Kryeministri Berisha: Partneriteti publik, privat në rrugë të mbarë
Kryeministri Berisha u shpreh, në mbledhjen e grupit parlamentar, se procesi i partneritetit publik, privat po ecën pozitivisht, duke dhënë frutet e veta. “Këto ditë shpallet fituesi për hidrocentralin e Devollit. Janë dhjetra e dhjetra projekte të të gjitha kalibrave, nga 1, 5 apo 10 megavat në qindra megavat, në të gjitha ujrat e vendit.” tha Kryeministri.
Ndër të tjera, Kryeministri theksoi se një raport europian e rendit Shqipërinë, vendin e parë për potencialet hidrike në ndërtimin e HEC-ve. Duke vlerësuar këtë si një fakt të rëndësishëm, Kryeministri theksoi se kjo përbën një ftesë për kompanitë e huaja për të investuar në Shqipëri në ndërtimin e HEC-ve
“Para se të vija këtu po lexoja një raport europian, i cili e rendiste Shqipërinë të parin në potencialet e saj për të ndërtuar HEC-e, duke vlerësuar potencialin hidrik. Pozitivja është se e gjitha kjo përbën një ftesë për kompanitë e huaja që të shohin drejt ndërtimit të HEC-ve në Shqipëri”, tha Kryeministri.