Kryeministri Berisha: Vendimi për klasifikimin e firmave ndërtuese mirëpritet nga grupet e interesit
Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha veçoi si problematikën e vitit, mospërputhjen që ekziston midis mundësive financiare të qeverisë dhe kapaciteteve të kompanive ndërtuese.
Kryeministri informoi se Ministria e Punëve Publike ka përgatitur dhe po kalon në qeveri një vendim shumë të rëndësishëm, në të cilin synohet që kompanitë e ndërtimit të mos ndërmarrin punë publike jashtë kapacitetit të tyre.
Kryeministri u shpreh se vendimi për klasifikimin e kompanive është mirëpritur nga kompanitë e ndërtimit, sikundër dhe puna në turnin e tretë. Në këtë aspekt, u shpreh Kryeministri, ka një reagim pozitiv edhe nga shoqata e ndërtuesve. “Sidoqoftë ne jemi në ndjekje të vazhdueshme të këtij problemi dhe unë kam besim të madhe se investimet do të realizohen plotësisht.” tha Kryeministri.
Për sa i përket investimeve të vitit të kaluar, Kryeministri informoi se në ditët në vijim, do të ketë një paraqitje transparente nga ana e Ministrit të Financave, të të gjitha të dhënave që faktojnë investimet e realizuara.