite, shumë gjera kanë ndryshuar në Shqipëri, por asgjë nuk ka ndryshuar më shumë se Banka e Shqipërisë. Ajo e ka nisur rrugën e saj 20 vjet më parë, me 4 milionë dollarë rezervë valutore dhe sot, ajo ka në rezervat e saj rreth 2 miliardë euro. Banka e shtetit shqiptar vjen sot, me një histori të madhe suksesi, në këto 20 vite. Ajo kryesoi likuidimin e një borxhi që ishte i ndaluar me Kushtetutë dhe e likuidoi në mënyrën më të vendosur e të shpejtë, mbrojti stabilitetin monetar dhe prej mëse 18 vitesh, leku është një nga monedhat më qëndrueshme të Europës e më gjerë.
Banka e shtetit shqiptar është shndërruar në një katalizator të madh të zhvillimit të sistemit bankar në Shqipëri. Sot, Shqipëri ka një nga sistemet më të mira bankare. Sistem, i cili, duke iu përmbajtur standardeve më serioze të funksionimit të sistemit bankar, nuk shkau për asnjë çast në aventura financiare që rrënuan ekonominë e miliona e miliona qytetarëve në mbarë botën, që rrënuan në mënyrë të pamerituar, reputacionin e bankave dhe sistemeve bankare. Në Shqipëri, bankat dëshmuan një përkushtim të madh e seriozitet të plotë në veprimtarinë e tyre. Ato funksionuan mbi bazën e parimeve më të shëndosha. Ndaj sot, jo vetëm që nuk patën problemet e mëdha të bankave të disa vendeve, por, përkundrazi, ato po përballojnë me sukses krizat monetare të sotme, veçanërisht krizën e euros që vështirëson në mënyrë serioze funksionimin e bankave bija nga vendet anëtare të Zonës së Euros.
Një përvjetor është normale të përdoret si një stacion për të vështruar drejt një horizonti të ri dhe Shqipëria ka nevojë për një horizont të ri bankar. Ndaj unë u bëj thirrje bankave të vendit të marrin të gjitha masat për të ridimensionuar produktet e shërbimet në këtë vend. Ju keni bërë progres shumë të madh, keni mbështetur një rritje të ekonomisë shqiptare, në kushte të vështira, jeni përballuar me vështirësi të gjithanshme, por keni pasur mbështetjen e plotë të Bankës së Shtetit dhe të qeverisë shqiptare. Tani është koha për një etapë të re të shërbimeve ndaj qytetarëve, të modernizimit të plotë të shërbimeve, në çdo skaj të venit. Qytetari shqiptar, sot, nuk mund të pranohet se është ai që ishte 6 vjet më parë. Unë do t’u jap vetëm një të dhënë. 6 vjet më parë, shkalla e penetrimit të internetit ishte 4.8 përqind, ndërsa sot, shqiptarët, në Facebook, lënë mbrapa 17 vende anëtare të Bashkimit Europian. E dhashë këtë shembull për t’ju ftuar për përpjekje të mëdha, për një modernizim të shpejtë e të gjithanshëm të të gjitha shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Zonja e zotërinj,
Jetojmë në një kohë të veçantë. Sot, sistemi kapitalist është më i fuqishëm se kurrë, më i gjerë se kurrë dhe në ato përmasa që nuk i ka pasur kurrë më parë. Por disa nga motorët kryesorë të këtij sistemi kanë vështirësi e probleme serioze. Eurozona është e pllakosur nga një krizë, një ndër faktorët e së cilës është euro, por më thellë, shkaku më themelor i saj është edhe efekti i globalizmit, apo, me fjalë të tjera, kompetitiviteti i injoruar, në një mënyrë apo në një tjetër. Çka do të thotë se kriza do të jetë afatgjatë. Edhe pasi të vendosen themelet e reja të euros dhe kjo monedhë të shkojë duke tërhequr gjithnjë e më shumë monedha të vendeve të tjera për anëtarësim, sërish nuk mund të thuhet se kriza do të jetë e kapërcyer. Aspak! Kjo është krizë afatgjatë, që në të vërtetë ka të bëjë me thelbin e konkurrencës. Një krizë që kërkon reflektim të thellë për zhvillimet e dy dekadave të fundit. Ka një spostim të madh drejt Azisë. Ndërkohë që Europa, e analizuar veças, ka potencialet më të jashtëzakonshme, se çdo kontinent tjetër.
I theksova këto, sepse përqendrimi për zgjidhjen e krizës së euros është jetik, i një rëndësie kryesore jo vetëm për popujt e vendet e zonës së euros, por për të gjitha vendet e popujt e Europës dhe më gjerë, për shkak të peshës së madhe që kjo monedhë ka sot, në tregun monetar botëror. Mirëpo zona jashtë saj përballet me pasojat e kësaj krize dhe e vërteta është se përqendrimi për ta kufizuar këtë krizë në zonën ku ajo ndodhet, është pothuaj inekzistent. Ndaj, thirrja ime si për Komisionin Europian e në mënyrë të veçantë për institucionet e Bretton Wood është që të përpunojnë një strategji ndihme, në mënyrë që të kufizohet kriza ekzistuese e të parandalohet përhapja e saj. Por kjo strategji nuk do mund të funksionojë, në rast se ajo paraqitet njëlloj sikur nuk ka ndodhur gjë. Kemi të bëjmë me një krizë të thellë në qendër, e cila rrezaton drejt periferisë e ndikon në mënyrë negative vazhdimisht, ndaj duhet një përqasje e përballje emergjente dhe më e veçantë.
Vendet e Zonës Euro, me shumë të drejtë theksojnë nga mëngjesi deri në darkë, mungesën e rritjes dhe çfarë të bëjnë për të. Ndërsa vendet që kanë rritje kërcënohen të humbasin rritjen. Kjo do të ishte e dëmshme, fatale, jo vetëm për vendet e zonës jashtë euros, por edhe për vetë vendet e Zonës Euro. Një takim u bë në Tokio, por nuk dëgjuam të reja apo të veçanta. Para një viti e gjysmë, takova në Tiranë, guvernatorin e Bankës Qendrorë të Republikës Popullore të Kinës, i cili më informoi se ky vend i kishte dhënë Fondit Monetar Ndërkombëtar 100 miliardë dollarë dhe as edhe një dollar i vetëm nuk kishte përfunduar në vendet në zhvillim, por të tëra, në vendet e zhvilluara. Në rast se ecim në këtë mënyrë, është jashtëzakonisht e pashmangshme kontributi në përhapjen e krizës. Ndaj thirrja ime për bankat e Shqipërisë është të bëjmë gjithçka, në mënyrë që të nxisim rritjen ekonomike, sepse kjo është sot, leva jonë e Arkimedit, për të përballuar pasojat e krizës. Kjo ekonomi është ekonomi vibrante, dinamike, reale, me një proporcion të shkëlqyer midis pagave dhe produktivitetit dhe me një treg pune ndër më fleksibël. Kjo ekonomi do oksigjenin e nevojshëm që ajo të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë rritjen. Unë jam i bindur se ju do ta përmbushni këtë mision me sukses të plotë, siç keni përmbushur deri më sot, misionin tuaj në Shqipëri. Faleminderit."
26/10/2012