Kryeministri Berisha: Lufta kundër informalitetit do të njohë dimensione të reja
Kryeministri Berisha theksoi sot, në mbledhjen e grupit parlamentar, se lufta kundër informalitetit do të njohë dimensione të reja.
Duke nënvizuar se revolucioni fiskal e ngriti Shqipërinë në majat më të larta për sa i përket lirisë fiskale, Kryeministri u shpreh se kjo është një ftesë e rëndësishme për investitorët e huaj që të vijnë e të investojë në Shqipëri.
“Ne kemi rritur të ardhurat. Në mënyrë absolute, në të gjithë këtë përpjekje të ardhurat nuk kanë qenë qëllimi i parë. Po të kishin qenë ato, ne nuk do të ulnim asnjë përqind taksat. Qëllimi i parë ka qenë dhe mbetet liria e tregut. Në rast se tolerohet informalitetit, ekonomia kthehet në kënetë dhe kjo përbën një kusht vendimtar për konsolidimin e lirisë së tregut.” tha kryeministri
Kryeministri ritheksoi se lufta me zero tolerancë ndaj korrupsionit, ka qenë dhe mbetet zotimi i qeverisë.
“Rritja nga 22% në 27 % të buxhetit, të ardhurat e vendit janë rritur duke luftuar evazionin, kontrabandën, informalitetin. Ky është një nga rezultat më madhore të arritura nga ne në luftën kundër korrupsionit. Rezultati i dytë madhor është se ne kemi shkurtuar shpenzimet administrative nga 3 % të GDP, në 2,1 % të GDP dhe kjo është konsoliduar tërësisht. Rezultat tjetër madhor është rritja e transparencës. Ka rënë në mënyrë të ndjeshme çmimi për prokurimet. Megjithatë sërish ka korrupsion, por vendosmëria jonë për ta goditur atë është shumë e madhe dhe institucionet e luftës kundër tij kanë marrë porosi të prera, të dëshmojnë zero tolerancë ndaj tij.”