E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Mesazhi ndërkombëtar, dëshmi e vlerësimit të refomave në Shqipëri

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri u shpreh se vlerësimet e Sekretares së Shtetit Condoleezza Rice për reformat dhe mesazhi i shkëlqyer nga Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn janë dëshmi e vlerësimit të reformave të zbatuara në Shqipëri.

Duke vlerësuar mbështetjen ndërkombëtare në këtë drejtim Kryeministri Berisha ritheksoi qëndrimin e përkushtuar të qeverisë shqiptare në zbatimin sa më të shpejtë të reformave.

Kryeminisri Berisha vuri në dukje se investimet e huaja për Shqipërinë janë katërfishuar në raport me vitin 2004 dhe në vitin 2006 ato janë trefishuar në raport me të gjithë mesataren e 10 vjeçarit të kaluar, duke siguruar se këtë vit investimet e huaja do të arrijnë nivele shumë më të larta.

Kryeministri u shpreh i vendosur se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, e shpallur nga qeveria si kontrata historike me BE-në, do të shndërrohet shumë shpejt në realitet, si rruga më e sigurtë për të zenë vendin që na takon midis kombeve më të zhvilluara të kontinentit.

Kryeministri Berisha përshëndeti ditën e mbylljes së javës Evropiane dhe theksoi se kjo ditë fton të gjithë shqiptarët të ndjekin me përkushtim reformat, për të realizuar projektin historik të integrimit në BE.

Duke përcaktuar masat kundër informalitetit të një rëndësie jetike për lirinë e tregut, Kryeministri Berisha ritheksoi se qëllimi i zbatimit të reformave në këtë drejtim është zhvillimi i vendit në mënyrë formale dhe ligjore.

"Sot është një ditë e shënuar, dita e Evropës, ditë në te cilën shqiptarët janë të ftuar të ndjekin me përkushtim reformat, për të realizuar projektin më të shkëlqyer të historisë së tyre, projektin e integrimit në BE. Vlerësimet e djeshme të Sekretares së Shtetit për reformat Condolezza Rice dhe mesazhi i shkëlqyer që erdhi nga Komisioneri Rehn janë dëshmi e vlerësimit të reformave të zbatuara. Ne ndjehemi shumë të vlerësuar me mbeshtetjen që marrim dhe mbetemi shumë të angazhuar në vazhdimin e tyre.

Qeveria që në fillim e shpalli MSA-në si kontratën më historike me BE-në dhe unë jam shumë i vendosur që së bashku me ju ta shndërrojmë atë nen për nen, në germë dhe në frymë në realitet, sepse ky është interesi ynë personal, qytetar dhe kombëtar, interesi i fëmijëve tanë, i familjarëve, zgjedhësve tanë, i mbarë qytetarëve shqiptarë. Integrimi është rruga më e sigurtë për të lënë mbrapa shekuj varfërie dhe vuajtjesh, për të zënë vendin që na takon midis kombeve të zhvilluara të kontinentit.

Ndaj secili nga ju dhe të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit janë të detyruara që direktivën evropiane, Marrëveshjen e Stabilizim Asoociimit ta kenë boshtin e veprimtarisë së tyre të përditshme. Qeveria është e vendosur të proçedojë çdo ditë me reformat, me zbatimin e tyre, të plotësojë nen për nen kërkesat e kësaj marrëveshjeje, të jetësojë ato që quhen acquis communitaire, si elementët më të domosdoshëm që qytetarët shqiptarë të ndjejnë mirësinë e procesit të integrimit.

Natyrisht duhet të jemi realistë. Reformat kanë një çmim të caktuar, por ky çmim është i vlefshëm të paguhet sepse fitohet shumë më tepër. Unë do të kujtoj vetëm një moment, zhurmën që u bë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes Ad Interim dhe frikën e përhapur se kjo do të krijonte një shok në ekonominë tonë. Por e kundërta ka ndodhur. Eksporti po rritet me shpejtësi të madhe më shumë se kurrë dhe eksporti është treguesi më cilësor i zhvillimit të një ekonomie tregu. Reformat janë në fillimet e fruteve të tyre, por rezultatet do të jenë shumë më të mëdha në muajt dhe në vitet që vijnë. Investimet e huaja janë katërfishuar në raport me vitin 2004 dhe trefishuar në vitin 2006 në raport me të gjithë mesataren e 10 vjeçarit që shkoi. Ju siguroj se këtë vit investimet e huaja do të arrijnë nivele shumë më të larta. Kërkohet që Shqipëria të jetë formale, ligjore, të mos qëndrojë në hije, por të dalë në dritën e diellit. Ndaj dhe masat kundër informalitetit kanë rëndësi jetike për lirinë e tregut. Këto masa kanë gjetur mirëkuptim të gjerë. Nuk përjashtoj zemërthyerjen e atyre që kapardisen në makina luksoze dhe firmosin në bordero si proletarë."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›