Këshilli i Ministrave diskuton për një sërë vendimesh të rëndësishme
Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave diskutoi për ndryshimin në ligjin "Për sistemin e taksave në Republikën e Shqipërisë". Lidhur me ndryshimin e propozuar, Kryeministri u shpreh se do të diskutohet për heqjen e taksës ditore për automjetet që hyjnë në territorin e Shqipërisë. "Turistët, emigrantët dhe pushuesit që do të vijnë në Shqipëri do të paguajnë vetëm një 1 euro në kufi dhe nisma 1 euro bëhet operative për ta", u shpreh Kryeministri
Kryeministri informoi gjithashtu se në mbledhjen e qeverisë do të diskutohet edhe për ndryshime në ligjin për sigurimet shoqërore. Kryeministri u shpreh se po bëhet një shqyrtim i dosjeve për rastet e përfitimit pa të drejtë të pensionit të personave që nuk jetojnë më, nga familjarët e tyre.
"Kjo është e padenjë dhe e dënueshme. Ligji do të jetë i rreptë ndaj këtij fenomeni. Shumat e nxjerra nga ky informalitet dhe falsifikim janë të konsiderueshme. Ju bëj thirrje qytetarëve, të cilët kanë abuzuar në këtë drejtim, ta ndërpresin këtë praktikë të dënueshme, të papranueshme dhe jo shoqërore. Arka e pensionistëve u përket atyre dhe duhet të synojmë që ti ndihmojmë me të gjitha mënyrat për të përballuar jetën në kushtet e tregut. Në këtë kontekst, bëhet dhe një ndërhyrje në Kodin Penal. Shpresojmë që opozita ta mbështesë këtë ndërhyrje dhe të bashkohemi në një përpjekje për të luftuar informalitetin."
Në mbledhjen e qeverisë u shqyrtua gjithashtu vendimi për kalimin e digës së Liqenit artificial në pronësi të bashkisë së Tiranës.
Kryeministri u shpreh se me këtë rast bashkia e Tiranës do të ketë mundësi të zbatojë të gjitha projektet, duke zhvilluar një nga pjesë më të bukura të kryeqytetit, atë të zonë së liqenit artificial.
"Diga e liqenit artificial të Tiranës i kalon në pronësi bashkisë së Tiranës. Me ketë rast, bashkia e Tiranës do të ketë mundësi të zbatojë të gjitha projektet dhe të trajtojë dhe zhvillojë një nga pjesët më të bukura të kryeqytetit, atë të zonës së liqenit artificial. Gjithashtu duhet të shpejtohet procesi i kalimit të pronave në pronësi të bashkive dhe komunave. Sikundër duhet të bëjmë përpjekje për të shpejtuar procesin e dhënies së ujësjellësave me koncesion, sepse natyrisht ato kërkojnë mirëmenaxhim. Decentralizimi është interesi jetik i qytetareve. Natyrisht duhet të shpejtohet edhe përgatitja e ligjit për kreditë dhe huatë të qeverisjes vendore dhe të përcaktohet kuadri i plotë i mundësisë së përfitimit të njësive të qeverisjes vendore nga sistemi i huave nga bankat," theksoi Kryeministri.